Lirak Çelaj, kandidat për kryetar të Prishtinës nga Partia Demokratike e Kosovës, ka shpalosur sot Platformën Zgjedhore, e cila përmban tetë pika për zgjidhjen e problemeve kryesore që ka sot kryeqyteti.
“Platforma jonë paraqet brengat e qytetarëve të Prishtinës. Programi ynë përmban 8 pika”, tha Çelaj.
Ai ka premtuar se do ta bëjnë Prishtinën një destinacion ku qytetarët do të vijnë enkas për ta vizituar.
“Duam ta bëjmë Prishtinën destinacion, jo tranzit. Aktualisht, Prishtina është qyteti më i shëmtuar. Me ne, njerëzit do të vijnë enkas për ta parë qytetin”, tha ai.
Për ta përkrahur kandidatin e tyre, në konferencën në hotel “Sirius” kanë marrë pjesë dhe tre ministrat e PDK-së: Uran Ismaili, Dhurata Hoxha dhe Abelard Tahiri.
Këto janë 8 pikat e programit “Forca e ndryshimit për Prishtinën 2017-2021”:
1. Prishtina e shpejtë – që përfshin Trafik funksional, parkingje nëntokësore, si dhe parashihet një taksë për të hyrë në qendër të qytetit. Kjo taksë, sipas Çelajt, parashihet të vihet me qëllim të pengimit të hyrjes së makinave në qendër të qytetit dhe shkaktimin e kaosit në trafik.
2. Prishtina e sigurt – është kapitull që i dedikohet sigurisë në kryeqytet, theksoi kandidati për kreun e Prishtinës, Lirak Çelaj, i cili premtoi se do t’i vendosë kamerat e sigurisë, do t’i bëjë me ndriçim hyrjet e banesave dhe rrugëve, si dhe do të ketë patrulla mobile të punëtorëve socialë.
3. Prishtina e ngrohtë – është kapitull i veçantë që parasheh përdorimin e energjisë eficiente, si dhe implementimin e projektit për ngrohje me njehsor, duke mos u bërë pagesa për sipërfaqet që nuk ngrohen, me çka parashihet të bëhet ulje e faturës së energjisë deri 40%. Me këtë projekt, sipas Celajt, parashihet të bëhet zgjerimi i ngrohjes së qytetit dhe hapjen e ngrohtoreve për lagjet e caktuara, ku po ashtu parashihet kostoja e ngrohjes të pëson ulje deri 40%, duke ruajtur ambientin dhe duke penguar ndotjen nga ngrohja me qymyr apo me dru.
4. Prishtina 24 orë – parashih të ndërtohen parqe për fëmijë dhe për çdo lagje nga një fushë rekreative- sportive, si dhe një kapitull i veçantë do të jetë që të fuqizohet industria e clubbing-ut, dhe tradita e kalimit të kohës së lirë në hapësira të planifikuara për këtë. Çelaj theksoi se përpos pishinës në Gërmi, do ta aktivizojë edhe patinazhin, zonën e Gollakut për moto cross e fusha tjera për sportet që aktualisht i mungojnë kryeqytetit.
5. Prishtina destinacion – është kapitull që i kushtohet ruajtjes dhe konservimit të qytetit të vjetër të Prishtinës, teatrit të qytetit dhe Prishtina të bëhet qytet i festivaleve. Për këtë, ai tha se kemi kushte dhe mundësi, kurse me veprime në terren do ta bëjmë Prishtinën si destinacion, jo vetëm për vendin, por edhe për rajonin.
6. Prishtina që parandalon – është pikë e rëndësishme e platformës zgjedhore, e cila në fokus ka parandalimin e dukurive negative, për rininë, për familjet si dhe kujdesin për pleqtë. Për këtë qëllim, ai theksoi se do të ndërtojë tri këshillimore, për të parandaluar dukuritë negative apo mosmarrëveshjet në familje dhe duke u kujdesur për moshën e tretë.
7. Prishtina e dijes – është pikë e programit qeverisës në mandatin e ardhshëm, duke u fokusuar në ndërtimin e tri shkollave dhe tri çerdheve në lagjet që kanë më së shumti nevojë, duke ia ofruar mundësinë e qasjes së lehtë për nxënësit, si dhe lehtësim për familjet që nuk mund të gjejnë mjaftë vende të lira në çerdhe që menaxhohen nga komuna.
8. Prishtina digjitale – është pikë e fortë e platformës qeverisëse, me çka parasheh ndërtimin e një Qendre Ndërkombëtare të Teknologjisë Informative, inkubator për biznese të Teknologjisë Informative, si dhe Industrisë kreative në këtë fushë.
Kandidati Çelaj i ka elaboruar një nga një të gjitha pikat. Duke folur për pikën e parë – Prishtina e shpejtë – Çelaj ka vlerësuar si problemin kryesor të Prishtinës trafikun e rënduar dhe mungesën e parkingjeve.
Ai tha se do të ndërtojnë parkingje nëntokësore. Sipas tij, rrugët “Luan Haradinaj” dhe “Agim Ramadani” duhet të bëhen vetëm njëdrejtimshe.
Ndërsa ka paralajmëruar dhe taksa hyrëse për veturat që hyjnë në pjesën e ngushtë të qytetit.