Kryesia e Kuvendit ka marrë vendim që të enjten të mbahet seancë plenare ku do të diskutohet për gjendje në arsim në kohë të pademisë, raporton Ekonomia Online.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, pas mbledhjes tha se seanca do të mbahet me kërkesë të kësaj partie.
“Kryesia vendosi që në seancën e radhës e cikla do të mbahet në ditën e enjte të diskutohet për kërkesën e PDK-së lidhur me gjendjen e arsimit në Kosovë në të gjitha nivelet të shkaktuar nga pandemia gjatë vitit 2020/2021”.
Sipas Tahirit, Qeveria nuk është duke bëtë asgjë që mësimi online në këtë kohë të pandemisë të jetë më efikas.
“Po shohim që Qeveria e Kosovës e edhe ajo që ishte para kësaj qeverie nuk po e ndërmarrin asnjë hap të vetëm që të ndërmarrin masa që mësimi online të jetë shumë më efikas apo të marrin masa në vaksinimin e mësimdhënësve në përgjithësi”.
Ai ka kërkuar që prezënt në këtë seancë të jetë edhe kryeministri Albin Kurti.
“Në këtë debat është jashtëzakonisht e rëndësishme pjesëmarrja e kryeministrit Albin Kurti, i cili vazhdimisht po u ik përgjegjësive nga përgjegjësitë që ka si kryeministër”.
Tahiri ka njoftuar se në Kryesinë e Kuvendit është vendosur që në seancën që do të mbahet të enjten të diskutohet edhe për kërkesën e KOSTT-it, që t’u ndahen 11 milionë euro për pagesën e shpenzimeve të energjisë elektrike.
“Pra, mazhoranca vendosi që në seancën e ardhshme, si propozim i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që ka ardhur nga Komisioni për Ekonomi, të diskutohet edhe çështja e pagesave të energjisë elektrike për veri të Kosovës nga taksat e qytetarëve, një shumë rreth 11 milionë euro”.
“Ne e kemi kundërshtuar edhe me votë në Komision por edhe në Kryesi por mazhoranca i ka numrat dhe e procedojë që të jetë në mbledhjen e radhës në ditën e enjte”.
Tahiri deklaroi se pagesa e energjisë elektrike për veriun e Kosovës, nga taksat e qytetarëve është një padrejtësi.
“Kamuflimi që po bëhet se këtë kosto po e paguan KOSTT-i, ne po e themi prapë që ajo dividendë që duhet të vijë nga KOSTT-i si ndërmarrje publike do të duhej që të derdhej në buxhetin e Kosovës. Pra, kjo mazhorancë po vendos që me taksat e qytetarët të paguhet energjia elektrike për veri të Kosovës. Është një padrejtësi që e ka parandaluar edhe vendimi i Gjykatës në vitin 2018”.
Tahiri ka konfirmuar se deri më tani nuk kanë marr ndonjë ftesë nga kryeministri Albin Kurti për tu konsultuar për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Ne nuk kemi pranuar ende asnjë ftesë nga z.Kurti. mendoj që z.Kurti në rast se do ta kishte seriozisht konsultimin me opozitën për këtë çështje do të duhej që ta bënte para se të udhëtonte në Bruksel. Vizita e tij në Bruksel i ka shërbyer krye e këput fillimit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë”.
Më tutje Tahiri, tha se Kurti nuk është transparent e as i sinqertë në këtë proces.
“Z.Kurti duhet të bëj me dije agjendën e tij, platformën dhe temat që Qeveria e Kosovës do t’i prezantojë në Bruksel në takimet e radhës në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ne nuk po shohim transparencë dhe sinqeritet nga ai në këtë proces”.