Lansohet platforma elektronike “Investometri” në komunën e Prishtinës

Prishtinë | 27 Pri 2017 | 16:48 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Organizata INDEP ka lansuar platformën e re elektronike “Investometri”, me qëllim që qytetarët të informohen më në detaje për investimet kapitale në komunën e tyre.

Ky instrument krijon një pasqyrë të përgjithshme të orientimeve të komunës për këto investime me qëllim që të bëjë atë pjesëmarrës në monitorim të realizimit të zbatimit të tyre, raporton Ekonomia Online.

Hysen Durmishi, Drejtor i Drejtorisë për Infrastrukturë në Prishtinë, tha se ky projekt do ta rris transparencën e institucioneve në nivel shumë më të lartë se sa ka qenë deri tash.

“Ne si komunë jemi munduar që vazhdimisht ta rrisim transparencën në komunën tonë përmes diskutimeve publike, si dhe takimet me qytetarët me të cilët kemi diskutuar për problemet që janë në bashkësi lokale dhe jemi munduar t’i realizojmë ato edhe pse kërkesat janë shumë më të mëdha se sa ka kapacitet komuna”, tha Durmishi.

Ai ka theksuar se ka munguar bashkëpunimi me nivelin qendror.

“Ministria e Infrastrukturës nuk ka investuar asnjë cent në komunën e Prishtinës vitet e kaluara, dhe ne kemi pasur vështirësi në realizimin e kërkesave” ka thënë ai.

“Në vitin 2015 kemi realizuar 15 milionë euro investime kapitale dhe në 2016-ën. Këtë vit kemi vetëm 8  i milion euro buxhet. Buxheti është planifikuar për 22 milionë, por sigurisht që kjo varet nga të hyrat që do të realizohen. Çështja kryesore është mungesa e buxhetit” ka thënë ai.

Ai theksoi se fatmirësisht këtë vit Ministria e Infrastrukturës ka filluar disa investime dhe shpresojnë që kjo do të mund të ndihmojë qytetarët e Prishtinës.

Dardan Abazi nga INDEP-i, gjatë prezantimit të kësaj platforme tha se është parë e nevojshme që të krijohet një platformë e tillë në mënyrë që qytetarët të kenë më të thjesht të dinë se si po zhvillohen investimet kapitale në komunën e tyre.

“Në Investometër janë të paraqitura informata në lidhje me fillimin e punimeve, kohën e planifikuar të përfundimit të tyre dhe nëse projektet janë kryer me kohë ose jo” ka thënë ai.

Ky instrument, sipas tij, ka filluar të përdoret në katër komuna të Kosovës: Obiliq, Drenas, Prishtinë dhe Fushë Kosovë.

Të ngjashme