Manastirliu dhe Veliaj shohin nga afër procesin e vaksinimit të policëve

Prishtinë | 09 Pri 2021 | 16:17 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Shëndetësisë në Shqipëri Ogerta Manastirliu dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj kanë ndjekur nga afër procesin e vaksinimit të efektivëve të policisë bashkiake në pikën e vaksinimit në Stadiumin “Air Albania” ku është duke përfunduar vaksinimi i të gjithë uniformave blu.

“Ne kemi filluar tashmë prej ditësh me efektivët e policisë së shtetit. E kemi shtrirë edhe tek policia bashkiake. Janë tashmë më shumë se 9 mijë efektivë të policisë që janë vaksinuar. Dhe ky është padyshim një sukses sepse në një kohë shumë të shpejtë po arrijmë të mbrojmë shumë qytetarë të rrezikuar të shërbimeve kritike por padyshim edhe gjyshet dhe gjyshërit, të cilët kanë një vit që kanë përballuar jo vetëm stres, por edhe një izolim social nga kjo pandemi”.

Duke nënvizuar se objektivi është vaksinimi i 500 mijë qyetarëve brenda muajit maj, Manastirliu ka bërë me dije se 100,000 dozat e vaksinës së kompanisë Sinovac të mbërritura dje do të shpërndahen në gjithë vendin për të filluar vaksinimi i moshave mbi 60 vjeç.

“Dje kanë mbërritur -pas asaj ngjarje të paprecedent që ndodhi dy ditë më pare- 100 mijë vaksina të Sinovac, të cilat pas gjithë procedurave verifikuese, do të shpërndahen në territor, në qendra shëndetësore dhe qendrat e vaksinimit të përqëndruar, për të vijuar vaksinimin masiv, duke zbritur në grupmoshë dhe duke vijuar me +65 vjeç dhe +60 vjeç me sëmundje kronike”.

Duke vlerësuar vaksinimin e policisë bashkiake, Kryetari i Bashkisë së Tiranës shprehu mirënjohje për punën e stafeve mjekësore.

“Një punë heroike e këtyre njerëzve, që ndoshta ata kanë punën më të stresuar dhe kanë 1/10 e rrogës. Dhe këtu është padrejtësia, kanë 1/10 e rrogës të atyre që i zë stresi nga 5 mijë euro në muaj. Dhe për ta jam shumë krenar. Kjo është Shqipëria e vërtetë. E atyre njerëzve që punojnë kokëulur, që shërbejnë, që e kuptojnë që tani jemi në luftë. Që e kuptojnë që qeveria në momentin e parë që kishte mundësi i rrit rrogat nga 40%”.

Deri tani janë kryer 242,719 vaksinime për të moshuarit, mjekët, infermierët, stomatologët, farmacistët, arsimtarët, edukatorët, punonjësit e rendit, punonjës të medias.

Në Shqipëri kanë mbërritur deri tani 389.540 doza të vaksinave antiCOVID19, ndërsa janë siguruar përmes kontratave të deritanishme, 2.1 milion doza.

Të ngjashme