LVV-ja akuzon opozitarët për “zhvatje e korrupsion” me video të re: “Drejtësia do të vjen për ta”

Prishtinë | 28 Gus 2023 | 19:44 | Nga Ekonomia Online

Nën titullin “Zhvillimi dhe drejtësia shkojnë bashkë”, Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar një video në Facebook, ku lavdëron Qeverinë Kurti për punët e saj, teksa hedh kritika dhe akuza ndaj opozitarëve.

Sipas LVV-së, “ekonomia shënoi progres të paparë” me udhëheqjen e Qeverisë Kurti, raporton Paparaci.

Mes tjerash, LVV-ja thotë se zvillimi ekonomik gjatë Qeverisë Kurti dhe krijimi i vendeve të reja të punës “nuk iu pëlqeu humbësve dhe zhvatësve të këtij vendi, atyre që prej qeverisjes tonë u është ndalur çezma e po u rrezikohet pasuria e paligjshme”.

“Për herë të parë u tejkalua shifra 400 mijë vende aktive të punës. Mbi 40 mijë vende pune u hapën. Mbi 330 vende të lira pune janë sot në platformën Superpuna. Investimet e huaja kaluan shifrn mbi 500 milionë euro, dogana mblodhi mbi 1 miliard euro. Rezervat shtetërore u ngritën në 25 milionë euro. Rrugët nacionale u zhbllokuan”, thuhet në reagimin e LVV-së.

LVV-ja thotë se ish-pushtetarët po “sikletosen” për Vettingun në Sistemin e Drejtësisë, transmeton Paparaci. Mes tjerash, partia e kryeministrit Albin Kurti, rrahjen në Kuvendin e Kosovës, po e cilëson inskenim dhe organizim të opozitës, teksa shprehet edhe për dyshimet mbi keqpërdorimet e rezervave shtetërore.

“U organizuan të sulmojnë. Provuan të inskenojnë gjithfarëlloj protestash duke keqpërdorur grupe që kanë halle të rëndë në shoqërinë tonë. Hodhën në ajër ide imagjinare për afera gruri, afera vaji, afera e martini, afera këso e aso, dhe kur panë që asgjë s’po ngjet. Dolën me audioincizime të militantëve të tyre për të provuar baltosjen e njerëzve tanë në institucione. Asnjë provë a dëshmi, por vetëm shpifje ndaj qeverisë që nuk po ua lagë fytin si qeverisjet e kaluara. Ndryshimi i madh që tashmë është duke u jetësuar në Kosovë është i pandalshëm. Nomenklatura e moçme po e përdorë mjetin e fundit që e ka në duar prokurorinë speciale. Por, do të dështojnë të gjithë se bashku… Ne jemi me popullin dhe për ta do të qeverisim”, thuhet në video.

Po ashtu, partia në pushtet thotë se drejtësia do të vijë për ish-pushtetarët e për secilin, pasi “ne nuk korruptohemi e as nuk shantazhohemi”.

‘Vettingun do ta bëjnë, nuk kanë pse sikletosen. Drejtësia do të vjen për ta, për secilin, e zhurma e tyre vetëm sa do të rritet. Ne nuk korruptohemi e as nuk shantazhohemi. Ne jemi me popullin dhe për ta do të qeverisim”, përfundon videoja e publikuar nga LVV-ja në Facebook.

Të ngjashme