Loriana Kuka premton kthim të fuqishëm në gara

Prishtinë | 24 Shk 2020 | 15:44 | Nga Ekonomia Online

Viti 2019 ishte bindshëm më i suksesshmi në karrierën e deritashme të Loriana Kukës. Xhudistja që ka lënë Zvicrën për të bërë karrierë në Kosovë, ka fituar medalje në ngjarjet më të mëdha sportive.

Por Loriana synon suksese tjera gjatë këtij viti. Paraqitjen e parë këtë vit pritet ta ketë më 8 mars në turneun Grand Prix që do të mbahet në Rabat të Marokut. 22-vjeçarja së fundi ka garuar më 24 tetor të vitit të kaluar në Grand Slamin e Abu Dhabit, ku u rendit e pesta. Për shkak të ngarkesës së madhe fizike, ka pauzuar nga garat në katër muajt e fundit.

Tani është e gatshme dhe plot energji për kthim të fuqishëm. Më 22 qershor të vitit të kaluar, Loriana Kuka kishte fituar medaljen e bronztë në Lojërat Evropiane. Gara e xhudos në Lojëra Evropiane është numëruar edhe si kampionat evropian i xhudos. Pra ajo është edhe medaliste evropiane. Më pas, më 25 gusht, Loriana fitoi medalje të bronztë edhe në kampionatin botëror. Ajo garon në kategorinë deri 78 kg.

Me medaljen në Botëror, mbesa e trajnerit Driton Kuka, ka tejkaluar të gjitha pritshmëritë. Madje me rezultat e ka befasuar veten.

Loriana Kuka ka bërë ngritje të madhe në karrierë prej se ka lënë Zvicrën për të vazhduar karrierën në Kosovë, rreth tri vite më parë. Suksese tjera prej saj priten këtë vit, por edhe në vitet në vazhdim.

“Besoj që jam e gatshme për kthim të fuqishëm në gara. Ka katër muaj që jam jashtë garave, por në muajin e fundit kam pasur stërvitje të forta dhe çdo gjë ka shkuar si duhet”, ka thënë Loriana Kuka për Koha.net. Ajo aktualisht është e 14-ta në ranglistën olimpike, në kategorinë deri 78 kg. Normën për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” e ka të sigurt, por synon rangim sa më të mirë.

“Gara e parë këtë vit për mua do të jetë në Grand Prix të Marokut, më 8 mars. Shpresoj të paraqitem mirë në këtë garë, por edhe në garat tjera. Synim pak më i largët është paraqitja e mirë në kampionatin evropian e po ashtu të zë vend në mesin e tetë më të mirave në ranglistë për Olimpiadë”, ka thënë Kuka. Evropiani i këtij viti mbahet prej 1 deri më 3 maj në Pragë të Çekisë. Kosova do të synojë disa medalje në atë garë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme