Lansohet dokumentari “Zërat e Resiliencës” për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë

Prishtinë | 19 Qer 2026 | 11:59 | Nga Ekonomia Online

Për nder të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt “Medica Gjakova” ka lansuar video-dokumentarin sensibilizues “Zërat e Resiliencës”, raporton Ekonomia Online.

Drejtoresha e “Medica Gjakova”, Mirlinda Sada u shpreh se gjatë punës prej më shumë së dy dekadash kanë dëgjuar histori të dhunës seksuale, e që sipas saj janë shumë të dhimbshme.

“Për Kosovën, kjo ditë ka një domethënie të veçantë. Pas saj qëndrojnë mijëra histori të grave dhe burrave që sot bartin pasojat e saj, që kanë përjetuar gjatë luftës. Gjatë më shumë se dy dekadave të punës sonë me “Medica Gjakova”, kemi dëgjuar shumë histori të dhimbshme. Por kemi pasur edhe diçka shumë më të fortë, guximin për të vazhduar jetën, për të mos u dorëzuar dhe për të gjetur shpresë edhe pas përvojave shumë të rënda që kanë kaluar”, ka thënë ajo.

“Pikërisht për këtë flet dokumentari i zërit të reziliencës, të cilin sapo e pamë. Ai flet për njerëz që kanë përjetuar dhimbje të mëdha, por që kanë gjetur forcën dhe guximin të ecin përpara. Flet për dinjitetin, shpresën dhe të drejtën e secilit për t’u dëgjuar dhe respektuar.

Në dokumentarin që pamë sot, të mbijetuarat flasin me fytyrë të mbyllur dhe me zë të ndryshuar. Kjo na tregon se ende nuk kemi arritur aty ku duhet ne si shoqëri. Ende ka frikë, ende ka paragjykime, ende ka heshtje.

Prandaj është përgjegjësi e të gjithë neve të vazhdojmë të luftojmë stigmën, të ndërtojmë një shoqëri ku çdo i mbijetuar ndihet i sigurt dhe i respektuar, edhe i pranuar. Për ne, në “Medica Gjakova”, kjo punë nuk është vetëm punë. Është një mision që vazhdon çdo ditë. Sepse pas çdo dere që hapet, pas çdo bisede, pas çdo kërkese për ndihmë, është një i mbijetuar që kërkon të dëgjohet, të kuptohet dhe të mos mbetet vetëm”, tha Sada.

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se dokumentari përveç se është nëj prodhim filmi, paraqet edhe një hapësirë ku zëri kthehet në dëshmi.

“Në këtë muaj të kujtesës dhe të nderimit kur Kosova shënon përvjetorin e lirisë së saj dhe përkujton sakrificën e të gjithë atyre që bartën plagët më të rënda të luftës, jemi mbledhur sot për të lansuar dhe për të bërë lansimin publik të dokumentarit “Zërat e Qëndresës”, si një akt i dinjitetit, si një akt i kujtesës, si një akt i përgjegjësisë ndaj të vërtetës sonë historike. Ky dokumentar, përveçse është një prodhim filmi, paraqet edhe një hapësirë ku zëri kthehet në dëshmi, ku kujtesa merr formë njerëzore dhe ku e vërteta del përtej heshtjes. Është një kujtesë e gjallë, sepse pas çdo historie ka një jetë, ka një familje, ka një plagë, por ka edhe një forcë të jashtëzakonshme për të vazhduar më tutje. Të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës bartin një pjesë shumë të rëndë të historisë sonë. Por ata dhe ato nuk janë vetëm dëshmi e dhimbjes. Ata janë dëshmi e forcës, e qëndresës dhe e dinjitetit njerëzor përballë padrejtësive të mëdha”, tha ajo.

“Prandaj sot, përmes zërave të qëndresës, këtë kujtesë po e sjellim në hapësirën publike në një formë tjetër: përmes zërit, përmes pamjes, rrëfimit dhe përmes dëshmisë.

Ky dokumentar i fton qytetarët të dëgjojnë me kujdes, shoqërinë të reflektojë me përgjegjësi, dhe gjeneratat e reja të mësojnë mbi të vërtetën e Kosovës me dinjitet dhe respekt.

Të dashura të mbijetuar, të dashur të mbijetuar, ju nuk jeni vetëm pjesë e historisë së dhimbjes sonë. Ju jeni pjesë e historisë së forcës sonë. Ju nuk jeni arsye për të heshtur dhe asnjëherë nuk keni pasur arsye për heshtje. Ju jeni arsye që ne të flasim më qartë, të veprojmë më drejt dhe të kujtojmë me më shumë përgjegjësi.

Ky dokumentar që pamë sot është edhe një mesazh për gjeneratat e reja. Ato duhet ta njohin këtë histori, jo për të trashëguar dhimbje, por për të trashëguar vetëdije; jo për t’u rritur dhe për t’u rritur me urrejtje, por për t’u rritur me kuptim të thellë të lirisë, të paqes dhe të dinjitetit njerëzor”, tha Jahjaga.

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Jarmo Helppikangas tha se një dokumentar i tillë i cili është i qasshëm për të gjithë është shumë i rëndësishëm.

“Pavarësisht sa herë i kam lexuar këto histori, t’i dëgjosh zërat dhe t’i paraqesësh në këtë lloj formati, që është i qasshëm për të gjithë, është jashtëzakonisht e rëndësishme. Nuk mund ta theksoj sa e sa e rëndësishme është kjo. Dhe unë, ashtu siç e kam thënë gjithmonë në këtë kontekst, mendoj se ata që kanë mbijetuar dhunën janë heronjtë e vërtetë në këtë histori. Nuk është një zgjedhje personale të jesh viktimë e një agresori që ka një fuqi dërrmuese pas vetes. Prandaj, ky mbetet mesazhi im: mos guxoni kurrë të mendoni se jeni në çfarëdo mënyre fajtorë. Fajtori është agresori, ndërsa ju, ju keni mbijetuar ju jeni heronjtë. Kjo është qasja që duhet ta marrim. Dhe, në emër të institucionit që përfaqësoj, ne duam të vazhdojmë këtë punë së bashku me ju. Roli që ju keni në këtë drejtim është i pazëvendësueshëm. Nuk mund të gjendet një mënyrë tjetër, nuk mund të gjendet një institucion shtetëror që do të punonte kaq intensivisht për këtë kauzë. Kjo është diçka që duhet ta respektojmë dhe ta mbështesim në çdo hap, jo vetëm këtë javë, por gjatë gjithë vitit dhe në vitet që vijnë”, tha Helppikangas.

Kryetarja e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë, Leonora Selmani tha se janë 2500 raste që kanë aplikuar për njohjen e statusit.

“Si kryetare e Komisionit Qeveritar dhe si anëtare më herët për tetë vite me radhë, kemi pasur mundësinë, përgjegjësinë në radhë të parë, të dëgjojmë tregime të tilla si këto sot, me mijëra e me mijëra. Aktualisht i kemi 2500 raste të cilët kanë aplikuar në kuadër të komisionit dhe mund t’ju them me plot kuptimin e fjalës që asnjë përjetim nuk është i njëjtë. Dhe ne jemi të vëmendshëm që, dhe të vetëdijshëm, që gjithmonë përjetimet janë shumë më të vështira për t’i prezantuar, për t’i treguar pas një periudhe të gjatë kohore.

Puna e organizatave të shoqërisë civile, katër organizatave të cilat janë të licencuara nga Qeveria e Kosovës për t’i mbështetur viktimat, ka ndihmuar shumë që këto viktima, para se të vijnë në komision për njohje të statusit, të shprehen diku më herët. Kemi pasur shumë viktima të mbijetuar, të cilët shpeshherë në prezencën tonë e kanë thënë që “unë jam ndier shumë mirë kur për herë të parë kam biseduar me psikologun ose me psikologen në kuadër të shoqërisë civile, në kuadër të organizatave ku ato punojnë”. Sepse asnjëherë nuk është e lehtë me u shpreh, dhe shpeshherë mendoj që duhet bashkarisht të punojmë shumë që t’ia bëjmë të mundshme dhe t’u tregojmë të mbijetuarve dhe të mbijetuarve të luftës që nuk janë vetëm, siç e thanë edhe parafolësit e mi, që të gjithë këtu jemi për ta. Dhe që kurdo që ata janë në gjendje të tregojnë, të prezantojnë për punën e tyre, ne jemi të hapur për t’i pritë dhe për t’i mbështetë gjithmonë. Do ta kenë mbështetjen e institucioneve, do ta kenë mbështetjen e shoqërisë civile dhe do ta kenë mbështetjen përgjithësisë të të gjithëve”, tha Selmani.

Të ngjashme