Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mohuar të ketë marrëveshje për bashkëqeverisje për Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) nëpër disa komuna.
Ditët e fundit në opinion është folur për një marrëveshje sekrete në mes të PDK-së dhe LDK-së për bashkëqeverisje në Podujevë, por sipas LDK-së, sa herë që kjo parti forcohet, kundërshtarët politikë lansojnë teori të rrejshme kinse LDK-ja ka marrëveshje me PDK-në.
“I njoftojmë anëtarësinë e LDK-së dhe gjithë qytetarët e Kosovës, që të jenë të përgatitur dhe të mos bien pre e propagandës kundër LDK-së në ditët e ardhshme. Këto propaganda tregojnë frikën dhe tmerrin që kanë ata nga vullneti i qytetarëve për ndryshim dhe për dënimin e atyre që e kanë kapur shtetin dhe e kanë mbytur perspektivën për të rinjtë tanë, sikurse edhe të atyre që shërbehen me dhunë dhe propagandë ekstreme”, thuhet në qëndrimin e LDK-së.
Kjo është komunika e plotë e LDK-së:
Të nderuar qytetarë, LDK-ja u është shumë mirënjohëse për besimin që po i jepni LDK-së dhe kandidatëve të LIDHJES me qytetarët e të gjitha komunave të vendit.
Qytetarët e Republikës së Kosovës e kanë tashmë të qartë që LDK është partia e vetme në Kosovë që asnjëherë nuk është luhatur nga mbrojtja e interesave të shtetit dhe qytetarëve, dhe asnjëherë nuk është luhatur nga përkushtimi i saj për luftimin e krimit dhe korrupsionit, por edhe ruajtjes së miqësisë së përjetshme me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.
Sa herë që LDK-ja forcohet, oponentët tanë politikë lansojnë teori të rrejshme dhe konspirative kinse ne kemi marrëveshje të fshehta me PDK-në për bashkëqeverisje.
LDK-ja nuk është parti e klaneve dhe grupeve të interesit. LDK është parti me traditë që ka struktura të saj të fuqishme, vendimet e të cilave janë obligative për të gjithë ne.
Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së ka vendosur që në këtë mandat në asnjë rrethanë ne nuk hyjmë në bashkëqeverisje me PDK-në dhe këtë e kemi dëshmuar në Kuvendin e Kosovës.
I njoftojmë anëtarësinë e LDK-së dhe gjithë qytetarët e Kosovës, që të jenë të përgatitur dhe të mos bien pre e propagandës kundër LDK-së në ditët e ardhshme. Këto propaganda tregojnë frikën dhe tmerrin që kanë ata nga vullneti i qytetarëve për ndryshim dhe për dënimin e atyre që e kanë kapur shtetin dhe e kanë mbytur perspektivën për të rinjtë tanë, sikurse edhe të atyre që shërbehen me dhunë dhe propagandë ekstreme.
LDK-ja është e vendosur të fitojë zgjedhjet lokale në shumicën e komunave të Kosovës dhe t’ia shkurtojë jetën Qeverisë së pazareve dhe kontrabanduesve.