Limaj në Prishtinë: Kosova nuk ka kohë për të humbur

Prishtinë | 08 Qer 2017 | 20:04 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Nisma për Kosovën një ditë para mbylljes së fushatës zyrtare ka mbajtur takim elektoral edhe në Prishtinë.

Lideri i Nismës për Kosovën Fatmir Limaj ka thënë se janë në kryeqytetin i cili ka probleme të pazgjidhura, raporton Ekonomia Online.

“Jemi në kryeqytetin tonë ku qindra punëtorë pa asnjë respektim të orarit të punës punojnë anekënd. Nuk respektohet Ligji i Punës. Jemi në kryeqytetin ku shumë pensionistë nuk kanë hapësirë për të kaluar jetën së bashku. Janë edhe një milionë gjëra në këtë kryeqytet. Disa nga këto probleme që i thash ka tri vite e më tepër që ekspertët tonë i kanë vërejtur”, ka thënë ai.

E duke folur për atë se ku është Kosova sot Limaj ka thënë se janë përpjekur fort ti ruajnë qëndrimet.

“Kosova nuk ka kohë për të humbur. Ndërtimi i atij koalicioni që ra e kemi ditë qysh në ditën e parë dhe kemi thënë se Kosova do të humb shumë kohë. Kemi humbur tri vite të çmuara të pa nevojë, sepse e kemi ditë se ai koalicion si është ndërtuar s’do të ketë rezultate. Udhëheqja e partisë e ka kryer një detyrë para qytetarit të Kosovës. Sot njerëzit tonë kanë mundësi që më 11 qershor të flasin dhe të vendosin”, ka thënë ai.

“Kosova i ka tri mundësi: të vazhdohet status-quoja, apo ajo që ky vend të lëviz, kandidati jonë për kryeministër është shpresë që duhet të provohet. Neve na mbetet për t’i ftuar qytetarët që mundësinë që e kanë le ta kthejnë në besim për ofertën tonë. Po i drejtohemi kryeministrit të ardhshëm që besimin që e merr ta  kthej në drejtimin  e duhur dhe mos ti zhgënjej qytetarët” ka thënë ai.

Sipas tij, Qeveria e ardhshme duhet të ketë kujdes dhe të mos jetë arrogante “dhe duam një qeveri që flet edhe me opozitën, duam një qeveri me kryeministër edhe të opozitës. Nuk duam qeveri me arrogancë, sepse përndryshe do ti ndodhë ajo si qeverisë së kaluar”.

Sipas tij është koha të lëvizin dhe t’i japin  drejtim vendit.

“Për neve shteti është i shenjtë. Pushtetet shkojnë e vijnë e shteti mbetet. Ju ftoj djem e vajza pavarësisht zhgënjimit mos e shani shtetin. Pushtetin shajeni sa herë doni. Ne duam të kemi kryeministër që del e thotë e flet me nxënësin e Millosheviqit me gjuhën që ai e kupton, dua  dhe një kryeministër që thotë që koha kur ju keni luajtur me Kosovën ka përfunduar në vitin 1999”, ka thënë Limaj.

E sa i përket dialogut ka thënë se është çelësi i zhvillimit.

“Dialog me të gjitha fqinjët që dëshirojnë të dialogojnë, por kur vijmë te dialogu me Serbinë duhet të kemi një qasje tjetër, jo ashtu si e kanë bërë  Hashimi e Isa jo, duam një dialog që përfundon me njohjen e Kosovës, sepse ky vend ka dinjitet dhe kjo mund të vijë kur të kemi një qeveri të dinjitetshme që mbron interesat e qytetarëve  të vet”, ka shtuar Limaj.

Baton Dushi kryetar i Degës së Nismës për Prishtinë tha se nismëtarët e Prishtinës presin nga ju kryetar fjalën e mbajtur dhe duan zhvillim.

“Prishtina pret ta shoh zhvillimin e saj. Kosova e do integrimin kombëtarë. Ne mund të ndërtojmë mirëqenie në vendin tonë. Liberalizimin e vizave e duam por jo për të ikur”, ka thënë ai.

Sipas tij qytetarët besojnë më Nismën dhe lidershipin e saj.

Të ngjashme