Kuvendi i Kosovës, para disa ditësh miratoi rezolutën për shërbimin e homologimit të veturave.
Përmes kësaj rezolute kërkohet të shfuqizohet udhëzimi administrativ për procedurën për homologim të Ministrisë së Infrastrukturës, të fillojë plotësimi dhe ndryshimi i projektligjit për automjete si dhe në afat prej dy muajve të miratohet udhëzimi i ri administrativ.
Në rezolutën e propozuar nga deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Zharku, gjithashtu kërkohet që në afat prej gjashtë muaj të liberalizohet tregu i homologimit të automjeteve.
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, në një intervistë për EkonomiaOnline, thotë se kjo rezolutë nuk i obligon që të bëjnë këto ndryshime. Megjithatë, thotë se për hir të interesit qytetar do të fillojnë ndryshimin dhe plotësimin e ligjit.
“Ajo nuk na obligon neve që ne të shfuqizojmë udhëzimin administrativ. Mirëpo, unë si ministër po e them që punoj në interes të qytetarëve dhe përmbushjes së kërkesave të qytetarëve dhe unë po i shqyrtoj të gjitha mundësit që të bëjë plotësim ndryshimin e udhëzimit administrativë, por edhe të ligjit, paraprakisht ligji pastaj edhe udhëzimi administrativë. Ne kemi pasur një raport nga TIEX-i që kanë qenë edhe nga Ministria e jonë ekspertë që janë të përfaqësuar në këtë grup dhe ne kemi marrë rekomandime, por ato rekomandime asnjërën nuk e kanë cek monopolin apo ndërprerjen e kontratës, sepse ligji ia mundëson një licencim të këtyre kompanive të jenë 1, 2 apo 10 të pakufizuar dhe ne kemi vepruar në bazë të ligjit. Por para qytetarëve e them që ne do të fillojmë plotësim ndryshimin e ligjit dhe të udhëzimit administrativë”.
Ministri Lekaj thotë se në projektligjin e ri do të kenë parasysh interesat e qytetarëve.
Thotë se do të bëjnë edhe liberalizimin e këtij tregut dhe se do të ketë ulje të çmimit për homologim.
“Ne jemi të fokusuar të hapim tregun që të shikojmë të gjitha çmimet që janë në rajon dhe ë shkojmë edhe më lirë që mos ta atakojmë gjepin e qytetarëve sepse dihet ekonomia jonë sa është e zhvilluar, dihen pagat dhe nuk mund ta krahasojmë Kosovën me një vend në rajon apo kudo tjetër sepse pagat janë të ulta papunësia është dhe në këtë drejtim do të jemi të vëmendshëm dhe të kujdesshëm që të punojmë në interes të qytetarëve”, tha ai.
Në këtë intervistë për EO-në, i pari i Infrastrukturës, ka folur edhe për pakënaqësitë e disa fshatrave për kyçjet në autostrada.
Thotë se do të mundohen t’i përgjigjen kërkesave, por thekson se fjalën përfundimtare do ta thonë ekspertët.
“Në këtë drejtim kur e përmendët Hanin e Elezit kemi pas kërkesa nga qytetarët. Ne kemi miratuar në Qeverinë e Kosovës po ashtu kyçjen e dytë e kemi në Ferizaj dhe tjetrën ne Gerlicë për Viti që e lidh edhe komunën e Vitisë, sepse ka qenë e anashkaluar komplet sepse ekspertët e kanë thënë që po mund të bëhet kyçja ne kemi marrë një vendim në Qeveri që autorizon Ministrinë e Infrastrukturës që të negociojë me kompaninë ‘Bechtel Enka’ dhe meqë ka qenë projekt i tyre dhe kanë përgjegjësinë edhe për sigurinë dhe mirëmbajtjen brenda 24 muajve dhe në këtë drejtim po zhvillohen negociatat dhe unë mendoj që pas dakordimit të ekspertëve edhe negociatat me Bechtel Enka do të nënshkruhet marrëveshja për fillimin e punimeve”, thotë ai.
Lekaj foli edhe për projektet infrastrukturore, duke përfshirë edhe autostradat. Thotë se ajo për Gjilan do të përfundojë në qershor të vitit të ardhshëm.
“Mendoj në qershor të vitit te ardhshëm do të përfundon i gjithë projekti prej 24 km. Do të fillojmë me projekte në segmentin tjetër 1 dhe 2 që shkon deri te Dheu i Bardh që kostoja është bukur e lartë diku 125 milionë që duhet të jenë mjete të disponueshme”, thotë ai.
Ministri Lekaj thotë se shumë shpejt do të nis edhe autostrada e Dukagjinit, projekt ky që sipas tij do të ndikojë në zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Kritikon opozitën, që sipas tij po e kundërshton këtë projekt vetëm sa për të përfituar politikisht.
“Ne jemi në përpilim të projektit detal të elaboratit të shpronësimit dhe pasi të përfundojmë ne do të fillojmë me projektin e autostradës së Dukagjinit. Ka pasur zhurmë nga opozita nga individë ndoshta më tepër e kanë përdorë për politikë sepse jo që ja kanë qëlluar që nuk nevojiten autostrada e Dukagjinit. Unë e kam thënë se një shtet nuk mund të jetë i zhvilluar nëse nuk ka infrastrukturë të zhvilluar dhe mund të them lirshëm që Kosova është lider në rajon sa i përket infrastrukturës rrugore”, thotë ai.
Lekaj thotë se për projektet e tilla ka mbështetjen e plotë të kryeministrit Haradinaj dhe Qeverisë në përgjithësi.