Lansohet Fondi i Inovacionit për financimin e NVM-ve deri në 50 mijë €

Prishtinë | 17 Qer 2019 | 12:12 | Nga Nexhmie Hyseni Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qendra e Inovacionit të Kosovës (ICK), në bashkëpunim me Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe organizatën gjermane GIZ, lansuan të hënën edicionin e dytë të Fondit të Inovacionit.

Nëpërmjet këtij fondi, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme mund përfitojnë deri në 50 000 euro.

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ka thënë se edicioni i dytë i Fondit të Inovacionit ofron përkrahje të drejtpërdrejtë dhe më të madhe për sektorin privat.

Sipas tij, krahas ndihmës financiare, duhet të ndërtohen edhe mekanizma për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm. “Ne dhe GIZ-i, kemi ndërtuar një partneritet strategjik, pasi që kemi vizionin dhe besimin e njëjtë, se vendi jonë ka potencial për avancim të mëtutjeshëm të sektorit të prodhimit dhe TIK-ut”, tha ministri Beqaj.

Ai tha se qëllimi i Fondit të Inovacionit është zhvillimi i kompanive dhe përkrahja e eksporteve. “Ky është edicioni i dytë i Fondit të Inovacionit. Vitin e kaluar kemi financuar, bazuar në ekspertizën e pavarur të vlerësimit, pesë kompani të suksesshme, tek të cilat kemi arritur të ndikojmë drejtpërdrejtë në promovimin e tyre në tregjet ndërkombëtare”, tha ministri Beqaj.

Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarërsisë, sipas tij, do t’i mbulojë rreziqet nga investimet e ideve të ndërmarrësve të rinj.

“E rëndësishme është që të mos dorëzoheni në planet tuaja për të krijuar vende pune, për të prodhuar, për të përmirësuar shërbimet, për të eksportuar. Nxitja e shpirtit ndërmarrës, na ndihmon shumë në arritjen e objektivave dhe përballje me sfidat nëpër të cilat po kalon e gjithë bota”, theksoi ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj.

“Rritja e sektorit inovativ ka treguar që mund të këtë baza themelore për krijimin e identitetit ekonomik të Kosovës. Ne ende s’kemi identitet të plotë ekonomik”.

Fondi i Inovacionit, është bashkëfinancim i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarërsisë dhe GIZ-it, nëpërmjet Projektit CETEP i cili implementohet nga ICK-ja.

Uranik Begu, drejtor Ekzekutiv i ICK-së, prezantoi para të pranishmëve programin dhe kushtet e aplikimit.

“Në bashkëpunim me GIZ-in kemi bërë një punë të mirë. Po shpresojmë që ky fond të jetë edhe katalizator i investimeve të jashtme, sepse ne të njëjtën kohë rritet eksporti”, tha Begu, raporton Ekonomia Online.

“Çdo aplikim duhet me qene më limitin e 50 000 eurove. Nuk është e domosdoshme të aplikoni për 50 000 euro, mundeni edhe me shuma të tjera. Janë tri cikle; e para tash ka ndodhur, e dyta është tani, ndërsa e treta do të jetë vitin e ardhshëm. Thirrjet e aplikantëve do të jenë të monitoruara”, tha ai.

Ottilie Mushoofer nga GIZ-i është shprehur se ky është një projekt i mirë dhe ftoi të gjithë të aplikojnë.

“Dua t’i kushtoni vëmendje edhe projektit që kemi bërë storie sa i përzër suksesit që mbron ndërmarrësin dhe inovacionit. Ju dëshiroj fat atyre që aplikojnë”.

Për të përfituar nga ky projekt, bizneset duhet të jenë të regjistruara në Kosovë, duhet dëshmuar se kanë së paku 3 vjet që funksionojnë, dëshmi që s’kanë obligime të pashlyera ndaj shtetit, dëshmi për eksport, dëshmi për bashkëpunim ndërkombëtar etj.

Bizneset që kanë qenë përfitues më herët nga Ministria e Inovacionit ose GIZ-i përjashtohen nga lista për t’u zgjedhur. Aplikimi duhet të bëhet deri më 7 korrik 2019.

Të ngjashme