Macroni dhe magnatët: Beteja rreth një “Fox News”-i francez

Prishtinë | 19 Dhj 2020 | 14:42 | Nga Ekonomia Online

Presidenti francez, Emmanuel Macron, druan se nëse magnati mediatik, Vincent Bollore, e fiton Lagarderen, atëherë mund ta shfrytëzojë radion në pronësi të kësaj kompanie – “Europe 1” – për t’i mbytur qëndrimet ekstreme djathtiste dhe për ta bërë synimin e presidentit për rizgjedhje edhe më të vështirë, kanë bërë të ditur dy burime të afërta me zhvillimet

Prapa betejës së përbashkët për kompaninë mediatike franceze Lagardere, fshihet një luftë e përnjëmendtë që përfshinë burrin më të kamur të Francës, një magnat mediatik dhe presidentin Emmanuel Macron.

Në lojë është kontrolli mbi njërin prej radiostacioneve më të njohura private franceze dhe fuqia e saj për të joshur votues në prag të zgjedhjeve presidenciale të 2022-s, kur Macroni mund të përballet sërish me lideren e të djathtës ekstreme, Marine Le Pen.

Macroni druan se nëse magnati mediatik, Vincent Bollore, e fiton Lagarderen, atëherë mund ta shfrytëzojë radion e tij “Europe 1” për t’i mbytur qëndrimet ekstreme djathtiste dhe për ta bërë synimin e presidentit për rizgjedhje edhe më të vështirë, kanë bërë të ditur dy burime të afërta me zhvillimet.

Andaj kur “Vivendi” i Bolloresë krijoi një lloj lidhjeje me Lagarderen në prill, zyra e Macronit i adresoi shqetësimet e saj te Bernard Arnaulti, themeluesi miliarder i perandorisë së produkteve të luksit LVMH dhe njëri prej mbështetësve të hershëm të presidentit, kanë thënë burimet.

“Krejt situata është duke u vëzhguar nga afër prej lart”, ka thënë njëri prej dy burimeve të Reutersit.

Javë më vonë, Arnault u përfshi në betejë, duke e mbështetur kompaninë e shefit ekzekutiv, Arnaud Lagardere, nëpërmjet fondeve dhe duke u zotuar për ta përkrahur të birin e themeluesit të tjerë të kompanisë, Jean-Luc, për të cilin Arnaulti ka thënë ta ketë pasur mikun më të afërt.

Zyra e Macronit dhe një zëdhënës i Bolloresë refuzuan që të jepnin komente. LVMH-ja nuk u është përgjigjur pyetjeve adresuar në emër të Arnaultit.

Asokohe, veprimi i Arnaultit ishte konsideruar si përpjekje për ta fuqizuar mbrojtjen, në tandem me Bollorenë, kundruall fondit Amber Capital në Londër, i cili kishte gjithashtu përplasje me Lagarderenë dhe kishte bërë fushatë për ndryshimin e menaxhmentit të kompanisë.

Një burim i afërt me Arnaultin ka thënë të ditur se kjo dhënie e tij pas Jean-Lucut ishte e përnjëmendtë dhe se e kishte shtyrë atë që të vepronte kur i biri i tij kërkoi ndihmë për ta shmangur Amber Capitalin.

Por, veprimi i miliarderit i vuri në mëdyshje rivalët francezë të biznesit.

“Fox”-i francez?

Pas një karriere të gjatë, të ndërtuar mbi reputacionin e ujdive të majme afariste, si ajo kur LVMH-ja e rinegocioi blerjen e gjigantit amerikan të stolive “Tiffany”, jo pakkush pyetej nëse Arnaulti mund ta ketë pasur ndonjë motiv tjetër për lërimin e fondeve te Lagardere. Pasi fillimisht investoi 80 milionë euro, Arnaulti i bleu 7.75 për qind të hiseve në Lagaredere, tani me një vlerë prej 209 milionë eurosh.

Spekulimet kanë marrë krye në mediet franceze se fshihet një lloj “engjëlli politik” në këtë veprim të befasishëm të Arnaultit për të investuar në një kompani që ka grumbulluar humbje dhe borxhe derisa pandemia e koronavirusit ka shkërmoqur rrjetin e tij global të pikave të shitjes me pakicë nëpër aeroporte.

Qarku i brendshëm i Macronit ishte shqetësuar se nëpërmjet Vivendit, tani hisedari më i madh i Lagarderes, Bollore mund t’i konsolidonte asetet e tij mediatike dhe të krijonte një version francez të rrjetit më të madh konservator mediatik të SHBA-së, “Fox News”, me ndihmën e “Europe 1”, kanë thënë burimet.

Pak kohë pas investimit të Arnaultit në Lagardere, oferta e parë e Bolloresë për blerjen e “Europe 1” në korrik, për një çmim prej 250 milionë eurosh, është refuzuar nga menaxhmenti i Lagarderes, ka thënë një burim i tretë.

Vivendi ka refuzuar të komentojë.

Kompania veçse ka në pronësi kompaninë më të madhe franceze të televizionit me pagesë “Canal Plus”, kanali pa pagesë i lajmeve i të cilit “Cnews” ka shënuar një kthesë konservatore që prej ardhjes së Bolloresë në krye. Komentet anti-emigracion dhe qëndrimet ekstreme rreth sundimit të ligjit kanë pushtuar vokabularin e moderatorëve kryesorë të emisioneve, të cilët jo rrallë kanë ndezur mediet sociale.

Shefi i rrjetit, Serge Nadjar, ka pranuar se disa prej komentuesve të tij janë provokues, por gjatë një interviste të kohëmëparshme ka thënë se prioritet i “Cnews”-it është që të hapë debat për të gjitha temat dhe ka shtuar se për këtë nuk ekziston ndonjë vijë politike.

Stacioni “Europe 1” i Lagarderes është ballafaquar me humbje dhe me rënie të theksueshme të audiencës, por ka vazhduar që ta ruajë dhe mbrojë frymën urbane, duke shënjuar dëgjues më të arsimuar dhe me qëndrime më konservatore.

“S’ka më barriera morale”

Derisa struktura e çuditshme e pronësisë së Lagarderes ia jep shefit të saj ekzekutiv të drejtën për të vendosur veto në vendimet e rëndësishme, pavarësisht se i mban në duar vetëm 7 për qind të hiseve të kompanisë, analistët ende presin që investuesit madhorë të saj të bëjnë përpjekje për ta rrëmbyer hisen e kontrollit mbi bizneset e kompanisë.

Vivendi tani ka 27 për qind të hiseve dhe është bashkuar me Amberin për 20 për qind të tjera, në mënyrë që të mund t’i jetësojë ndryshimet e gjera. Madje edhe fondi sovran i pasurisë së Katarit, investuesi kaherë i heshtur dhe i treti më i madhi i Lagarderes me 13 për qind të hiseve, ka bërë thirrje për përfaqësim të drejt të të gjithë hisedarëve.

Veprimi ka vënë nën presion menaxhmentin e Lagarderes për sa i përket trajtimit të situatës, derisa Amber Capital e ka vazhduar fushatën e saj për një ndryshim rrënjësor me qëllim të gjenerimit të performancës më të mirë të mundshme për çmimin e kërkuar.

Katër burime të afërta me situatën kanë thënë se diskutimet lidhur me zgjidhjen e gjithë kësaj kanë filluar gjatë javëve të fundit. Një burim ka thënë se Arnaulti dhe Bollore janë takuar madje personalisht.

Të dy këta kurrë më parë nuk kanë qenë rivalë direktë afaristë dhe as nuk kanë qenë veçanërisht të afërt, por as të interesuar për një luftë të drejtpërdrejtë shkaku i Lagardere, kanë thënë njerëzit që i njohin ata.

Bollore mund të jetë i kënaqur me marrjen përipër të divizionit publikues të Lagarderes apo të dakordohet për të hequr dorë nga disa asete mediatike, ani pse veçse e ka lansuar marrjen e plotë përsipër të saj. Krejt këto opsione mund ta zhbllokojnë një sagë tejet komplekse, kanë bërë të ditur burimet e afërta me bisedimet.

Skenarët e tilë, megjithëkëtë, janë ende vetëm në fazë spekulative, thanë burimet.

Sidoqoftë, lejimi i Arnaultit për t’i marrë përsipër divizionet mediatike të Lagarderes, të cilat përfshijnë të përjavshmen e Parisit “Match” dhe gazetën e së dieles “Journal du Dimache”, do të përbënte një telash.

Miliarderi tanimë ka nën kontroll të përditshmen financiare “Les Echos” dhe gazetën “Le Parisien”.

Lagardere ka në pronësi gjithashtu një biznes të menaxhimit të udhëtimeve, por sektori është goditur rëndë, pasi që pandemia ka paralizuar gjithë industrinë e udhëtimeve dhe Arnaulti është duke përjetuar probleme të ngjashme përbrenda LVMH-së, në pronësi të së cilës është edhe zinxhiri i blerjeve pa tarifa doganore “DFS”.

Ama, për ata që janë duke e planifikuar fushatën e rizgjedhjes së Macronit, mbajtja e “Europe 1” sa më larg Bolloresë është prioriteti, sidomos duke e pasur parasysh popullaritetin në rritje të “Cnews”-it dhe komentuesve të tij që kanë marrë kahen e së djathtës.

Shikueshmëria e këtij kanali është dyfishuar në tetor krahasuar me vitin paraprak dhe përderisa ende ngec prapa liderit të tregut francez BFM, tanimë ka dalë përpara kanalit të lajmeve “LCI” të “TF1”-shit – dhe transformimi i tij nuk po i alarmon vetëm ata nëpër korridoret e pushtetit.

“Ideja e përgjithshme është kjo: në emër të lirisë së shprehjes, çdo person i qëndrimeve ekstreme djathtiste është i mirëseardhur. Nuk ka më ndonjë barrierë morale”, ka thënë Sebastien Cochelin, përfaqësuesi i unionit CFDT për “Canal Plus”. “Jemi duke luajtur me zjarrin”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme