LDK e AAK akuzojnë qeverinë se ka dështuar të parandalojë ikjen e profesionistëve shëndetësorë

Prishtinë | 28 Jan 2024 | 08:50 | Nga Flutura Sogonjeva Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) po vlerësojnë që shteti është duke dështuar që t’i mbajë në Kosovë profesionistët shëndetësorë, raporton Ekonomia Online.

Sipas deputetëve të opozitës, nëse Qeveria e Ministria e Shëndetësisë nuk ndërmarrin hapa duke hartuar plane e strategji për t’i joshur ata që të qëndrojnë në Kosovë, numri i profesionistëve shëndetësorë që do ta lëshojnë vendin do të jetë shumë i madh.

Ish-ministri i Shëndetësisë, tani deputet i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se ikja e mjekëve dhe e profesionistëve të tjerë shëndetësorë është një fatkeqësi e madhe që është duke e goditur vendin, e që është duke “e lënduar” sektorin publik shëndetësor dhe atë privat.

“Nëse nuk ka një plan, nëse nuk ka një strategji për t’i mbajtur edhe për t’i joshur në kuptimin edhe funksional, por edhe material, mjekët, profesionistët, specialistët, specializantët, mjekët e rinj, atëherë ikja do të jetë në vazhdimësi. Kjo është fatkeqësi e madhe për sektorin publik shëndetësor, por e lëndon edhe atë privat, mbi të gjitha edhe kujdesin, e shërbimet që marrin qytetarët e Kosovës”, tha ai.

Zemaj ka thënë se Qeveria e Ministria e Shëndetësisë janë duke dështuar me politikat e tyre sa i përket sektorit të shëndetësisë.

“Për fat të keq këto tri vitet e fundit kanë qenë shumë të lënduara edhe viti tash i katërt i kësaj qeverie. Në janar, kemi informacione se akoma edhe më shumë ka kërkesa për largim jashtë vendit. Ndërsa kërkesat për plotësimin e kushteve mbeten të njëjta dhe të paimplementuara nga Qeveria aktuale. Këtu janë duke dështuar politikat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë aktuale”, ka thënë ai.

Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, i cili me profesion është mjek, ka thënë se ende nuk kanë parë një strategji të mirëfilltë në drejtim të marrjes së hapave konkretë lidhur me ndalimin e ikjes së profesionistëve shëndetësorë.

Sipas të dhënave nga Oda e Mjekëve, vetëm në vitin 2023 nga vendi janë larguar 150 mjekë dhe arsyet e largimit janë kushtet jo të mira të punës dhe pagat e ulëta.

“Kjo e keqe Kosovën ka filluar ta godas që sa. Praktikisht nga viti 2021 e këndej, pra me pandeminë, në mënyrë permanente nga viti në vit shtohet numri i personelit mjekësor i cili lëshon vendin. Nuk kemi parë ndonjë strategji të mirëfilltë, e cila do ta involvojl shtetin tonë, pra Qeverinë, Ministrinë e Shëndetësisë, në drejtim të marrjes së hapave konkretë lidhur me ndalimin e këtij procesi”.

“Kemi të dhëna që vinë nga Oda Mjekëve se rreth 150 mjekë vetëm në vitin që e lamë pas, pra 2023, e kanë lëshuar Kosovën dh në fletëdeklarim ata deklarojnë arsyet pse e tërheqin licencën. Kjo nënkupton që ne duhet të veprojmë në ato pika. Pra ata i kanë cekur kryesisht dy arsye pse dalin, janë kushtet e punës dhe punësimi”, ka thënë Dreshaj.

Deputeti i Aleancës thekson se largimi i profesionistëve shëndetësorë është një keqe e madhe që po i ndodhë vendit dhe me liberalizimin e vizave, sipas tij, ekzistojnë gjasat që ky trend të rritet.

“Neve na nevojitet gjithsesi të kemi implementim të drejtpërdrejtë, involvim të shoqërisë, të MSh-së, të Qeverisë, në atë mënyrë që të ndalim këtë të keqe. Është e keqe e madhe dhe kjo pas liberalizimit vërtet ekzistojnë gjasat shumë reale që më lehte të gjejnë kontaktin punësimin, ma lehtë të kenë qasje në institucione, qofshin ato shëndetësore ose arsimore në perëndim dhe pjesa e mirë dhe pjesa më e ngritur ose e përzgjedhur e mjekëve dhe studentëve tanë ta lejnë vendin”, ka thënë Dreshaj.

Të ngjashme