Lis Shoshi i gatshëm për ndeshjen kundër Lituanisë

Prishtinë | 26 Shk 2018 | 15:17 | Nga

Sot (e hënë) me fillim nga ora 18:30, Kosova do të përballet me Lituaninë, në ndeshjen që do të zhvillohet në qytetin Klaipeda.

Basketbollistët tanë të dielën i kanë zhvilluar dy seanca stërvitore në Klaipeda, si dhe të hënën në mëngjes të fundit para duelit me lituanët.

Kosova kundër Lituanisë do të paraqitet pa kapitenin Dardan Berisha, i cili për shkak të lëndimit të muskulit të prapmë të këmbës është dashur të largohet nga kampi i Përfaqësueses për t’u kthyer në Çeki, ku edhe do të vazhdoj rehabilitimin tek ekipi i tij, Basketball Nymburk.

Berisha u lëndua në ndeshjen ndaj Polonisë që u zhvillua të premten në Wloclawek, ku Kosova ka pësuar humbje me rezultat 90:62.

Në këtë ndeshje është lënduar edhe alo-qendra Lis Shoshi, i cili e ka lënduar hundën. Ky i fundit megjithatë do të paraqitet në duelin ndaj Lituanisë – thuhet në njoftimin e FBK-së.

Në ballafaqimin e parë të luajtur në Prishtinë ndërmjet Kosovës dhe Lituaninë, fitore bindëse ka regjistruar kjo e fundit me shifrat 99:61.

Lituania zë vendin e pestë në renditjen botërore të FIBA-s dhe është favorite karshi Kosovës, duke marrë parasysh faktin se bëhet fjalë për një fuqi të basketbollit në nivel botëror.

Përfaqësuesja e Kosovës është pjesë e Grupit C të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019” së bashku me Hungarinë, Lituaninë dhe Poloninë.

Dritarja e Tretë e kualifikimeve evropiane do të zhvillohet në fund të qershorit dhe në fillim të korrikut, ndërsa Kosova i pret në Prishtinë, së pari Hungarinë dhe më pas Poloninë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme