Kuvendi Komunal i Rahovecit ka mbajtur mbledhjen e gjashtë të rregullt për vitin 2026, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar një numër vendimesh që lidhen me buxhetin, pronat komunale, trashëgiminë kulturore dhe çështje të tjera me interes për komunën.
Mbledhja u drejtua nga kryesuesi i Kuvendit, Fatmir Iska, ndërsa në rend dite ishin gjithsej 16 pika.
Ndër vendimet kryesore të miratuara ishte Korniza Afatmesme Buxhetore (KAB) për periudhën 2027-2029, si dhe Plani për Trashëgiminë Kulturore 2026-2029. Kuvendarët miratuan gjithashtu disa vendime për dhënien në shfrytëzim të pronave komunale, formimin e komisioneve për zbatimin e procedurave për këto prona, mbulimin e shpenzimeve të varrimit për vitin 2026 dhe shpalljen me interes të përgjithshëm publik të një parcele në Rahovec.
Sipas njoftimit të Komunës, pas diskutimeve në seancë, pothuajse të gjitha pikat e rendit të ditës u miratuan.
“Pas diskutimeve të shumta konstruktive, të gjitha pikat e rendit të ditës u votuan nga anëtarët e kuvendit, disa me shumicë votash dhe disa unanimisht”, thuhet në njoftim.
Komuna bëri të ditur se pika e shtatë e rendit të ditës është shfuqizuar, ndërsa është marrë një vendim i ri lidhur me lokalet afariste te palestra.
“Pika e 7 e rendit të ditës është shfuqizuar. Ndërkohë, me votë unanime, vendimi për dhënien në shfrytëzim të lokaleve të palestrës është ndarë në dy vendime. Vendimi i parë i përfshin pesë lokale, ndërsa vendimi tjetër një lokal. Komisioni për të dy vendimet mbetet i njëjtë”, thuhet në njoftim.
Në mbledhje u shqyrtua edhe raporti gjashtëmujor i punës së kryetarit të komunës, informata e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) për periudhën janar-qershor 2026, si dhe u zhvillua sesioni i pyetjeve dhe diskutimeve të kuvendarëve.
Komuna e Rahovecit njoftoi se procesverbali i seancës do të publikohet në ueb-faqen zyrtare pas përgatitjes nga Sekretaria e Kuvendit, ndërsa qytetarët do të kenë në dispozicion edhe video-incizimin e plotë të mbledhjes.
