Limaj: Ka ardhur koha e Nismës në Prizren

Prizren | 22 Sht 2017 | 19:19 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me moton “Koha për Nismën”, subjekti politik Nisma për Kosovën ka hapur fushatën elektorale në Prizren.

Kreu i Nismës, Fatmir Limaj, ka thënë se ka ardhur koha për ndryshime në Prizren, sikurse dhe në gjithë Kosovën, raporton Ekonomia Online.

“Ne jemi këtu, së bashku me ekipin e Nismës nga Kryesia qendrore. Jo rastësisht takimi ynë i parë është në Prizren. Po e nisim me Prizrenin, sepse ka ardhur koha për me ba ndryshimin në Prizren. Koha e Nismës ka ardhur në Prizren, sepse siç po e shihni koha e Nismës ka ardhur në të gjithë Kosovën”, ka deklaruar Limaj, i cili aktualisht është zëvendëskryeministër në Qeverinë e udhëhequr nga Haradinaj.

“Besoj që çdokush e ka pritur këtë rast për t’i dhënë mundësi ndryshimit, për t’i dhënë mundësi ndërrimit të një gjeneratë politike në Prizren. Dhe ai shans për ta ndryshuar gjendjen në Prizren është ekipi i Nismës, me në krye kandidatin për kryetar Zafir Berisha”, ka vazhduar Limaj.

Kandidat i Nismës për kryetar të Prizrenit është Zafir Berisha, i cili pikërisht sot u ricertifikua nga KQZ-ja, pas vendimit të Gjykatës Supreme.

Limaj tha se ditëve të fundit, Nisma ka fituar një betejë. “Me ata që nisën në KQZ e në gjykata, Nisma ka fituar betejën për gjithë Kosovën”.

Sipas Limajt, Nisma tashmë është kthyer në promotor të ndryshimeve. “Dhe pavarësisht rrethanave, Nisma e gjeti rrugën për të bashkuar politikën. Nisma mori iniciativa politike, të cilat më parë ishin të panjohura dhe dëshmoi në çdo kohë që interesin nacional e ka para atij personal dhe individual”.

Më pas fjalën e mori kandidati për të drejtuar Komunën e Prizrenit, Zafir Berisha.

“Disa ditë do të mungoj në parlament sepse unë jam i angazhuar me djemtë dhe vajzat e Prizrenit për të bërë ndryshimin që ka nevojë Prizreni”, tha ai.

“Siç e keni parë, ditëve të fundit patëm një përpjekje makiaveliste për të më larguar nga gara, por një fjalë popullore thotë: ‘Drejtësia vonon, por nuk harron'”, u shpreh Berisha, duke komentuar vendimin e Gjykatës Supreme që i dha atij të drejtë për të kandiduar.

“Ai që hyn në fushë fiton dhe jo ai që bën shantazhe. KQZ dhe PZAP (Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa) ishin të ndikuara. Unë i fali, sepse drejtësia ka me triumfu në këtë vend”.

Berisha tha se ai dhe ekipi i tij janë përgatitur qe sa kohë për këtë betejë politike. Më pas, ai ka prezantuar të gjithë kandidatët për këshilltarë komunalë.

“Ky ekip është garanci e fitores së sigurt. Fitorja dhe ndryshimi, më shumë se Nismës, iu duhet qytetarëve të Prizrenit”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, administrata në Komunën e Prizrenit është kapluar nga militantët primitivë politikë. “Ne jemi të vendosur për depolitizimin e administratës, që atë ta vëmë në shërbim të qytetarëve”.

Gjendje e ngjashme, sipas tij, është edhe në arsim e shëndetësi. “Tashmë kemi ekspertë që do të merren me ngritje të cilësisë së arsimit. Në shëndetësi, ditëve të fundit po punësohen njerëz pa konkurse me qëllim të përvetësimit të qytetarëve”.

“Pjesë e projektit tonë është edhe ambienti i dëmtuar nga keqqeverisja. Janë ndërtuar deponi që rrezikojnë jetën e qytetarëve dhe ne jemi të vendosur që njerëzit që e kanë sjellë këtë situatë të sillen para drejtësisë”.

“Zhvillimi ekonomik është prioritet i prioriteteve. Unë kam dhënë idenë për ndërtimin e Parkut të Biznesit dhe premtoj që ky projekt do të realizohet në gjashtëmujorin e parë të qeverisjes sime”.

Ai foli dhe për investimet e këqija në infrastrukturë, të cilat pa shkuar 30 ditë shkatërrohen. “Operatorët janë të detyruar të paguajnë haraç”.

Berisha ka premtuar se nëse fiton do të ketë investime në ujësjellës. Premtoi dhe zgjidhjen e problemit të parkingut. “Vendosmërisht do të angazhohemi për lirimin e pronave publike të uzurpuara dhe keqpërdoruesit e parasë publike do t’i vëmë para drejtësisë”.

“Ne kemi qenë të ofenduar për vite të tëra sepse kemi pasur një kryetar që më së shumti është gjetur nëpër prokurori dhe gjykata. Unë ju garantoj që do të keni një kryetar që do të punoj në interesa të qytetarëve, që Prizreni të jetë jo vetëm e qytetarëve por e gjithë Kosovës”.

Në fund, Zafir Berisha iu bëri thirrje qytetarëve për një fushatë të qetë dhe demokratike. “Ne duhet të jemi model të bërjes së fushatës. Për ata që janë të gatshëm me u përballë me argumente, ne jemi këtu”, ka përfunduar kandidati i Nimës për kryetar të Prizrenit.

Të ngjashme