“Lajm i rremë i papranueshëm” – Pogba reagon ndaj spekulimeve se po tërhiqet nga Franca

Prishtinë | 26 Tet 2020 | 15:46 | Nga Ekonomia Online

Paul Pogba ka reaguar ndaj spekulimeve se planifikon të tërhiqet nga kombëtarja e Francës duke i etiketuar raportimet si ‘lajme të rrejshme’.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, e ka përshkruar vrasjen e Samuel Paty si një “sulm terrorist islamik” duke shtuar se “uniteti dhe vendosmëria janë përgjigjet e vetme ndaj monstruozitetit të terrorizmit islamik”.

Gjatë ditës së hënë media nga Lindja e Mesme raportuan se Pogba – i cili është konvertuar në islam dhe e ka vizituar Mekën – është tërhequr nga Les Bleus pas komenteve të Macron.

Mirëpo, mesfushori i Manchester United ka reaguar përmes rrjeteve sociale duke iu referuar publikimit të tablodit The Sun, me mbishkrimin “Lajm i rremë i papranueshëm”, për të thënë se asgjë nga ajo që është raportuar nuk është e vërtetë.

“Absolutisht 100 për qind lajm i pabazuar po qarkullon për mua, duke pohuar gjëra që nuk i kam thënë e as menduar kurrë”.

“Jam i tmerruar, i zemëruar, i tronditur dhe i irrituar që disa ‘burime’ të mediave më shfrytëzojnë mua për të bërë kryetituj krejtësisht të rremë në temën e ndjeshme të ngjarjeve aktuale në Francë dhe duke e vënë ekipin kombëtar francez në qendër të vëmendjes”, ka shkruar Pogba.

Më tej, ai ka theksuar se është kundër çfarëdo forme të terrorit dhe dhunës, ndërsa ka shtuar se do të ngrejë padi ndaj publikuesve dhe shpërndarësve të këtij lajmi të rremë.

Të ngjashme