Lëvizja FOL organizoi konferencën Rajonale “Qasja gjithëpërfshirëse: Perspektivat e shoqërisë civile për avancimin e zbatimit të Planit Ekonomik dhe Investimeve”

Prishtinë | 16 Pri 2024 | 15:33 | Nga Natyra Salihaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lëvizja FOL ka mbajtur të martën konferencën Rajonale: “Qasja gjithëpërfshirëse: Perspektivat e shoqërisë civile për avancimin e zbatimit të Planit Ekonomik dhe Investimeve”, raporton Ekonomia Online.

Aty u tha se qëllimi i konferencës ishte prezantimi i gjetjeve kryesore të studimit rajonal mbi përfshirjen e  OSHC-ve të specializuara në rajon, që shërben si bazë për të çuar përpara diskutimin mbi angazhimin e shoqërisë civile në EIP dhe veçanërisht në projektet e mëdha të infrastrukturës.

Pjesëmarrës në konferencë ishin përfaqësues të institucioneve publike, organizatave të shoqërisë civile, ekspertë, donatorë, institucione financiare ndërkombëtare, ku diskutuan mbi sfidat dhe mundësitë e identifikuara për përmirësimin dhe integrimin e mëtejshëm të përfshirjes së shoqërisë civile në EIP, veçanërisht përmes politikave dhe projekteve të infrastrukturës.

Mexhide Demolli-Nimani nga Lëvizja “Fol” ka thënë se objektiv kanë prezantimin e gjetjeve kryesore nga puna rajonale mbi organizatat e shoqërisë civile të rajonit mbi angazhimin e tyre në planin ekonomik dhe investues.

“Objektivi i kësaj ngjarje është prezantimi i gjetjeve kryesore nga puna jonë rajonale mbi organizatat e shoqërisë civile të rajonit mbi angazhimin e tyre në planin ekonomik dhe investues. Synimi ynë është që këto gjetje të shërbejnë si një themel për avancimin e diskutimeve në lidhje me angazhimin e shoqërisë civile dhe të investimeve veçanërisht në lidhje me projektet e mëdha të infrastrukturës në sektorin e transportit dhe energjisë. Ky vit shënon përvjetorin e procesit të Berlinit dhe dëshminë  për përkushtimin tonë për integrim të përbashkët evropian dhe rajonal. Përmes kësaj platforme janë nënshkruar shume marrëveshje që kanë për qëllim  zhvillim të qëndrueshëm në infrastrukture, ekonomi dhe inovacion. Suksesi i EIP varet jo vetëm nga investimet financiare por edhe nga angazhimi kuptim plotë i palëve. Kjo konferencë sot ofron një platformë jetike për dialog dhe bashkëpunim ku të gjitha palët ë interesuara mund të bashkohen për të shkëmbyer ide për të ndarë praktika të mira dhe për të krijuar partneritete që do e nxisin zbatimin e suksesshëm të IPS-së”, ka thënë Demolli-Nimani.

Ndërsa Ardian Hackaj nga Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim ka thënë se së bashku me ekzekutivin dhe agjencitë zbatuese përbëjnë një trekëndësh shumë të fortë në partneritet me institucionet financiare kombëtare dhe me palë të treta mund t’i çojë këto projekte përpara.

“Kjo iniciativë ka të bëjë me angazhimin e akterëve të shoqërisë civile në aktivitete të cilat zakonisht janë kompetencë ekzekutive. Së bashku me ekzekutivin dhe agjencitë zbatuese përbëjnë një trekëndësh shumë të fortë në partneritet me institucionet financiare kombëtare dhe me palë të treta mund t’i çojë këto projekte përpara. Qëllimi i kësaj iniciative është krijimi i një mase njohurish në vende të rajonit që u lejon në këtë rast organizatave të shoqërisë civile që të identifikojnë informacionin e duhur”, ka thënë Hackaj.

Ndërsa zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku në fjalën e tij ka potencuar se po presin mbylljen e studimeve të fizibilitetit për tetë komuna të Kosovës në mbarë territorin e Kosovës për mundësinë e ndërtimit të sistemeve të ngrohjes lokale dhe qendrore për tetë vendbanime.

“Javët e fundit kemi themeluar ndërmarrjen publike që do të menaxhojë pjesërisht bateritë ndërsa po vazhdojmë bashkëpunimin për ta realizuar këtë projekt. Po presim mbylljen e studimeve të fezibilitetit për tetë komuna të Kosovës mbarë territorin e Kosovës për mundësinë e ndërtimit të sistemeve të ngrohjes lokale dhe qendrore për tetë vendbanime”, ka thënë Mjeku.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka thënë se monitorimi varet shumë edhe nga kompozicioni i Qeverisë por në tri vitet e fundit pak edhe arroganca e numrave e ka bërë të veten dhe sipas saj është e vështirë të shihen proceset monitoruese.

“Ajo çka për tri vite nuk e kemi dëgjuar asnjëherë ka qenë pikërisht e qartë nga ana e Qeverisë sa i përket autostradës së paqes, dmth çka?  Monitorimi varet shumë në fakt edhe nga kompozicioni i Qeverisë por në tri vitet e fundit pak edhe arroganca e numrave e ka bërë të vetën ne e kemi shumë të vështirë të shohim procese monitoruese nga kjo Qeveri”, ka thënë Bajrami.

Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Termokos”, Fisnik Osmani ka treguar se kjo ndërmarrje është duke i realizuar pesë projekte në faza të ndryshme dhe me partnerë të ndryshëm.

“Ngrohtorja është duke i realizuar pesë projekte në faza të ndryshme dhe me partnerë të ndryshëm duke filluar me dy projekte ekzistuese të cilat veçse janë në përfundim të implementimit të rrjetit projekt i cili brenda 18 muajsh e ka vendos situatën më të qëndrueshme në furnizimin me energji. Kjo është shumë e rëndësishme nëse i referohemi statistikave 3.3% e prodhimit total të energjisë elektrike për nivel të Kosovës shpenzohet në Prishtinë me theks të veçantë”, ka thënë Osmani.

Të ngjashme