Deputetja e LVV-së, Mimoza Kusari-Lila ka komentuar lajmin për njohjen e Kosovës nga Xhamajka.
Kusari-Lila fajin ia hedh presidentit të vendit, Hashim Thaçi.
“Rasti i fundit i (mos)njohjes nga Xhamajka nuk është asgjë tjetër, pos një teke e Presidentit të vendit të ngutet dhe tregojë suksesin e veprimeve të tij në shërbimin e jashtëm, në ditën kur Ministri i Jashtëm shkarkoi konsujt e emëruar jashtëligjshëm në këtë dikaster. Për fat te keq për Kosovën vetëm brenda pak orëve, u demantua Presidenti, ndërsa e tërë Kosova u bë pre e edhe një “fake news””, ka shkruar Kusari-Lila në Facebook.
Postimi i plotë:
Fake News i radhës
Politika e brendshme dhe politika e jashtme e shtetit nuk duhet të jenë garë midis udhëheqësve shtetërorë. Mungesa e koordinimit dhe “garimi” me njëri – tjetrin për më shumë se një dekadë në Kosovë gjithmonë e ka dëmtuar Kosovën dhe kurrë nuk i ka sjellë ndonjë të mirë vendit.
Rasti i fundit i (mos)njohjes nga Xhamajka nuk është asgjë tjetër, pos një teke e Presidentit të vendit të ngutet dhe tregojë suksesin e veprimeve të tij në shërbimin e jashtëm, në ditën kur Ministri i Jashtëm shkarkoi konsujt e emëruar jashtëligjshëm në këtë dikaster. Për fat te keq për Kosovën vetëm brenda pak orëve, u demantua Presidenti, ndërsa e tërë Kosova u bë pre e edhe një “fake news”.
Presidenti nuk i bëri nder aspak Ambasadores Çitaku, në fakt, ai e ekspozoi atë keqas para strukturës së re politike në Kosovë.
Presidenti nuk mund t’i ikë përgjegjësisë për këtë lajm të rremë. Ai duhet të marrë këtë “mësim” dhe ta kuptojë se çfarë mund të ndodhë me vendin nëse e përdor të njëjtën politikë në vazhdimësi edhe në dialogun me Serbinë dhe komunikimin paralel me partnerë tjerë ndërkombëtarë.
Kosova e vogël me shumë “mbretër” duhet të kthehet në Kosovën funksionale me Qeverinë dhe institucionet e përgjegjshme ndaj obligimeve që i kanë për qytetarët e tyre.