Loja politike e Serbisë prish lojën sportive

Prishtinë | 24 Mar 2018 | 09:42 | Nga

Pasi drekuan në sallën e madhe të godinës shtesë të hotelit “President” në resorin Kovilovo, hendbollistet e Kosovës kaluan pranë dhjetëra policëve serbë. Shumica prej lojtareve ishin në disponim të mirë, të buzëqeshura, ndërsa të gjitha ishin të veshura me tuta dhe xhaketa me mbishkrimin “Kosova”.

Nga salla e ushqimit, përmes rrugës së ngushtë pranë së cilës kishte plot policë, hendbollistet iu drejtuan njërës prej sallave në hotelin ku po qëndrojnë, për një takim. Po afrohej ora 14:00 dhe ishte koha për konsultimet e fundit para një ndeshjeje historike, shkruan sot Koha Ditore.

Hendbollistet në takim morën detyrat e fundit nga shtabi i trajnerëve dhe iu drejtuan dhomave për t’u bërë gati për ndeshje. Kur ato hynë në takim, zhvillimi i ndeshjes me Serbinë nuk vihej në dyshim. Kur ato dolën nga takimi gjërat kishin ndryshuar rrënjësisht. Takimi u vendos që mos të luhet. Dhe nuk u luajt.

Pati zhvillime dramatike në kohën kur vashat e Kosovës gjendeshin brenda në sallë me trajnerët e tyre, duke bërë planifikimet e fundit për ndeshjen me Serbinë, të parën mes dy përfaqësueseve në territorin e Serbisë. Në hollin e hotelit qëndronte Izet Gjinovci, sekretar i përgjithshëm i FHK-së, dhe anëtarë të tjerë të delegacionit.

Presioni te delegacioni po rritej me kalimin e kohës. Po afrohej koha për të nisur një ndeshje historike. Dhe papritmas, portalet serbe publikuan njoftimin se ndeshja Serbi – Kosovë nuk do të luhej, në bazë të një vendimi të Qeverisë së Serbisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme