Kush qëndron pas kryengritjes në Partinë Demokratike?

Prishtinë | 29 Maj 2017 | 14:34 | Nga

Berisha ende nuk e ka përshëndetur hapur listën, ndërsa ka thënë se kjo është lista e Bashës. Pas komenteve të Topallit e Imamit, reagon selia blu. Nga ana tjetër, te hoteli i konferencës mbërrijnë edhe Bregu, Patozi, Bode dhe Keltis Kruja

Vazhdojnë largimet nga lista e kandidatëve të Partisë Demokratike.

Këtë herë është larguar kreu i PLL, Sulejman Gjana, që garonte në qarkun e Dibrës.

Por më shqetësuese është deklarata e përbashkët e Jozefina Topallit dhe Arben Imamit, që kërkojnë shkarkimin e Lulzim Bashës.

Deklarata e tyre vjen në një kohë kur rrjeti është mbushur me spekulime se pas kryengritjes në PD, qëndron Sali Berisha.

Ndërkohë, i pyetur nga gazetarët, ish-ministri i Mbrojtjes Arben Imami deklaroi se për këtë iniciativë nuk ishin konsultuar me Sali Berishën.

Pyetjes nëse do e ftojnë Majlinda Bregun të bëhet pjesë e kësaj lëvizje kundër Bashës, Topalli dhe Imami theksuan se “çdo koleg, ish-koleg dhe demokrat që ndihen të zhgënjyer” duhet t’u bashkohen atyre.

Portali Lapsi.al shkruan se pas kësaj lëvizje qëndron Berisha.

“Gazetarë shumë të lidhur me Berishën e kanë sulmuar shumë fort pasardhësin e tij ditët e fundit. Po të njëjtën gjë bëri dje edhe Gjergj Lezhja, një njeri shumë pranë Berishës dhe që flet rrallë publikisht.

Pra dilema është: A është Berisha i pakënaqur me listat dhe largimin e shumë figurave të PD-së? A i ka frymëzuar ai qoftë edhe me heshtjen e vet të gjithë ata që po e sulmojnë në mënyrë të paprecedentë pasardhësin e tij?

Kjo pyetje ende nuk ka marrë përgjigje.

Por cilado që të jetë zgjidhja e saj duket se PD-ja është future në një spirale të paprecedentë dhe që nuk i ka ndodhur asnjë partie më parë, aq më tepër gjatë fushatës. Ajo është në prag të eksplodimit. Historia e zgjedhjeve tashmë duket e përfunduar. E vetmja dilëmë është kush do të trashëgojë atë që do të mbetet nga PD-ja,” shkruan Lapsi.al.

Vetë Berisha nuk e ka përshëndetur listën e përgatitur, por ka thënë të paktën dy herë se kjo është lista e Lulzim Bashës.

Por si po reagojnë brenda selisë blu pas kësaj deklarate të Imamit dhe Topallit?

Burimet bëjnë të ditur për Politiko.al se kandidatët dhe deputetët demokratë e konsiderojnë këtë lëvizje si përpjekje për të tërhequr vëmendjen nga fushata e PD.

Deri më tani kjo kërkesë e Topallit dhe Imamit nuk është marrë seriozisht dhe nuk pritet të ketë ndonjë reagim të madh brenda partisë, thonë këto burime për Politiko.

Edhe gjatë protestës në çadër, Basha ka refuzuar të komentojë publikisht deklaratat që janë bërë kundër tij nga deputetë të PD, duke i konsideruar si dëshmi të demokracisë brenda partisë.

Nga ana tjetër raportohet se Topallit i janë bashkuar në hotelin ku u zhvillua konferenca edhe Majlinda Bregu, Astrit Patozi, Ridvan Bode dhe Keltis Kruja.

Të ngjashme