Ligji për Automjetet kthehet prapë në komision, kërkohet plotësimi i amendamenteve sipas BE-së

Prishtinë | 28 Shk 2019 | 11:39 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Automjete është tërhequr nga rendi i ditës në seancën e Kuvendit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Kjo pasi deputetët kërkuan që të rikthehet në komisionin përkatës në mënyrë që të  ndryshohen amendamentet të cilat janë në kundërshtim me direktivat e BE-së.

Këtë kërkesë e ka bërë vetë propozuesi, Mergim Lushtaku, pas kundërshtimit të grupeve parlamentare.

Sipas Lushtakut, tha se i ka munguar edhe një kriter shtesë këtij ligji.

 “Ne e dimë shumë mirë që e kemi bërë një hulumtim. I ka munguar edhe një kriter shtesë për arsye që veturat të jenë në standardë më të mëdha. Janë të përfshira edhe  standardet e BE-së. unë kam fol edhe me ministrin e mjedisit dhe ministrin e infrastrukturës dhe do të vendosin një taksë për veturat dizel 4 dhe ato që qarkullojnë. Kërkoj të tërhiqet nga rendi ditës dhe të rikthehet në komision”, u shpreh Lushtaku.

Shqipe Pantina ka thënë se Partia Socialdemokrate nuk do të merr pjesë në votim, vetëm nëse do të ndryshohen amendamentet të cilat përshtaten me kushtet e BE-së

“Tashmë një kohë të gjatë po vjen në seanca për votim dhe nuk kalon, ne nuk marrim pjesë në këtë votim por jemi në dakord që ky projektligj të ndryshohet dhe të plotësohet me standarde të BE-së. Ky projektligj mund të ndryshohet sot ose të kthehet në komision. Kërkesa jon është të tërhiqet viti i vjetërsisë”, tha Pantina, raporton Ekonomia Online.

Ndërsa, Avdullah Hoti nga grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se PSD-ja po e bënë pazarin e radhës për të votuar këtë projektligj

“Unë mendoj që po vazhdon praktika që ligjet për interesa të ngushta të sillen në kuvend. Mu me vjen keq që PSD po e kërkon pazarin e radhës për me votu këtë projektligj.  Ne nuk marrim pjesë në votimin e këtij ligji”, tha Hoti.

Muharrem Nitaj nga grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha se ky projektligj i ndihmon qytetarët.

“Unë kam qenë kryetar i grupit punues, 70% e veturave që janë në qarkullim janë më të vjetra se viti 2007. Ky ligj ndihmon edhe ata që nuk kanë mundësi për vetura më të reja dhe ju duhet të keni mirëkuptim”, tha Nitaj.

Edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, deputeti i kësaj partie, Salih Zyba, tha se ky projektligj nuk do të votohet nga kjo parti.

“Ne nuk do të votojmë këtë projektligj për shkak se është në kundërshtim me direktivat e BE-së”, tha ai.

Komisioni parlamentar për Zhvillim Ekonomik kishte miratuar Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Automjetet, në të cilin hyn edhe amendamenti që kufiri i vjetërsisë së automjeteve që mund të importohen të rritet nga 10 në 15 vjet.

Të ngjashme