Komuna e Rahovecit në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Kompaninë Projektuese “Infra Plus”, kanë mbajtur debat publik për definimin e variantit më të favorshëm të projektit të Autostradës Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë-Rahovec-Prizren, raporton Ekonomia Online.
Gjatë këtij debati me qytetarët e Rahovecit, ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, tha se komunës së Rahovecit po i kthehet borxhi pasi sipas tij, Rahoveci është kontribuues i zhvillimit ekonomik të bujqësisë dhe vreshtarisë.
Ai tha se takimet e tilla po bëhen me qëllim që çdo kërkesë e qytetarëve të inkorporohet në këtë projekt.
“Ajo që sot po bëjmë çdo kërkesë e juaja do të inkorporohet në projekt. Mendoj që Rahovecit i kthehet një borxh sepse jeni kontribuues shumë të mëdhenj edhe të zhvillimit Ekonomik të Bujqësisë dhe Vreshtarisë. Ne kemi qenë të vëmendshëm të mos i prishim tokat. Çdo pëllëmbë tokë ta ruajmë kur e dimë që kjo anë është prodhuesja më e madhja që në bujqësi jeni rekord. Jam i bindur që të përfitoni edhe nga rregullimi i lumit që ka një rëndësi të madhe për ju”, tha Lekaj, raporton EO.
“Sot jemi në Rahovec për të diskutuar për një projekt madhorë që quhet autostrada e Dukagjinit. Ajo që në start mund ta them jam i gëzueshëm që ka kaq qytetarë që ta projektojmë bashkërisht projektin. Ky projekt nuk është as i Ministrit as i Kryeministrit, është projekt i qytetarëve dhe institucioneve. Nëse pyetni a do të kishte ndodhë Autostrada e Dukagjinit kaq shpejt, e dini nuk mund të kishte ndodhur po të mos ishte mbështetja e fuqishme e kryeministrit. Shumë shpejtë do të fillojë zgjerimi për Rahovec. Autostrada fillon në Istog përshkon Pejën, Deçanin, Junikun, Gjakovën, Rahoveci , Suharekën, Prizerenin dhe Klinën sepse lidhet me tërë korridorin po edhe me korridoret Pan-evropiane”, tha ministri Lekaj.
Kryetari i Komunës, Smajl Latifi, tha se e vlerësojnë kontributin e ministrisë së Infrastrukturës dhe Qeverisë së Kosovës.
“Ne e vlerësojmë kontributin, përkushtimin, rolin që është duke luajtur Qeveria Haradinaj dhe ministria e Infrastrukturës për ta zhvilluar një projekt që padyshim është në interes te qytetarëve. Jemi këtu për t’i dëgjuar vërejtjet dhe për ta shpalos atë që ka të bëjë më këtë projekt”, tha Latifi.
Ai tha se po mundohen të mos dëmtojnë, pasi që kjo Autostratë do t’i ndihmojë qytetarëve të Rahovecit me zhvillimin e bizneseve, raporton EO.
“Ne jemi munduar që Autostrada të mos i dëmtoj tokat. Jemi kujdesur të ketë sa më pak shpronësime sepse dëshirojmë ta ruajmë buxhetin e Republikës së Kosovës, jemi kujdesur që Autostrada të kalojë në ato zona ku qytetarët të kenë qasje më të lehtë. Jemi kujdesur që të kemi kyçje sa më të lehta në rrugë”, tha ai.
Sadri Jahaj, drejtor i projektit të Autostradës së Dukagjinit, njoftoi qytetarët e kësaj komunës se përgatitjet për këtë projekt kanë filluar.
“Kanë fillu përgatitjet për projektim. Në fillim do të përzgjedhim korridoret e mundshme kah do të kalojë Autostrada. Kjo Autostradë do të ndërtohet në nivele evropiane”, tha ai.
Jahaj siguroi qytetarët e kësaj komune që kërkesat e tyre do të inkorporohen në këtë projekt.
Gjatë debatit kishte edhe nga ata që variantin nuk e pranuan si të tillë madje akuzuan se projekti që u prezantua nuk ishte i njëjti nga ai që ishte vendosur.
Sead Qmega kërkoi që të prezantohen 5 variante sa janë prezantuar në takimin ngase sipas tij ai që u prezantua nuk ishte ai që është vendosur.
“Kërkojë të prezantohen edhe 5 variantet tjera, nga ky variant që u prezantua kemi 14-15 km distancë për këtë variant ne kemi Suharekën me u kyç. Varianti i parë do të kushtojë shumë më lirë se variantet tjera”,tha ai.
Kryetari Latifi i është kundërpërgjigjur se nga ky projekt nuk ka qëllime për përfitime personale.
“Tokat bujqësore kanë më u rujtë, asnjë interes personal askush nuk ka, por Autostrada do të kalojë përgjatë Drinit, se Drini është i shkatërruar plotësisht dhe për këtë shkak duam të u ikim shpronësimeve. Ti e përmende një argument, distanca shkurtohet nuk rritet. Largësia më e madhe nga qyteti është 8 km jo 14km”, u përgjigj Latifi.