Albulena Haxhiu, nga Lëvizja Vetëvendosje, në një konferencë të jashtëzakonshme për media në lidhje me zhvillimet e fundit në KQZ, e ka quajtur joligjore thirrjen e një anëtari të LVV-së dhe LDK-së nga zyra e presidentit, ndërkohë që të dy partitë në fjalë kanë propozuar nga dy anëtarë për KQZ.
“Zyra e presidentit më 14 qershor në kundërshtim me Kushtetutën ka ftuar vetëm nga një anëtar të Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së. Zyra e presidentit ka emëruar vetëm nga një anëtar të LVV-së dhe LDK-së në KQZ duke emëruar nga dy anëtarë të PAN-it. Hashim Thaçi nuk mund ta përdorë pozitën e presidentit për t’ua mohuar partive atë që ia kanë dhënë qytetarët. Kërkojmë nga zyra e presidentit që sa më parë të konfirmohen dy anëtarët e LVV-së dhe LDK-së. Ne jemi në bashkëpunim edhe me LDK-në për të bashkëpunuar për veprimet tona. Ajo çka dihet është që ne do ta kundërshtojmë presidentin për atë që po bën”.
Adnan Rrustemi, anëtar i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se veprimi i zyrës së presidentit është politik dhe jashtë kushtetutës, raporton Ekonomia Online.
“Përkundër që po bëhen dy muaj që VV-ja ka dërguar dy nominimet për anëtarë të KQZ-së, veprimi i presidentit që ka ftuar vetëm nga një anëtar të VV-së dhe LDK-së është kundër kushtetues por edhe politik. Në bazë të Kushtetutës dhe ligjit, presidenti duhet të kërkojë nga dy grupet parlamentare të bëjë nominimin e anëtarëve të KQZ-së dhe t’i konfirmoj ataë. LVV kërkon që zyra e presidentit të korrigjojë gabimin e fundit”, tha ai.
Nazlie Balaj tha se presin që zyra e presidentit ta korrigjojë gabimin e bërë, raporton EO.
“Kam pranuar një telefonatë nga zyra e presidentit që ka të bëjë me betimin tim si zyrtare e KQZ-së. Nuk kam marrë ndonjë telefonatë zyrtare. Ndërkohë që kolegu im i nominuari i dytë nuk është thirrur. Ky veprim është jokushtetues dhe joligjor”, tha ajo.