Lansohet programi për kompensimin e viktimave të krimit

Prishtinë | 22 Maj 2017 | 11:46 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Drejtësisë e mbështetur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka bërë “Lansimin e Programit për Kompensimin e Viktimave  të Krimit”, i cili mundëson kompensimin financiar të viktimave të krimeve të dhunshme.

Ky program u vlerësua i rëndësishëm për zhvillimin e drejtësisë, sepse viktimat me këtë mund të kërkojnë të drejtat e tyre, raporton Ekonomia Online.

Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Dhurata Hoxha, tha se programi që po e lansojnë sot ju garanton kompensim viktimave.

“Kjo ditë mund të shënohet si ditë e shënuar për drejtësinë kosovare. Përmes këtij programi viktimave iu mundësohet realizimi i së drejtës së tyre”, ka thënë ajo.

Sipas Hoxhës të flasësh për viktimat e krimit nuk është çështje e lehtë dhe vuajtja e tyre na prek të gjithëve.

“Na takon të solidarizohemi me këto viktima dhe duke u kujdesur që këto mos të mbesin vetëm. Si përgjegjës të institucioneve duhet të marrim të gjitha masat që t’i mbrojmë viktimat e krimit. Çdo viktimë e krimit do ta ketë përkrahjen tonë institucionale dhe njerëzore. Ndëshkimi dhe zëri kundër së keqes mund t’ju ndihmojë atyre”, ka thënë ministrja Hoxha.

Programi të cilin po e lansojmë sot, ju garanton mundësi për kompensim viktimave të krimit, përkatësisht viktimave të veprave penale si: vrasja; trafikimi me njerëz;  dhunimi;  keqpërdorimi seksual i fëmijëve; si dhe veprat penale që bien brenda përkufizimit të dhunës në familje sipas Ligjit për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje”, tha ministrja Hoxha.

Ajo ka porositur të gjitha viktimat që t’i drejtohen komisionit, i cili do t’iu ndihmon viktimave.

“ E drejta për të parashtruar kërkesë për kompensim nga programi i kompensimit të viktimave po fillon, andaj inkurajoj viktimat e veprave penale të cekura më lartë për të cilat ka përfunduar procesi gjyqësor me aktgjykim të plotfuqishëm nga 30 qershori i vitit 2016, t’i drejtoheni Komisionit për Kompensim të Viktimave”, tha Hoxha.

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Greg Delawie ka thënë se përmirësimi i sundimit të ligjit është një gjë me rëndësi.

“Ky program është hap i rëndësishëm për zhvillimin e drejtësisë, sepse viktimat me këtë mund të kërkojnë të drejtat e tyre. Është e domosdoshme që programi të përfshihet në buxhet për t’u siguruar që ky program të jetë funskional edhe në të ardhmen”, ka thënë ai.

Sipas tij, kompensimi dhe siguria e tyre janë të domosdoshme.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës Nehat Idrizi tha se kjo çështje preokupon vëmendjen e publikut në përgjithësi.

“Lansimi i kësaj përben përpjekjen e parë institucionale dhe përben një lajm të mirëpritur për të gjithë. Të qenit viktimë e krimit dëmton shëndetin shpirtëror dhe emocional. Përtej rolit tradicional të familjes është përgjegjësi e jona që kësaj kategorie t’i japim trajtim adekuat. Në këtë drejtim duhet të krijohet një mekanizëm i besueshëm sipas vlerës dhe dëmit të shkaktuar”,ka thënë ai.

Ai ka theksuar se të gjithë një ditë mund të jemi viktimë e krimit dhe është momenti i fundit t’i kushtojnë trajtimin dinjitoz kësaj pjese të shoqërisë.

Aleksandër Lumezi kryeprokuror i shtetit tha se të drejtat e viktimave të krimit janë të drejta të garantuara me Kushtetutë dhe si të tilla duhet të mbrohen nga shteti.

“Legjislacioni parasheh një skemë të kompensimit që janë të rregulluara me Kodin e Procedurës Penale. Gjithashtu për kompensimin e tyre janë nxjerr akte nënligjore, por duhet ende të punohet”, ka thënë Lumezi.

Nesrin Lushta Kryetare e Komisionit për Kompensimin e Viktimave tha se si Komision kemi bërë një punë me përkushtim të madh.

“Viktima është subjekt mjaftë i ndishëm në procedurën penale të cilit pa fajin e tij i është dëmtuar ndonjëherë jeta, shëndeti e pasuria. I dëmtuari është person i cili si ineteres primar e ka kompensimin e asaj që i është marrë”, ka thënë ajo.

Të ngjashme