Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka vlerësuar lart rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, duke theksuar se prania amerikane në vend është një bekim dhe garanci për lirinë dhe orientimin euro-atlantik të shtetit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lladrovci ka rrëfyer një bisedë me një zyrtar të lartë të Bashkimit Evropian, i cili kishte vlerësuar rëndësinë e pranisë amerikane në Kosovë.
“Para disa kohësh, kisha një mysafir në shtëpi, zyrtar i lartë i BE-së, dhe foli për vizitat në të gjitha kontinentet dhe foli për mikpritjen në ato shtete. ‘Ju jeni me fat për praninë amerikane në Kosovë, nuk e dini sa dhjetëra shtete do të ishin të lumtura po ta kishin vetëm një ushtar amerikan me uniformë në shtetin e tyre’, më tha miku im”, ka shkruar Lladrovci.
Ai ka shprehur keqardhje për qasjen që, sipas tij, disa qytetarë dhe politikanë kanë ndaj SHBA-së, veçanërisht ata që kanë përjetuar periudhën e sundimit jugosllav.
“Për fat të keq, nuk befasohem për gjeneratën e pas vitit 2000 e cila nuk e përjetoi luftën e nuk kanë ndjenja ndaj Amerikës apo pranisë amerikane këtu, por më vjen çudi nga ata që e provuan robërinë jugosllave dhe nga disa politikanë për qasjen ndaj aleatit më të madh të Kosovës dhe kombit shqiptar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka theksuar ai.
Lladrovci ka nënvizuar se prania amerikane në Kosovë ka një rëndësi të veçantë për ata që kontribuuan në çlirimin e vendit dhe ndërtimin e shtetit.
“Prania amerikane në Kosovë është bekim për shtetin tonë, në veçanti për të gjithë neve që punuam dhe luftuam për lirinë e Kosovës, përjetuam që Republika e Kosovës të jetë shtet brenda vlerave euro-atlantike”, ka deklaruar Lladrovci.
Në fund, ai e ka cilësuar Amerikën si mbrojtëse të lirisë në nivel global.
“Amerika është më shumë se shtet, është vet gardiani i lirisë globale”, ka shtuar ai.