Zbatimi i ligjeve mbetet një nga çështjet kryesore që sfidon institucionet e Kosovës. Procedimi i ligjeve dhe miratimi i tyre nuk garanton edhe zbatimin e këtyre ligjeve.
Njohës të punës së kuvendit dhe demokracisë institucionale thonë se legjislatura e re duhet të marrë mësime nga ato të kaluarat në mënyrë që të mos përsëriten gabimet.
Njëri ndër ish-monitoruesit e punës së Kuvendit, Artan Murati thotë për Ekonomia Online se ka shumë ligje të cilat nuk gjejnë zbatim pasi që cilësia e tyre lë shumë për të dëshiruar.
Sipas tij në Kosovë ka ligje për gjithçka, mirëpo nëse ato nuk gjejnë zbatim atëherë mund të shkaktohen telashe.
“Në Kosovë ka ligje për gjithçka mirëpo ajo çka është e diskutueshme është cilësia dhe zbatimi në praktik dhe shpeshherë sponsorizuesit e ligjeve sapo për t’i përfunduar disa punë të cilat i kanë parashtruar si target për një periudhë të caktuar nuk i dorëzojnë projektligjet më të mira në kuvend dhe cilësia e tyre lë shumë për të dëshiruar e pavarësisht intervenimit qoftë nga shoqëria civile apo nga ekspertë të ndryshëm jo çdo herë mund të garantohet cilësia e ligjit para se të aprovohet në kuvend”.
“Zbatimi i ligjeve në Kosovë është një mangësi e madhe e cila është vërejtur edhe viteve paraprake sepse nuk bëhet monitorimi i duhur i zbatimit të ligjit nga kuvendi i Kosovës. Po ashtu edhe kur miratohen ligjet shpeshherë nuk parashikohet si duhet zbatimi i tyre sepse mund të kemi ligje shumë të mira në letër por nëse ato nuk janë të zbatueshme me normat dhe zhvillimin e përgjithshëm socio-ekonomik në vend ajo normalisht që do të shkaktojë telashe”, thotë ai.
Sipas Muratit viteve të fundit kanë dominuar plotësim-ndryshimet e ligjeve dhe këto po ndodhin si pasojë e mos planifikimit paraprak por mund të jenë edhe kërkesa nga faktori ndërkombëtar.
“Është fakt që viteve të fundit zakonisht kanë dominuar plotësim-ndryshimet e ligjeve të cilat janë në fuqi dhe këtu ekzistojnë dy arsye kryesore të cilat janë për mos planifikim të duhur paraprak dhe e dyta është për shkak të kërkesave që mund të vinë edhe nga faktori ndërkombëtar, dhe kjo shkakton konfizitet sidomos të personat që janë të thirrur për ta zbatuar ligjin dhe faktikisht mund të sjellin probleme edhe për prokurorët dhe gjyqtarët të cilët merren me një ligj të caktuar”.
“Ajo çka është praktik e keqe ku deputetët brenda komisioneve funksionale të cilët përmes amendamenteve të ndryshme arrijnë ta bishtnojnë ligjin dhe faktikisht ta largojnë jashtë konturave të cilat janë në linjë me ligjet bashkimit evropian dhe këtë vit ka pas edhe shembuj të tillë ku komisioni për buxhet e financa i cili ka trajtuar projektin e financimit për subjektet politike pastaj ka qenë edhe komisioni për administratë publike e qeverisje lokale dhe media i cili ka trajtuar ligjin për lirinë e asociimit ose ligjin për OJQ dhe në të dyja raste ka pasur tendenca që faktikisht të dilet jashtë normave dhe standardeve të BE-së, thotë Murati për Ekonomia Online.
Murati thotë që legjislatura e re duhet të funksionojë pa problemet që i kanë përcjell dy legjislaturat e kaluara dhe kjo mund të funksionojë vetëm me bashkëpunimin e mirëfilltë të grupeve parlamentare.
“Legjislatura e re duhet të funksionojë pa problemet që i kanë përcjell dy legjislaturat e kaluara dhe ajo çka pritet nga legjislatura e re është respektojnë mandatin të cilin e kanë marr nga qytetarët duke qenë të vetëdijshëm për peshën e punës të cilën e kanë ata. Duhet të ketë një bashkëpunim të mirëfilltë sidomos për agjendën shtetërore të Kosovës si për marrëveshjen ndërkombëtare dhe për të gjitha proceset në të cilat kërkohet unitet politik dhe kërkohet votë e deputetëve. Dhe kjo normalisht nuk mund të arrihet nëse grupet parlamentare nuk do të bashkëpunojnë me njëra tjetrën”, thotë ai.
Jetmir Bakija nga D+ thotë se mbikëqyrja dhe zbatimi i ligjit nuk duhet të jetë përgjegjësi vetëm e kuvendit, por edhe vetë qeverisë, ndërsa shton se Zyra e Kryeministrit duhet të merret me mbikëqyrjen dhe zbatimin e ligjit dhe të shikohet se ku mund të ketë përmirësime.
“Ligjet që prekin sektorin më të gjerë të ketë konsultim para miratimit sepse pasi të miratohet është vështirë të ndryshohet dhe duhet të gjejë zbatim menjëherë por edhe kur të miratohen që të mbikëqyret zbatimi i ligjit në mënyrë që të përmirësohet aty ku has në vështirësi. Mbikëqyrja e zbatimit të ligjeve është përgjegjësi e kuvendit por edhe e vetë qeverisë sepse nuk duhet ti lihet vetëm një ministrie për mbikëqyrje po edhe Zyra e Kryeministrit dhe ato zyrat që i kanë për planifikim strategjik që duhet të mbikëqyret zbatimi dhe të shikohet aty ku mund të përmirësohet dhe nëse nuk und të përmirësohet atëherë të bëhet plotësim-ndryshimi”, thotë ai.
Sipas tij duhet të miratohen ligje të reja sepse kohëve të fundit më shumë vijnë ligje në plotësim ndryshim.
“Viteve të fundit nuk ka pas mungesë të ligjeve por megjithatë në vazhdimësi dinamika e zhvillimeve nënkupton që duhet të vinë ligje të reja sepse kohëve të fundit më shumë vijnë ligje në plotësim ndryshim , por më mirë është zbatohen ato që janë nëse ato nuk prodhojnë rezultate krejtësisht të ndryshme prej atyre që janë ofruar sepse secili ligji i ka qëllimet e veta”, thotë ai.
Ai thotë legjislatura e re urgjentisht duhet të merret me buxhetin e vitit 2020, pasi që vlerëson se ky projektligj është ndër më të rëndësishmit.
“Hapat urgjente që duhet t’i merr legjislatura e re është buxheti i Kosovës dhe sepse ne vetëm po hyjmë në vitin e ri pa buxhet të shteti dhe kjo është një praktik mjaft e dëmshme për shkak se edhe kur të fillon qeveria e re dihet se hartimi i buxhetit bëhet me hapa të përshpejtuam dhe kjo nuk është një praktik e mirë sepse buxheti është ligji më i rëndësishëm i atij viti”, thotë ai.
Po ashtu ai thotë se riorganizimi i dikastereve ministrore duhet të jetë një ndër prioritetet e qeverisë së ardhshme.
“Me urgjent duhet të merret edhe riorganizimi i dikastereve ministrore se nëse supozojmë që qeveria duhet të jetë e bërë nga këto dy parti të cilat e kanë premtuar këtë sepse pa u bë riorganizimi i dikastereve ministrore nuk mund të fillohet puna sipas planprogramit të tyre dhe kjo sigurisht që do ti ketë sidat e veta shtoi Bakija, për EO.