Kuvendi i Prishtinës miraton vendimin për nisjen e planit rregullues për “Matin 1”, vazhdim i “Rrugës B”

Prishtinë | 28 Shk 2019 | 17:03 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me 27 vota për, 3 kundër dhe 3 abstenime, Kuvendi Komunal i Prishtinës, ka miratuar propozim-vendimin për fillimin e hartimit të Planit rregullues të hollësishëm për zonën “Matit 1”, vazhdimi i rrugës B (Bahri Fazliu), raporton Ekonomia Online.

Drejtori për Planifikim Strategjik dhe Zhvillim të Qëndrueshëm, Genc Bashota, tha se ky projekt ka të bëjë më logjikën e shpronësimit, sipas tij, në të kundërtën nuk mundet të realizohet asnjë projekt.

“Ligjërisht jemi në rregull, por të realizohet ku projekt kemi të bëjmë me logjikën e shpronësimit përndryshe nuk mundemi me realizuar asnjë projekt”, tha Bashota.

Asamblisti i Vetëvendosjes, Eman Rrahmani, tha se gjendja është e keqe në këtë zonë, ku banorët po jetojnë me epidemi.

“Kjo rrugë ka rëndësi të madhe, ka kërkesa nga banorët dhe momentalisht gjendja është e keqe, ka epidemi dhe paraqet nevojë për reagim ju lus ta votoni këtë propozim sepse kemi kritika nga qytetarët të atjeshme dhe të mos kaloj, kjo do të zvarritet”, tha Rrahmani.

Ndërsa Egzon Azemi nga Vetëvendosje, tha se po luhet me ndjenjat e banorëve. Ai kërkoj që planet të bëhen më konkrete dhe të mira.

“Nuk mundesh mi bo dy kolektor në Emshir e Kalabri se është e njëjta lagje, besojmë se këto dyja edhe pse nuk kanë kundërshtim ligjor është e panevojshme me u bë njëkohësisht e dimë qe në Kalabri është gjendje e keqe por në raportin e juaj, arsye kryesore e keni cek se është vazhdimi i rrugës B”, tha ai.

Ndërsa, drejtori Bashota kërkoi që asamblistët e VV-së të jenë më seriozë edhe kur të kritikojnë.

“Ju kisha lut të jeni më serioz edhe kur kritikoni por deri tani harta zonale ke që nuk jeni tu punuar tani jeni tu punuar por pse kaq vonë, dokumentin e arsyeshmërisë e keni të kompletuar mundemi me hi me pa ne gjeo-portal”, tha Bashota.

Egzon Azemi nga VV-ja, e akuzoi Bashotën se po gënjen, duke i thënë se kur të ketë dështime, t’i pranoj.

“Me u bë njerëz tamam me i pranuar dështimet e juaja keni dështuar për një tender. Te çështja e universitetit prapë kanë dal probleme tek banorët sepse janë ankuar se pjesa e vetme e panderume po shkatërrohet nga komuna ne kërkojmë që diskutimet publike të jenë të vazhdueshme sepse kur ka diskutim publik me qytetar Shpend Ahmeti me Kadri Veselin mbante konferenca për ekipin e komunën e ka lënë”, u shpreh Azemi.

Leutrim Retkoceri nga PDK-ja, kërkoi nga opozita ta mbështesin këto pika sepse banorët në këto zona jetojnë në kundërmimin e ujërave të zeza.

“Janë dy tema me rëndësi për Mati 1 dhe Kalabria ne me kolegë kemi qenë atje edhe në kohën e fushatës dhe e dimë mjerimin që e vuajnë qytetarët nga kundërmimi i ujërave të zeza shpresoj se do duhej të kaloj të i jepet një zgjidhje qytetarëve dhe me marr përgjigje nga ministria nëse ka nevojë me u plotësuar dhe kërkoj nga opozita ta mbështesim se janë pika me rëndësi”, tha Retkoceri.

Në këtë seancë u diskutua edhe Plani i Mobilitetit për Komunën e Prishtinës.

Drejtori për Planifikim Strategjik dhe Zhvillim të Qëndrueshëm, Genc Bashota, tha se plani i mobilitetit ka përfunduar dhe tani mbetet të sjellët në Kuvend.

Sipas tij, për 13 vitet e ardhshme janë planifikuar mbi 100 milionë investime.

“Ky plan u përfundua dhe mbetet tani nga kryetari nëse e sjellë në Kuvend për diskutim besoj se së shpejti por i njëjti u publikua dje në faqen e Komunës ku për 13 vitet e ardhshme janë planifikuar mbi 100 milionë investime”, tha Bashota.

Shefja e Sektorit për Planifikim në Drejtorinë për Urbanizëm, Ndërtim dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Prishtinës, Burbuqe Hydaverdi, tha se Prishtina është kryeqyteti i parë në rajon që ka plan të mobilitetit.

“Jemi kryeqyteti i parë në rajon që kemi plan mobiliteti, nuk ka as Shkupi, Podgorica e Tirana, është dokument voluminoz me plot detaje rreth strategjisë. Plani i mobilitetit të Qëndrueshëm Urban është plan strategjik i hartuar për të plotësuar nevojat e lëvizshmërisë së njerëzve dhe bizneseve në qytete dhe rrethinat e tyre për cilësi më të mirë të jetesës”, tha Hydaverdi.

Leutrim Retkoceri nga PDK-ja, tha se tek plani i mobilitetit më shumë po i jepet hapësirë këmbësorëve se sa veturave.

 “Mirë që u bë plani i mobilitetit tek parkingjet jam kurioz me pa se si është bërë tek plani sepse parkingjet shpresoj ta zgjidh problemin ky plan dhe auto-parkingu në Prishtinë nuk është funksionalizuar, tek ky tekst shihet se më shumë do i jepet rëndësi këmbësorëve se sa veturave, rruga Luan Haradinaj dhe gjitha rrugët në qendër duhet të ketë rregull edhe për këmbësor nuk munden ata me dal”, tha Retkoceri.

Bashota tha se me këtë plan synohet që të rregullohet trafiku urban dhe për këtë do ketë zgjidhje edhe për parkingje të veturave.

“Projekti i parkingjeve te fakulteti filologjik është në fund procedurave dhe besoj se brenda muajve do filloj me kompaninë që e fiton kontratën dhe do bëjmë një rregullore të plotë për parkingjet private që duhet të rregullohen me një standard me kriteret që duhen dhe duhet edhe çmimet të i harmonizojnë me Prishtina Parking”, tha Bashota.

Të ngjashme