Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka prezantuar gjetjet kryesore nga monitorimi i punës së Kuvendit gjatë sesionit pranveror 2020 dhe vlerësimin lidhur me performancën e Kuvendit gjatë këtij sesioni, raporton Ekonomia Online.
Euegen Cakolli nga KDI-ja, tha se mbyllja e punimeve të sesionit pranveror në kohën kur vendi gjendje në krizë ekonomike dhe shëndetësore, është gabim.
Sipas tij, puna në këtë periudhë veç se ka qenë minimale dhe se performanca ka qenë në nivelin zero.
Në këtë periudhë ai ka bërë të ditur se Kuvendi ka miratuar vetëm 10 projektligje ose 7% të projektligjeve të përfshira në agjendën legjislative të Qeverisë, ku janë përfshirë 138 sosh.
Në shqyrtim në komisione janë edhe tetë projektligje dhe 87% e tyre ende nuk janë proceduar nga Qeveria për në Kuvend.
“Ndonëse Kuvendi nuk ka miratuar planin e punës, bazuar në planin legjislativ të qeverisë dhe projektligjet e iniciuara nga vet deputetët, agjenda legjislative e Kuvendit përfshin gjithsej 138 projektligje. Gjatë sesionit pranveror, Kuvendi ka arritur që të miratojë vetëm 10 projektligje apo 7% të numrit të përgjithshëm të projektligjeve të planifikuara”.
“Në komisionet parlamentare, në procedurë për shqyrtim janë edhe 8 projektligje (6%). Ndërsa, 120 projektligje (87%) nuk janë proceduar ende në Kuvend nga Qeveria. Nga 10 ligjet e miratuara, nëntë prej tyre kanë të bëj me menaxhimin e pandemisë dhe rimëkëmbjen ekonomike. Për shkak të emergjencës, Kuvendi ka shqyrtuar me procedurë të përshpejtuar pesë nga 10 ligjet e miratuara”.
Sipas tij, mungesa e kuorumit në votim vazhdon të mbetet një prej sfidave kryesore të Kuvendit, edhe gjatë kësaj legjislature.
“Në mungesë të votave të 2/3 së deputetëve, pesë marrëveshje ndërkombëtare u ratifikuar vetëm pas tentativës së tretë dhe një muaj pasi ishin prezantuar para deputetëve në seancë”.
Cakolli deklaroi që ky sesion u karakterizua edhe me përdorim të shpeshtë të gjuhës dhe sjelljeve joparlamentare nga ana e deputetëve gjatë diskutimeve, duke penguar kështu mbarëvajtjen e punimeve si në seanca ashtu edhe në mbledhje të komisioneve, ku në dy raste kishte pasur ndërprerje të punimeve për shkak të situatave të krijuara.
Por ai tha se ka pasur edhe zhvillime pozitive. Sipas Cakollit, është vërejtur përmirësim në mënyrën e organizimit të punimeve plenare dhe mbledhjeve të Kryesisë bazuar në Rregulloren e Punës, si dhe në numrin relativisht të madh i nismave ligjore të deputetëve.
Po ashtu, zhvillime pozitive janë shënuar edhe në ruajtjen dhe shpenzimin më racional të parasë publike, pas vendimit të Kryesisë për reduktimin e shpenzimeve telefonike.
“Sa i përket transparencës financiare, për periudhën raportuese, Kuvendi ka miratuar dhe publikuar vetëm raportin financiar për tre mujorin e parë të këtij viti. Në bazë të këtij raporti, deputetët kanë realizuar vetëm 16 udhëtime jashtë vendit me rreth 12 mijë euro shpenzime. Ky numër i vogël i udhëtimeve vjen për shkak të situatës me pandeminë që i ka pezulluar edhe aktivitetet në fushën e diplomacisë parlamentare”.
“Janë mbajtur gjithsej 24 seanca, pesë prej të cilave nuk kanë arritur të përmbyllen për shkak të mungesës së kuorumit për t’iu dhënë epilog edhe gjashtë pikave të mbetura nga këto seanca. Nga 24 seanca të mbajtura, 13 prej tyre janë plenare, 7 të jashtëzakonshme dhe 4 solemne, ndërkaq në 11 raste ato kanë vazhduar për një ditë tjetër për shkak të mungesës së kuorumit në votim”.
“Gjatë sesionit pranveror, komisionet parlamentare kanë realizuar gjithsej 145 mbledhje, prej të cilave 10 në mënyrë virtuale, si dhe është zhvilluar vetëm një dëgjim publik. Mbledhjet e mbajtura në mënyrë virtuale, kanë qenë të mbyllura për mediat dhe publikun, që ka pamundësuar monitorimin e agjendës dhe vendimmarrjes së tyre.
“Gjatë këtij sesioni, kanë dominuar debatet parlamentare, me gjithsej gjashtë të tilla, tri prej të cilave nuk janë përmbyllur për shkak të mungesës së kuorumit për të votuar rezolutat apo rekomandimet e nxjerra nga ato debate. Në anën tjetër, Kuvendi ka miratuar gjithsej tri rezoluta, duke përfshirë atë për dialogun Kosovë–Serbi, për të drejtat e pensionistëve kontributdhënës dhe si dhe rezolutën për unitetin politik për mbrojtjen e vlerave të popullit të Kosovës që erdhi pas publikimit të propozim-aktakuzave të para për krime lufte nga Gjykata Speciale”.
“Dialogu Kosovë-Serbi, u diskutua në 11 prej seancave të mbajtura, ndërsa, si pikë e rendit të ditës, dialogu ishte në gjashtë prej tyre. Nga gjithsej gjashtë debatet parlamentare, tri prej tyre ishin lidhur me dialogun. Interpelanca e vetme e mbajtur, ishte për çështjen e dialogut, përkatësisht me heqjen e masave të reciprocitetit nga Qeveria ‘Hoti’. Një prej rezolutave të miratuara ishte lidhur me dialogun. Një prej dy raportimeve të kryeministrit Hoti ishte lidhur me dialogun. Dy prej pyetjeve parlamentare të parashtruara nga deputetët, ishin lidhur me dialogun. Dialogu si temë është ngritur në 18 mbledhje të komisioneve parlamentare, ndërsa në një prej tyre ka qenë edhe pjesë e rendit të ditës. Dy prej raportimeve të ministrave në komisione, kanë trajtuar edhe çështjen e dialogut”.