Në lokalet e Qendrës Rinore SHL-Kosova, në qytetin e Rahovecit sot u organizua debat me tema Siguria në Shkolla, Cilësia në Arsim, Aktivizimi i të rinjve dhe përmirësimin e gjendjes së përgjithshme për aktivizimin rinor. Në debat të pranishëm ishin Smajl Latifi, kryetar i Komunës, Avni Morina drejtor i DKA-së, drejtor të shkollave të mesme dhe të shkollave fillore.
Arben Shala, ekspert në fushën e arsimit i angazhuar nga SHL-Kosova e ka vlerësuar si shumë të dobishëm organizimin e debateve për arsimin, jo vetëm në nivel komunal por edhe më gjerë. Ai poashtu ka theksuar se siguria në shkolla ngërthen në vete respektimin e protokollit të sigurisë së brendshme, por më delikat është çështja e sigurisë që duhet të ndjejnë nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit.
Ndërsa, Kryetari i Komunës së Rahovecit Smajl Latifi potencoi nevojën e rritjes së disiplinës, higjienës dhe përgjegjësinë e drejtuesve të shkollave dhe mësimdhënësve. Ndërmarrja e masave më serioze për përmirësimin e gjendjes në arsim është nevojë e ngutshme dhe ne nuk do të rrimë duarkryq, ka shtuar ndër të tjera Kryetari Latifi.
Kurse drejtorët e shkollave të mesme dhe fillore të Komunës së Rahovecit, e kanë përgëzuar SHL-Kosova për organizmin e debatit siç thanë ata me tema të cilat kontribuojnë në rritjen e organizimit dhe cilësisë së arsimit në përgjithësi.