“Kush shet votën, ka shitur dinjitetin”, ambasadorja e SHBA-së shpërndan mesazhin e Kishës Katolike për zgjedhjet në Shqipëri

Prishtinë | 15 Pri 2021 | 17:04 | Nga Ekonomia Online

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në vendin tonë, Yuri Kim ka ripostuar në profilin e vet në Twitter mesazhin e Kishës Katolike lidhur me zgjedhjet e 25 prillit, duke bërë thirrje që të mos shitet e blihet vota.

“Mesazh i fuqishëm i Kishës Katolike; shitblerja e votës është plagë e madhe! Kush e shet votën ka shitur dinjitetin e vet & atë të familjes. Kush e blen votën duke përfituar nga varfëria e votuesve nuk është i denjë të ulet në detyrën për të cilën kërkon”, shkroi ambasadorja e SHBA,

Kisha Katolike në mesazhin e përcjellë për zgjedhjet e 25 prillit, ftoi qytetarët që ta ushtrojnë masivisht të drejtën e votimit. Në emër të gjithë Ipeshkve, në fjalën e tij Ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit, Dom Gjergj Meta tha se nuk është rasti të votohen kandidatë me të kaluar të dyshimtë.

“Kush e shet votën me para, ka shitur dinjitetin e vet dhe të familjes së tij dhe nuk ka më zë për të kërkuar llogari. Kush e blen votën me para duke përfituar nga varfëria ekonomike e votuesve nuk është i denjë të ulet në karrigen e deputetit. Si Ipeshkvi, nuk është rasti të votohen kandidatë me një të kaluar të dyfishtë. Integriteti moral i kandidatit duhet të jetë një kusht i domosdoshëm”, thuhet në deklaratën e Dom Gjergj Meta, sekretar i përgjithshëm i KISH-it, përcjell Euronews Albania.

Në mesazhin e Kishës Katolike u evidentuan edhe sfidat më të cilat do duhet të përballen ata që do qeverisin vendin pas zgjedhjeve të 25 prillit. Mes tyre sfida e pandemisë, rindërtimit, braktisja e vendit nga të rinjtë, por edhe korrupsioni dhe sistemi i drejtësisë.

“Sfida tjetër themelore e rëndësishme është forcimi i institucioneve që do dalin nga reforma në drejtësi, që ne e kemi në letër por që duhet të aplikohet sa më shpejt dhe me guxim.  E fundit por jo për nga rëndësia, është lufta ndaj korrupsionit që është evidentuar edhe nga institucionet kombëtare si një plagë e rëndë dhe akute e shoqërisë tonë”, thotë – Dom Gjergj Meta

Në përmbyllje Kisha Katolike bëri thirrje që qytetarët të mos e keqpërdorin votën pasi ky do ishte një dëm i madh për individin, familjen dhe vetë vendin.

Të ngjashme