E plotësuar: Kuvendi ka miratuar me 66 vota për, formimin e komisionit Ad Hoc të propozuar nga deputeti Bilall Sherifi, për gjykimin e krimeve të luftës nga shteti serb ndaj popullit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Pak ditë pasi Kryeparlamentari Kadri Veseli paralajmëroi inicimin e formimit të një Gjykate Speciale për krimet dhe gjenocidin e Serbisë në Kosovë, Kuvendi i Kosovës nisi procedurat ligjore për forimin e një komisioni ad-hoc i cili do të bëjë hapat konkret për të propozuar nisnat ligjore për këtë çështje.
Javën e kaluar, gjatë shënimit të përvjeyorit të 20-të të krimeve në Lubizhdë të Hasit, kryparlamentari Kadri Veseli deklaroi se bashkësia ndërkombëtare duhet të mbështesë idenë e tij për formimin e Gjykatës Speciale për gjykimin e krimeve dhe masakrave që forcat paramilitare serbe i kanë kryetar në Kosovë.
Kurse sot Grupet Parlamentare propozuan anëtarët për këtë komision.
Avdullah Hoti nga LDK-ja propozoi Armend Zemaj si përfaqësues të komisionit.
“Shpresoj se nxjerrim një rezolutë të pranueshme për të gjithë deputetët e Kuvendit”.
Memli Krasniqi nga PDK-ja propozoi përfaqësues Mërgim Lushtaku.
Albulena Haxhiu nga VV-ja propozoi përfaqësuesen Saranda Bogujevci.
“Përfaqësuesja do ti japë të gjitha propozimet tona të shkruara. Jemi dëshmitar që as EULEX-i, as UNMIK-u nuk e kanë pasë as minimumin e vullnetit për të adresuar problemet e kryera nga Serbia”.
“Ne insistojmë që të ketë një gjykatë vendase dhe qëndrimet tjera do t’i adresojmë në këtë komision”.
Teuta Haxhiu nga AAK-ja propozoi përfaqësues Muharrem Nitajn.
“Është e rëndësishme që Kuvendi të flet më një zë përmes një rezolute”.
Shqipe Pantina nga PSD-ja propozoi Aida Dërgutin.
Albert Kinolli nga 6+ propozoi si përfaqësues Danush Ademi.
“Pas 20 viteve pas luftës ky hap është i qëlluar edhe pse pak i vonuar”, tha ai.
Sherifi propozon komision Ad Hoc dhe rezolutë për krimet e luftës
Kuvendi i Kosovës pas një ore vonesë ka filluar seancën plenare. Në rend dite janë 44 pika të papërfunduara nga seancat e kaluara, raporton Ekonomia Online.
Deputeti i Nismas, Bilall Sherifi, pati një propozim që të krijohet një komision ad hoc për krimet e luftës dhe të nxjerrët një rezolutë nga ajo.
“Duke pasë parasysh deklarimet e partive politike lidhur me sanksionimin e krimit të gjenocidit nga Serbia, nga shteti, ushtria nga gjitha segmentet e Serbisë në Kosovë mendoj që është koha të krijojmë një komision ad hoc nga kuvendi dhe të gjitha deklarimet të partive to shkrijmë në një rezolutë të përbashkët”, tha Sherifi.
“…Që nga e premtja kam pasë kontakte edhe me parti politike të cilat në parim kanë thënë se jemi dakord të filloj një proces i tillë dhe në mbështetje edhe të kryetarit që të filloj ky proces dhe në komision të gjitha partitë do dërgojnë përfaqësuesit e tyre që ta bëjnë një rezolutë”.
“Unë kam një propozim për rezolutë. Kërkoj mirëkuptim dhe mbështetje që sot në këtë seancë grupet parlamentare të dërgojnë nga një përfaqësues dhe të krijohet komisioni”.
Sherifi, tha se ky model është marrë nga Parlamenti Evropian në lidhje me rezolutën që e kanë miratuar për Srebrenicën.
“Për model është marrë rezoluta rezoluta e Parlamentit Evropian që kanë miratuar për Srebrenicën. Unë mendoj dhe besoj që edhe në kuvend tonë dhe jashtë mund të kemi ekspertët që mund të na ndihmojnë por modeli i Parlamentit Evropian duhet të jetë i mjaftueshëm”.
“Rezoluta do përdoret pastaj si bazë që do derivojnë të gjitha aktet tjera. Për të dënuar këtë krim të gjenocidit, për të miratuar ligje”, tha ai, raporton EO.