Logjika mbi fantazinë e Shengenit Ballkanik

Prishtinë | 10 Tet 2019 | 19:50 | Nga Sonila Meço

Për hir të kronikës, ishte fillimviti 2017.

Të ardhurat e ulëta e papunësia e lartë rëndonin si sot jetën e qytetarëve në rajon, mijëra njerëz të arsimuar emigronin e emigrojnë drejt perëndimit çdo vit dhe pritja për hapjen e dyerve të Europës sa e shton edhe më shumë cinizmin se hyrja në familjen e përbashkët do të arrihet vetëm duke shkuar çdo njeri me këmbët e veta. Për këtë, asokohe Komisioneri për Zgjerimin e BE-së Johannes Hahn mbështeti publikisht krijimin e Zonës Ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Samiti i Triestes u zhvillua pikërisht me këtë ide, të ofroheshin fondet për projekte konkrete ndërlidhjeje dhe të testohej Zona e Përbashkët Ekonomike.

Kryeministri Edi Rama në editorialin e tij për Wall Street Journal po në atë kohë argumentonte se pse Shqipëria do të mbështesë Zonën e Përbashkët Ekonomike. Vetë Vuçiç, presidenti serb, i pyetur se përse duhet kjo Zonë Ekonomike kur Bosnie-Hercegovina, Shqipëria, Maqedonia Mali i Zi, Kosova dhe Serbia bashkëpunojnë nën Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore (CEFTA), argumentonte se bashkëpunimi edhe më i thellë do të siguronte rritje të qëndrueshme. Duke folur për hekurudhën që do të lidhë Beogradin me Sarajevën e Prishtinën ai qartazi u shpreh se nuk është vetëm një projekt ekonomik, por Jugosllavia e vjetër plus Shqipërinë, një ide politike që nuk prek sovranitetin e vendeve anëtare.

Këtu nisi paniku për një projekt që do të rikthente Jugosllavinë e dikurshme, në mos një epërsi të ekonomisë, që do kish përfitimin më të madh, Serbisë. Kritikat asokohe mbi zhvillimin e një Zone të Përbashkët Ekonomike buronin më së pari nga kjo deklaratë.
Kosova u alarmua, pas saj Shqipëria do të mohonte ekzistencën e një plani të tillë. I cili rimerret pas 2 vitesh, por me mbështetjen e Shqipërisë dhe kundërshtinë e Kosovës, Malit të Zi, Kroacisë.

Që të kundërshtosh një ëndërr në sirtar të Vuçiç për “Jugosllavinë plus Shqipërinë” (vështirë të harrohet kjo deklaratë), të duhet jo një ëndërr tjetër, por realitet. Realiteti se Shqipëria po hidhet në një aventurë pa transparencë pasojash.

Ja faktet:

Cila është madhësia e ekonomisë shqiptare? Cili është ndikimi i saj në rajon? Në ç’vend renditet sipas treguesve makroekonomikë?

Prodhimi i brendshëm bruto i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor sipas FMN nuk është as 1% e totalit të prodhimit të Europës Perëndimore. Në Ballkanin Perëndimor Serbia kryeson me mbi 42% të ekonomisë së këtij rajoni, gati 5fishi i ekonomisë sonë.

Të ardhurat e Shqipërisë sipas konvergjencës janë sa 30% e mesatares së BE-së, teksa vendet e tjera të Rajonit kanë shënuar përparime në rritjen e të ardhurave, të gjitha mbi 30%, me Serbinë në epërsi të dukshme.

Për vitin 2018, Shqipëria vlerësohet të ketë pasur të ardhura për frymë prej 5261 dollarësh, duke lënë pas vetëm Kosovën. Në rajon, të ardhurat më të larta i ka Mali i Zi, me 8,644 dollarë për frymë, duke u renditur i 79-i në botë, i ndjekur nga Serbia me 6,815 dollarë (vendi 88); Maqedonia, me 5,953 dollarë (95) dhe Bosnjë-Hercegovina me 5,704 dollarë (e 100).

Në raportin e fundit ‘Doing Business’ të Bankës Botërore, Shqipëria ka renditjen më të ulët në raport me vendet e tjera të rajonit, duke lënë pas vetëm Kosovën.

Sipas Eurostat, vitin e kaluar eksportet e kompanive shqiptare në tregjet e huaja ishin vetëm 7.7% e prodhimit kombëtar ose rreth 5 herë më pak se sa mesatarja e vendeve të BE.
Shqipëria ka një nivel jashtëzakonisht të ulët eksportesh edhe nëse krahasohet me ekonomitë e ngjashme që e rrethojnë. Në Bosnje, eksportet e mallrave zënë 30% të Prodhimit Kombëtar, në Serbi 37 %, ndërsa në Maqedoninë e Veriut shifra arrin deri në 40%. Niveli i ulët i eksportit të mallrave është tregues i prapambetjes ekonomike të vendit, veçanërisht sektorit të industrisë, që është dhe gjeneruesi kryesor i eksporteve.

Sipas Eurostat, Shqipëria është vendi më i pa-industrializuar i Europës, teksa në total sektori i industrisë zë vetëm 13% të prodhimit kombëtar, nga 20% që është mesatarja e rajonit.

Në Indeksin e Inovacionit Global Shqipëria është e fundit në gjithë Europën, duke treguar një nivel të ulët të zhvillimit të inovacionit në sektorin prodhues dhe teknologjisë së informacionit.

Pra Shqipëria ka dështuar në krijimin e një mundësie për të qenë lider në tërheqjen e investimeve. Sepse lider nuk të bën as dëshira e mirë, as vetëkrekosja e as shtatlartësia e liderit. Kush ka menduar se fondet do të shpërndahen sipas centimetrave të trupit dhe egos së udhëheqësve duhet mos lejojë të përvëlohet nga vlimi i ‘kazanëve’ mediatikë.

Si do ta përballojë Shqipëria konkurrencën në rajon? Dhe a është vërtetë një shtojcë në ëndrrën e Vuçiç dhe atyre që duan të ngjallin me shifra ekonomike Jugosllavinë e re?

Gjykojeni vetë!

Të ngjashme