Latifi ua tregon donatorëve nevojat e sistemit shëndetësor në Kosovë

Prishtinë | 29 Mar 2022 | 10:29 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Shëndetësisë ka mbajtur një takim me partnerët që kontribuojnë në sektorin e shëndetësisë në Kosovë, ku u diskutua për planet e MSh-së për transformimin e sektorit shëndetësor dhe projektet që janë duke u zhvilluar në shëndetësinë kosovare nga partnerët dhe agjencionet e ndryshme ndërkombëtare, raporton Ekonomia Online.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka thënë se bashkëpunimi ndërkombëtar do të jetë kyç në zhvillimin e shëndetësisë kosovare.

Latifi është fokusuar në mungesën e një qendre për trajtimin e traumave si dhe djegieve. Ai po ashtu ka folur edhe për avancimin e shërbimeve të nerukirurgjisë dhe onkologjisë, derisa ka treguar edhe për nevojën e avancimit të shërbimeve të laparaskopisë në QKUK.

“Mendova që ta kuptojmë çfarë po bëjmë secili nga ne. Kështu që mendoj që do të ishte ide e mirë të themi çfarë po kërkojmë sa i përket kujdesit shëndetësor. Dua ta quajmë ngjarje të transformimit. Ne po koncentrohemi në atë se si të mbijetojmë nga covidi. Dje ka qenë ditë e jashtëzakonshme kemi filluar operimet e parë në spitalin pediatrik. I kam vendosur disa pamje për të thënë se edhe të shtunave dhe të dielave ekipi ka punuar shumë. Ka qenë dhurata më e mirë për fëmijët e Kosovës. Kam futur ndërhyrjet që duhet t’i bëjmë dhe disa janë në proces”.

“Janë 21 ligje me të cilat jemi duke u marrë. Bashkëpunimi ndërkombëtar do të jetë kyç dhe duhet të shtjellojë të gjitha proceset. Duhet ta përmirësojmë infrastrukturën, duhet ta përmirësojmë uljen e shkallës së infektimit por nuk kemi bërë shumë në këtë aspekt. Përmirësimi i infrastrukturës është çështja kryesore por duhet ta përmirësojmë menaxhimin”.

Më pas, Ministri Latifi prezantoi shtatë shtyllat e programit të tij për transformimin e shëndetësisë kosovare.

“Digjitalizimi i shërbimeve shëndetësore, përfshirë sigurimet shëndetësore; Kthimi i “trurit” të humbur dhe ruajtja e trurit shëndetësor që ekziston tani, përmes programeve konkrete në shëndetësi; Qendrat klinike të ekselencës dhe shërbimet e avancuara klinike; Kërkimet shkencore dhe krijimi i kapaciteteve hulumtuese; Proceset e akreditimit ndërkombëtar; Përmirësimi i cilësisë së shërbimeve mjekësore dhe- Decentralizimi i sistemit spitalor dhe ri-organizimi i ShSKUK/QKUK”, tha Latifi.

Ministri Latifi ka prezantuar ndërhyrjet që duhet bërë me qëllim që të arrihen rezultatet e pritura për këto shtylla që kanë për qëllim ngritjen e kapaciteteve njerëzore në shëndetësi dhe siguriumin e shërbimeve dhe kujdesit shëndetësor cilësor.

“Përmbushja e këtyre objektivave është një proces i ndërveprimit midis hallkave të sistemit shëndetësor, rritjes së përgjegjësisë dhe performancës dhe bashkëpunimit të mirë me partnerët”, tha Ministri Latifi.

Ministri Latifi e vlerësoi gjithashtu si shumë të rëndësishëm krijimin e Qendrës së Traumës si dhe avancimin e infrastrukturës dhe teknologjisë mjekësore, me qëllim që profesionistët shëndetësor të kenë kushte sa më të mira pune dhe të avancojë profesionalisht.

Massimiliano Paoluci, menaxher i vendit për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut në regjionin e Evropës dhe Azisë Qendrore i Bankës Botërore përshëndeti iniciativën e diskutimit të programit me partnerët dhe shprehu gatishmërinë e donatorëve për të kontribuar në përmirësimin e kapaciteteve dhe treguesve shëndetësor në Kosovë.

“Dua që intervenimin tim ta mbajë të shkurtër. Indeksi i kapitalit njerëzor është mundësia që një fëmijë që lind sot duhet të shfrytëzojë mundësitë që i jepen nga sistemi shëndetësor për të kontribuar në zhvillimin e shtetit në rastin e Kosovës ka 57 për qind shanca të kontribuoje në konkurrueshmërinë e vendit”.

“Në sektorin shëndetësor janë disa sfida për të cilat jemi në dijeni. Tani po shoh që jemi në situatë që do të vazhdojmë diskutimin lidhur me shëndetin. Ne jemi bankë botërore dhe kemi marrë stafetën për të bërë përpjekje lidhur me koordinimin. Ne jemi këtu si partnerë dhe jemi ne këtë rrugëtim e ku mund të kemi mendime të ngjashme në shumë fusha”, tha ai.

Në këtë takim, partnerët/donatorët kanë shpalosur projektet e tyre që janë duke i zhvilluar në shëndetësinë kosovare dhe planet për bashkëpunimin e mëtejmë.

Të ngjashme