Limaj: Për tri vjet qeverisje kemi degradim në çdo fushë, pozicioni në arenën më i keqi ndonjëherë

Prishtinë | 09 Mar 2024 | 09:30 | Nga Valmire Abdullahu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online, se për tri vjet qeverisje të Albin Kurtit ka degradim në çdo sektor.

Limaj veçon rënien e investimeve kapitale dhe gjendjen e rëndë në ekonomi derisa në arenën ndërkombëtare, Kosova sipas tij është në pozicionin më të keq ndonjëherë.

“Për tri vite nuk ka sektor të cilën e kemi parë një hap të ndryshimit. Sot më keq gjendja është në arsim, më keq është gjendja në shëndetësi, më keq është gjendja në infrastrukturë, në ekonomi, në mungesë të investime kapitale, me një buxhet i cili nuk di të menaxhohet, që është kthyer në subvencione”.

“Praktikisht ne e kemi pasur një administratë sociale momente të caktuara ku kanë bërë shpërndarje parash kohe pas kohe, po nuk kemi pasur drejtues të cilët kanë dhënë energji të re zhvillim vendit, frymë e ndërtim”.

“Praktikisht këto tri vitet e fundit ka treguar që kemi pasur një Qeveri pa plan, pa program, me njerëz jokompetentë. Ndërsa në planin e jashtëm tashmë, e dimë pozicioni i Kosovës është më keq se asnjëherë më parë; përditë ka tregu që kjo qeverisje nuk ka asnjë ide të pozicionimit të vendit në aspektin strategjik, për të avancuar çështjen e Kosovës, për ta avancuar pozicionin e vendit tonë”, deklaroi Limaj.

Limaj është i bindur se këtë vit do të ketë zgjedhje të parakohshme, anipse përfundimi i mandatit të Qeverisë Kurti përfundon në shkurt të vitit të ardhshëm.

“Ne jemi në vitin zgjedhor më. Ne praktikisht jemi futur në vitin zgjedhor a do të mbahet gjashtëmujorin e parë a gjashtëmujorin e dytë kjo është çështje krejt tjetër, por Kosova është futur në vitin zgjedhor dhe ky vit do të jetë vit i zgjedhjeve”, deklaron Limaj.

Sa i përket koalicioni me AAK-në, Limaj e quan dëshirë të elektoratit për të pasur një front të përbashkët opozitar.

“Ideja e atij frontit të përbashkët ka marrë formë. Kampi opozitar ka qenë nevojë urgjente, bashkimi i forcave politike dhe ne kemi bërë këtë hap duke respektuar edhe dëshirat e qytetarëve në terren, ose dispononimin e tyre, ku ata kanë kërkuar dhe kërkojnë vazhdimisht të kenë një opozitë sa më të konsoliduar, një alternativë serioze, dhe duke respektuar këtë ne kemi shkuar drejtë një koalicioni një fronti të përbashkët opozitar, kemi filluar me Aleancën kemi vazhduar me forumin intelektualëve, me listën konservatore dhe komplet personaliteteve që po i bashkohen”, thotë Limaj.

Koalicionin me AAK-në, Limaj e quan derë të hapur për qytetarët që janë të pakënaqur me këtë qeverisje. Thotë se Kuvendi i Kosovës është kthyer në cirkus dhe me njerëz papërvojë.

“Besoj që tani më qytetarët e Kosovës e kanë parë që nuk bën me bë eksperimente më shumë se kurrë na duhen njerëz në parlament që kanë një background, që din çka thojnë, që kontribuojnë në unitet unifikim, dhe qëllime të mëdhaja për vendin, që dinë me qenë të ndryshëm po të bashkuare me tema të rëndësishme për vendin, parlamenti i Kosovës na u ka kthyer një cirkus me njerëz anonimë me njerëz si me thënë me punën e parë të tyre, pa asnjë ide pa vizion përvojë, pa dije, një parlament që praktikisht secili asamble (komunale) është më e fuqishme se Parlamenti i Kosovës. Besoj qytetarët tanë të Kosovës e kanë parë dhe është koha që të vihet ndryshimi, dhe fronti jonë opozitarë është një derë një mundësi për të gjithë ata njerëz që janë të shqetësuar dhe të pakënaqur me gjendjen aktuale në Kosovë”, u shpreh ai.

Të ngjashme