Lladrovci: Ne jemi forca e ndryshimit në Drenas, Drenicë e Kosovë

Drenas | 21 Sht 2017 | 23:29 | Nga

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovci, në mbrëmje, së bashku me asamblistët e Listës së PDK-së për Drenas, kanë zhvilluar takim promovues të fushatës për zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

Me këtë rast, Z. Lladrovci ka kërkuar unitet, sepse vetëm ashtu mund të ketë rezultat dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët. Ai i ka ftuar të gjithë ta tregojnë dhe dëshmojnë se ata janë Forca e ndryshimit në Drenas, në Drenicë dhe në Kosovë.

Ja postimi i plotë, nga fjalimi i shkëputur i Ramiz Lladrovcit, i publikuar në rrjetin social:

“Në takimin promovues të hapjes së fushatës për Zgjedhjet lokale, në tubimin madhështor në Drenas, kam folur rreth rëndësisë së unitetit. Sepse, edhe dje, sot e nesër, gjithmonë uniteti jep rezultat.

Me bindje të thellë, ju them, se kur mora besimin e Partisë dhe Kadri Veselit, e kam pasur parasysh këtë moment, momentin e ballafaqimit të interesit tonë si komunë, si parti që ka paguar çmimin më të lartë për lirinë e Kosovës.

Sot, ne jemi të tubuar pranë PDK-së, kësaj force të ndryshimit për vendin, forcës së ndryshimit për kombin, neve, anëtarëve të PDK-së, sot, na duhet unitet i paparë që t’ua tregojmë vendin hijenave që jetojnë nga përçarja dhe fjalamania.

Nëse dikush e di ndonjë parti që bën më shumë se unë dhe Ju asamblistë të nderuar, le të na japin argumente, se çka kanë bërë ata për neve, le të na tregojnë çka kanë bërë për lirinë tonë, që t’ju besojmë. Sot, ju garantoj se kurrë nuk do të ketë anëtarë as familje që kanë dhënë dhe janë gati të japin më shumë se na për qytetin e komunën tonë Drenasin, Kosovën dhe kombin tonë.

Na e duam vendin tonë pa kushte e kushtëzime, na e duam të ardhmen e fëmijëve tanë pa brenga që i kemi pasur dje në robëri. Na duam arsim e shkolla të mira, shëndetësi e vende të punës. Së bashku mund t’ia arrijmë.

Ju ftoj ta tregojmë dhe dëshmojmë se na jemi forca e ndryshimit në Drenas, në Drenicë dhe në Kosovë.

Ju uroj sukses dhe shëndet asamblistëve dhe krejt qytetarëve të Drenasit. Fitorja është jona, me fitoren tonë, uniteti ynë do të fuqizohet sepse ne dimë të kemi vetëm fitore. Në Drenas, në Drenicë, në Kosovë. Urime, sukses asamblistë të PDK-së, urime PDK. Na jemi forca e ndryshimit në Drenas dhe krejt Kosovën!”, ka shkruar Ramiz Lladrovci.





Fjalë Kryesore:

Të ngjashme