Lladrovci kërkon të shtyhet procesi i regjistrimit të popullsisë – Krasniqi e sheh jetik për qytetarët

Prishtinë | 05 Pri 2024 | 11:23 | Nga Valmire Abdullahu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Procesi i regjistrimit të popullsisë ka shpërfaqur edhe njëherë mospajtimet ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal. Disa kryetarë të komunave kanë kërkuar që ky proces të shtyhet, disa të tjerë kanë thënë se nuk duhet të shtyhet. E nga Qeveria e cilësojnë si jetik mbajtjen e regjistrimit të popullsisë, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka kërkuar që procesi i regjistrimit të popullsisë të shtyhet për të paktën edhe dy javë të tjera. Ai është ankuar se Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk është përgatitur mjaftueshëm për këtë proces.

Ai ka thënë se komuna është njoftuar se regjistrimi – që nis sot, 5 prill – është shtyrë për të hënën. 

“Më vjen keq që sërish më duhet të përsëris fjalën time të 2 nëntorit kur edhe atëherë kemi shpreh ankesat për papërgatitjet e ASK për këtë proces. Na kemi informacionet që gjithë anëtarët e Komisionit komunal për Regjistrim kanë marrë njoftim që regjistrimi është shty deri të hënën, sa është e vërtetë na e thuani ju këtu. Konkursi për regjistrues ende vazhdon”, ka thënë ai në takimin e ftuar nga MAPL-ja, ku merr pjesë edhe kryeministri.

Lladrovci ka thënë se komuna e tij ka mungesë të zyrtarëve të regjistrimit, e sipas tij shumë prej tyre edhe e lënë punën. Ndërkohë, ai ka shtuar se ka mungesë të informacionit dhe buxhetit për këtë proces, duke theksuar paqartësitë mbi pyetësorin lidhur me dëmet e luftës.

“Unë nuk e di a kem të drejtë por unë kisha thënë që me shty edhe 2 javë procesin e regjistrimit se e kemi vështirë me kry mirë edhe ju qysh po kërkoni edhe ne qysh po duam”, ka thënë Lladrovci.

Të kundërtën e ka thënë kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi. Ai ka theksuar se procesi nuk ka nevojë të vonohet. Megjithatë, ka shprehur shqetësim edhe ai lidhur me pyetësorin që do të bëhet për dëmet gjatë luftës.

“Nuk është që jemi shumë krenarë me arkivat e Kosovës dhe të komunave. Të gjitha raportet, bie fjala arkivit tonë, kanë shku në arkivin e Kosovës. Që ta merrni arkivin ose dokumentacionin e arkivit duhet me pas takime specifikisht me diskutu për këto tema”, ka thënë Latifi.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se edhe kjo komunë ka pasur problem me numrin e zyrtarëve regjistrues.

Ndërsa, Kujtim Gashi, nënkryetar i Prizrenit, ka pohuar se procesi në këtë komunë është shtyrë për të hënën.

“Në komunën e Prizrenit nuk ka fillu regjistrimi dhe është shty për të hënën. Kjo sigurisht për çështje teknike që nuk ka arrit”, ka theksuar Gashi.

E ministri i Administrit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se procesi i regjistrimit të popullsisë është jetik për funksionimin e shoqërisë në mbarë botën.

“Përmes këtij regjistrimi ne kuptojmë në mënyrë të saktë nevojat tona si dhe arrijmë targëtimin e duhur të politikave dhe strategjive të Qeverise. Komunat në anën tjetër luajnë një rol shumë të rëndësishëm në këtë proces. Informacioni i grumbulluar në sistemin e zakonshëm të regjistrimit të popullsisë përdoren për qëllime të planifikimit të buxhetimit dhe taksimit dhe përcaktimin e përmbushjes se kritereve në përgjithësi”, u shpreh Krasniqi.

“Numri banoreve në komunë mund të ndikojë në shumën e financimit të grandit qeveritar që ndahet asaj komune. Grantet qeveritare shpërndahen në madhësi të popullsisë ku komunat me popullsi më të madhe marrin më shumë fonde për adresuar nevojat e banoreve të tyre. Në përgjithësi komunat me numër të madh mund të kenë përfaqësues për të siguruar përfaqësimin dhe qeverisjen adekuate”, deklaroi tutje Krasniqi.

Ndërkaq, Avni Kastrati drejtori i ASK-së, tha se procedura e regjistrimit të popullsisë do të zgjasë deri më 17 maj 2024.

“Do të zgjasë deri me 17 maj. Kemi pasur bashkëpunim të mirë me Komunat, por kërkohet të vazhdohet ky bashkëpunim në aspektin logjistik të mbështesni stafin. Qëllimi është që asnjë banor të mos mbetet pa u regjistruar. Regjistrimi do të jetë 6 ditë në javë, nga e martja në të dielën. Kërkohet nga ju si komunë që sidomos në vikende të mbështesni stafin e regjistrimit”, ka thënë Kastrati.

Të ngjashme