Macron: Do të luftoj për Evropën dhe kundër ndasive

Prishtinë | 08 Maj 2017 | 11:11 | Nga

Presidenti i sapozgjedhur francez Emmanuel Macron, tha se Franca ka hapur një faqe të re të historisë, dhe premtoi se gjatë mandatit të tij do të luftojë kundër ndasive të cilat siç tha, janë shkatërruese për këtë vend, transmeton Anadolu Agency (AA).

Macron duke iu drejtuar përkrahësve pas rezultateve të publikuara paraprake, ku fitoi ndaj rivales së tij Marine Le Pen në zgjedhjet presidenciale, duke falënderuar të gjithë që i dhanë votën, tha se kjo është një nder dhe përgjegjësi e madhe.

Ai shtoi se është i vetëdijshëm për “zemërimin, dyshimet dhe ankthin që shumë francezë e ndiejnë”.

Politikani pro evropian ka premtuar se do të punojë në rivendosjen e sërishme të lidhjeve mes Evropës dhe popujve që e përbëjnë atë. Ai premtoi se Franca do të jetë në krye të luftës kundër terrorizmit, si brenda territorit të saj ashtu edhe në nivel ndërkombëtar.

Ai tha se qëllimi i tij kryesor në pesë vitet e ardhshme është “të ulë frikën e njerëzve, të rikthejë besimin e Francës dhe të mbledhë të gjithë qytetarët për t’u përballuar së bashku me sfidat”.

“Do të luftoj me të gjithë forcat kundër ndarjeve që na shkatërrojnë dhe na mposhtin, dhe do t’u kthejmë francezëve mundësinë që Franca u ka borxh. Ejani ta duam Francën. Në pesë vitet e ardhshme do të shërbej në emrin tuaj me përulësi, përkushtim dhe vendosmëri. Rroftë Republika, Rroftë Franca”, ka deklaruar presidenti më i ri deri më tani i Francës.

Protesta kundër Macron në Francë
Qindra protestues pas shpalljes së fitores në zgjedhjet presidenciale nga Macron, janë mbledhur në distriktin 20 të Parisit. “Macron jep dorëheqjen”, “Ju nuk na përfaqësoni ne”, “kryengritje”, ishin këto disa nga sloganet dhe pankartat që protestuesit radikalë të djathtë përdorën gjatë marshimit të tyre.

Pas ndërhyrjes së policisë, protestuesit u shpërndanë në sokakë, ndërsa dëmtuan bizneset, rrugët dhe mbyllën rrugët me kosha plehrash.

Rreth 500 persona u mblodhën në qendër të Nantes-it. Grupi që emërton veten si “anti-kapitalist”, marshoi me pankartat “Brez i pakontrolluar”.

Ndërhyrja e policisë ka qenë e fortë dhe e menjëhershme ndaj grupit që në drejtim të tyre hodhi lëndë djegëse dhe mjete prerëse. Policia arrestoi 7 persona, ndërsa një gazetar ka mbetur i plagosur.

Dy grupe ballë për ballë

Rreth 100 persona të cilët e kanë quajtur veten e tyre si mbështetës të kandidatit për president, Jean-Luc Melenchon, janë mbledhur në Strasburg për të protestuar zgjedhjen e Macron.

“Macron dorëhiqu” dhe “Rruga kundër kutive të votimit”, ishin pankartat që ato mbanin në duar. Teksa organizonin protestën ata janë sulmuar nga një grup me maska. Ndërkohë thuhet se grupi sulmues ishin mbështetës të kandidates radikale të djathtë, Le Pen.

Rreth 500 persona janë tubuar në qytetin Grenoble dhe hodhën sloganet “As Macron as Le Pen”. Policia përdori gaz lotsjellës për shpërndarjen e tyre.

Kandidati i pavarur i qendrës për president të Francës, Emmanuel Macron (39) ka shënuar dje fitore bindëse në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale ndaj rivales së tij më të afërt, kreun e ekstremit të djathtë Marine Le Pen.

Sondazhet tregojnë se Macron, ish-ministri i ekonomisë dhe ish-bankier, ka fituar 62.4 për qind të votave, kurse Le Pen 37.5 për qind në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Macron, me lëvizjen “En Marche” për një vit në Francë ka tërhequr vëmendje të madhe të opinonit francez dhe atij botëror.

Kandidati i zgjedhur më së voni më 14 maj do të marrë detyrën nga paraardhësi i tij, Presidenti François Hollande.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme