Kuvendi lanson sistemin elektronik për përcjelljen e legjislacionit

Prishtinë | 09 Nën 2017 | 15:11 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kuvendi i Kosovës ka lansuar sot Sistemin Elektronik për Përcjelljen e Legjislacionit (LTS), i cili u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt arritjes së standardeve ndërkombëtare për transparencë parlamentare.

Hapjen e ceremonisë e bëri sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi, i cili dha një pasqyrë të procesit të krijimit të kësaj platforme, si një hap i rëndësishëm i kultivimit të mëtejmë të transparencës së Kuvendit dhe lehtësimit të qasjes së publikut në punën legjislative.

Kjo platformë, e vendosur në ueb-faqen zyrtare të Kuvendit, iu ofron organizatave të shoqërisë civile, qytetarëve dhe medieve qasje në të gjitha informatat dhe dokumentet që ndërlidhen me projektligjet që janë në shqyrtim në Kuvend.

Duke pasur qasje në informatat dhe dokumentet relevante gjatë secilës fazë të procesit ligjvënës, ata do të mund të përcjellin ndryshimet dhe plotësimet e propozuara në projektligje, dhe të adresojnë shqetësimet dhe kërkesat e tyre, duke siguruar kështu që ligjet e miratuara nga Kuvendit të pasqyrojnë drejt interesin publik.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, në fjalën e tij, rritjen e transparencës dhe përgjegjshmërisë së institucionit ndaj qytetarëve e konsideroi një nga prioritetet kryesore të punës së tij. Ai tha se ka qenë dhe vazhdon të mbetet promovues i zellshëm i qeverisjes elektronike në kuadër të së cilës hyn ky projekt.

“Mekanizmi teknologjik që përurojmë sot faktikisht shënon një hap të rëndësishëm drejt shtimit të transparencës dhe llogaridhënies në punën e Kuvendit. Ai do të pasqyrojë më mirë punën dhe angazhimin e deputetëve dhe zyrtarëve të Administratës së Kuvendit, në procesin e shqyrtimit dhe amendamentimit të projektligjeve. Ky sistem elektronik do t’iu mundësojë qytetarëve, medieve, grupeve të interesit dhe shoqërisë civile që në kohë reale të sigurojnë qasje në të gjitha dokumentet që ndërlidhen me projektligjet që janë në shqyrtim”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Ai shtoi se ky sistem është dëshmi se administrata orientohet duke vënë në qendër qytetarin, duke siguruar qasje e shërbime online 24 orë në ditë, 7 ditë të javës.

Me anë të këtij sistemi, shtoi kryetari Veseli, puna e Kuvendit të Kosovës bëhet më transparente dhe e hapur, rritet si përgjegjshmëria ndaj qytetarëve ashtu edhe pjesëmarrja e tyre në proceset legjislative. Veseli garantoi ndërmarrjen e nismave të tjera që do të shtojnë informimin dhe qasjen e publikut në punimet e Kuvendit.

Kreu i Kuvendit falënderoi anëtarët e Forumit për Transparencë Parlamentare, zyrtarët e Administratës së Kuvendit, USAID-in dhe ekipin e NDI-së, për angazhimin e palodhshëm dhe mbështetjen në realizimin e këtij projekti.

Sistemit elektronik për përcjelljen e legjislacionit është realizuar në bashkëpunim me Institutin Kombëtar Demokratik (NDI), me mbështetjen e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

Drejtori i përgjithshëm i USAID-it në Kosovë, James Hope, tha se ky sistem përcjell në vete frymën e transparencës dhe hapjes, duke e bërë qytetarin pjesë të procesit të ligjvënies, gjë e cila, sipas tij, e bën sistemin shumë të rëndësishëm.

Hope tha se kjo ky sistem është një shembull i prekshëm i përparimit, i cili do të ketë një efekt të drejtpërdrejtë në procesin ligjvënës dhe do të shërbejë si stimulim brenda Kuvendit.

“Ky sistem përfaqëson një mundësi për Kuvendin që t’i përgjigjet sa më mirë qytetarëve”, theksoi drejtori i USAID-it, James Hope.

Në fund, koordinatori i Komisionit për Legjislacion, Visar Krasniqi, demonstroi në mënyrë praktikë mënyrën e funksionit të kësaj platforme.

Të ngjashme