Maloku për mosdekretimin e kryeprokurorit: Ka dështuar Zyra e Presidentes – kemi zgjidhur 335 raste të korrupsionit

Prishtinë | 28 Dhj 2023 | 11:25 | Nga Erolinda Suhogrella Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial (KPK), Jetish Maloku, tha se për mosdekretimin e Blerim Isufaj për kryeprokuror të shtetit, KPK-ja e ka bërë punën që e ka pasur përgjegjësi dhe se dështuar Zyra e Presidentes, raporton Ekonomia Online.

“Nuk mendoj se Këshilli ka dështuar, ka dështuar Zyra e Presidentes. Ne kemi edhe një opinion te Komisionit të Venecias, këshillat kanë rol përmbajtjesor, e roli i presidentit është formal, pra dekretimi. Shtyrja që ka bërë presidentja, është dështim i zyrës së saj, e ka mbajte më shumë se një vit e gjysmë pezull dekretimin”.

Maloku në konferencën e fundvitit, tha se Këshilli është përballe me sfida, por ka shënuar edhe rezultate për gjatë 12 muajve punë. Ai ka bërë të ditur se gjatë nëntë muajve nga 468 raste të korrupsionit të pranuara kanë zgjidhur 335 raste, ose 72% të rasteve. Ndërsa, sa i përket krimeve ekonomike, nga 290 raste të pranuara janë zgjidhur 230 raste ose rreth 79% e rasteve të pranuara.

“Grupit Monitorues për Mbikëqyrjen e Lëndëve të Korrupsionit dhe Krimeve Ekonomike gjate këtij viti, ka realizuar disa herë vizita nëpër të gjitha prokuroritë e Kosovës, ka hartuar raporte me rekomandime bazuar në të gjeturat, të cilat janë trajtuar në takimet e Këshillit. Si rezultat i kësaj, sistemi prokurorial ka arritur që gjatë periudhës nëntëmujori të këtij viti, nga 468 raste të korrupsionit të pranuara ka zgjidhur 335 raste, respektivisht, ka zgjidhur 72% të rasteve të pranuara. Ndërsa, sa i përket krimeve ekonomike, nga 290 raste të pranuara janë zgjidhur 230 raste, respektivisht janë zgjidhur rreth 79% e rasteve të pranuara. Pra, raportet aktuale tregojnë për një efikasitet ne trajtimin e rasteve të korrupsionit dhe krimeve ekonomike”.

 “Një prej objektivave të Këshillit për këtë vit ka qenë llogaridhënia, profesionalizmi dhe disiplinimi i prokurorëve. Andaj, gjatë vitit 2023, KPK ka pranuar 9 kërkesa për fillim të procedurave disiplinore ndaj prokurorëve dhe ka themeluar nëntë panele hetimore. KPK, deri me tani, përmes paneleve hetimore ka zhvilluar procedura disiplinore dhe ka shqiptuar masa adekuate disiplinore ndaj prokurorëve konform ligjit mbi përgjegjësitë disiplinore e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Të gjitha vendimet e formës përfundimtare janë publikuar ne ueb-portalin e sistemit prokurorial të Kosovës, përveç vërejtjes jopublike me shkrim, siç parashihet me ligj”.

Fjalimi i plotë:

Mirë se keni ardhur në konferencën e fundvitit, në të cilën do të prezantoj veprimtarinë njëvjeçare të Këshillit Prokurorial të Kosovës, rezultatet dhe sfidat, me të cilat jemi ballafaquar në realizim të mandatit të Këshillit! Më lejoni që të përmend disa nga sukseset dhe punët kryesore të realizuara nga Këshilli, bazuar në mandatin e tij kushtetues dhe ligjor:

Këshilli, këtë vit, ka mbajtur 14 takime dhe ka nxjerrë mbi 190 vendime, të cilat kanë shërbyer për realizimin e mandatit kushtetues dhe ligjor në shërbim të sistemit prokurorial. Për më tepër, Këshilli ka realizuar edhe takime të tjera të shumta përmes komisioneve të veta të përhershme, ad hoc dhe trupave të tjerë, si dhe hartoi dhe miratoi gjashtë rregullore, të cilat kanë të bëjnë me: Komisionin Këshilldhënës për etikën e prokurorëve, veprimtarinë dhe organizimin e brendshëm të administratës së KPK-së, shtesat dhe kompensimet për të punësuarit në sistemin prokurorial, plotësimndryshimin e Rregullores për përzgjedhjen e kryeprokurorëve, për qasje në dokumente publike të sistemit prokurorial dhe organizimin e brendshëm dhe funksionimin e Prokurorit të Shtetit.

KPK-ja, pas procedurave të intervistimit dhe vlerësimit, ka emëruar Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, si dhe ka zhvilluar të gjitha procedurat dhe ka përzgjedhur Drejtorin e Përgjithshëm të Sekretariatit të KPK-së dhe Drejtorin e Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorisë.

Sa i përket rekrutimit të prokurorëve të shtetit, Këshilli ka finalizuar listën me 21 kandidatët më të suksesshëm për prokurorë, të cilët janë dekretuar nga Presidentja dhe kanë filluar trajnimin fillestar në Akademinë e Drejtësisë dhe, bazuar në Ligjin e ri për Prokurorin e Shtetit, të njëjtit kanë filluar të ngarkohen edhe me lëndë me një normë të caktuar.

KPK-ja, përmes rrugëve ligjore, ka avancuar 22 prokurorë dhe transferuar tre të tjerë nëpër prokuroritë e Kosovës, ndërsa në proces e sipër janë edhe dy procese për avancim, kurse lidhur me disiplinimin e prokurorëve, një prej objektivave të Këshillit për këtë vit ka qenë llogaridhënia, profesionalizmi dhe disiplinimi i prokurorëve, me ç’rast, gjatë vitit 2023, KPK-ja ka pranuar nëntë kërkesa për fillim të procedurave disiplinore ndaj prokurorëve dhe ka themeluar nëntë panele hetimore, si dhe deri më tani, përmes paneleve hetimore ka zhvilluar procedura disiplinore dhe ka shqiptuar masa adekuate disiplinore ndaj prokurorëve konform Ligjit mbi Përgjegjësitë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve dhe të gjitha vendimet e formës përfundimtare janë publikuar në uebportalin e sistemit prokurorial të Kosovës, përveç vërejtjes jopublike me shkrim, siç parashihet me ligj. Përmes Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve, Këshilli ka finalizuar vlerësimin e performancës për 56 prokurorë.

Nga ana tjetër, Grupi Monitorues për Mbikëqyrjen e Lëndëve të Korrupsionit dhe Krimeve Ekonomike, gjatë këtij viti, ka realizuar vizita nëpër të gjitha prokuroritë e Kosovës, si dhe ka hartuar raporte me rekomandime bazuar në të gjeturat, të cilat janë trajtuar në takimet e Këshillit. Si rezultat i kësaj, sistemi prokurorial ka arritur që gjatë periudhës nëntëmujore të këtij viti, nga 468 raste të korrupsionit të pranuara, ka zgjidhur 335 raste, respektivisht, ka zgjidhur 72% të rasteve të pranuara, kurse sa u përket krimeve ekonomike, nga 290 raste të pranuara janë zgjidhur 230 raste, respektivisht janë zgjidhur rreth 79% e rasteve të pranuara.  Pra, raportet aktuale tregojnë për një efikasitet në trajtimin e rasteve të korrupsionit dhe krimeve ekonomike.

Rrjedhimisht, buxheti i Këshillit për vitin 2023 pas rishikimeve buxhetore është 14,801,547,45 euro dhe deri më tani, KPK-ja ka realizuar 88.7% të buxhetit total, për të gjitha kategoritë ekonomike dhe programet buxhetore të Këshillit për shpenzimet e krijuara deri më 27 dhjetor 2023 (nuk janë të përfshira pagat e muajit dhjetor). Buxheti i Këshillit, sipas Qarkores së Dytë Buxhetore për vitin 2024, është 17,265,867.00€, por as për këtë vit nuk është miratuar plotësisht sipas kërkesave dhe nevojave të sistemit prokurorial. KPK-ja ka pranuar edhe Raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit, sipas të cilit nuk ka pasur asnjë të gjetur të kualifikuar.

Këshilli ka vazhduar politikën e bashkëpunimit të hapur dhe profesional me të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare, me donatorë dhe partnerë të shumtë, të cilët dua t’i falënderoj edhe përmes kësaj konference për mbështetjen e madhe dhe të vazhdueshme që kanë dhënë dhe po japin për Këshillin Prokurorial.

Sa i përket transparencës publike, KPK-ja ka filluar transmetimin e drejtpërdrejtë të takimeve të Këshillit dhe me përkrahjen e Ambasadës Amerikane ka hapur kanalet zyrtare në Facebook dhe YouTube dhe sistemi prokurorial ka vazhduar publikimin e Raportit 24-orësh, përmes të cilit publiku njoftohet lidhur me veprimet e prokurorive për 24 orë, si dhe kemi caktuar edhe Zyrtarin e ri për Qasje në Dokumente Publike dhe tërë sistemin prokurorial janë të caktuar zyrtarët për sinjalizim. Uebportali i sistemit prokurorial është pasuruar në baza ditore me informata të reja që mund t’u shërbejnë qytetarëve dhe, me përkrahjen e UNDP-së, jemi në proces të finalizimit të uebportalit të ri, i cili pritet të funksionalizohet në fillim të vitit 2024. Në këtë drejtim, KPK-ja nuk do të ndalet së punuari që komunikimi publik, transparenca, llogaridhënia, perceptimi dhe besueshmëria të arrijnë vlerësimin e merituar nga opinioni publik.

Këshilli, në bashkëpunim me Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, ka koordinuar dhe mbështetur ngritjen e kapaciteteve të prokurorëve dhe stafit dhe në bashkëpunim me Akademinë e Drejtësisë dhe partnerë të tjerë vendorë dhe ndërkombëtarë janë organizuar programe të ndryshme trajnuese, bazuar në nevojat e sistemit prokurorial.

Sikurse çdo institucion tjetër, edhe KPK-ja ka pasur sfida gjatë vitit 2023, me ç’rast dëshiroj t’i theksoj disa prej tyre, si: Mosplotësimi i përbërjes së Këshillit me dy (2) anëtarë joprokurorë, që me hyrjen në fuqi të Ligjit për Këshillin Prokurorial në prill vitit 2019 nuk është përgjegjësi e Këshillit as përzgjedhja dhe as procedurat teknike të shpalljes së konkursit, buxheti i pamjaftueshëm për të mbuluar të gjitha obligimet e krijuara, pengesat në dekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit, ndërmarrja e aktiviteteve të shumta për mbrojtjen e pavarësisë së Këshillit dhe Prokurorit të Shtetit, që ndërlidhen me iniciativat për ndryshime ligjore dhe shkarkim të anëtarit jo prokurorë të Këshillit, specializimi i prokurorëve për trajtimin e krimeve karakteristike (korrupsioni, krimi i organizuar, krimi ekonomik dhe krimet kibernetike), mosrespektimi i parimit të transparencës përmes disa publikimeve mediale që ndikojnë drejtpërdrejt në dëmtimin e besimit të publikut në sistemin prokurorial, ngritja e kapaciteteve profesionale të personelit të sistemit prokurorial.

Lidhur me planifikimin e punës së Këshillit për vitin 2024, për më tepër, duke reflektuar në harmoni me ndryshimet ligjore, Këshilli do të vazhdojë punën në hartimin dhe miratimin e akteve nënligjore përkatëse të parapara me këto ndryshime dhe do të zhvillojë procedurat për zgjedhjen e kryeprokurorëve të Prokurorisë së Apelit dhe gjashtë prokurorive themelore të vendit, duke qenë se mandati i tyre skadon në fund të vitit 2024.Në fillim të vitit 2024 pritet të përfundojë Plani Strategjik për komunikim publik 2024-2026, ndërsa në fund të vitit 2024 do të hartohet dhe finalizohet Plani i ri Strategjik i sistemit prokurorial për vitet në vazhdim.

Në përfundim, ju njoftojmë seKëshilli do të publikojë Raportin e Punës për vitin 2023 në fillim të vitit 2024 dhe do ta bëjë të qasshëm në faqen zyrtare dhe në kopje fizike, me ç’rast publiku dhe Ju, përfaqësues të nderuar të mediave, do të informoheni në detaje për aktivitetet tona gjatë vitit që po e lëmë pas, si dhe do të hartohet dhe publikohet edhe Plani i Punës për vitin 2024, në të cilin do të përcaktohen më në detaje planifikimet për të gjitha njësitë për vitin që po vjen.

Me këtë rast, ju falënderoj juve përfaqësues të mediave të respektuara për bashkëpunimin që kishim gjatë këtij viti dhe ju uroj Vitin e Ri 2023, duke shprehur edhe njëherë gatishmërinë e Këshillit dhe përgjithësisht të sistemit prokurorial për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në të ardhmen.

Faleminderit dhe mirupafshim herëve të tjera!

Të ngjashme