MAP nis fushatën e informimit të publikut për tri projektligje, synohet ofrimi me BE-në

Prishtinë | 08 Qer 2018 | 09:40 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Administratës Publike (MAP) ka filluar fushatën e informimit dhe konsultimit të publikut për tri projektligjet e administratës publike: Projektligjin për Administratën Shtetërore, Projektligjin për Zyrtarët Publikë si dhe Projektligjin për Pagat, raporton Ekonomia Online.

Ministri Mahir Yagcilar tha se modernizimi i administratës publike ndikon në përmirësimin e cilësisë së qytetarëve dhe në afrimin e Kosovës me BE-në.

Yagcilar teksa prezantoi ato, ai shtoi se këto projektligje do të ndikojnë në ngritjen profesionale të administratës publike dhe në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies.

“Këto tre projektligje janë shtyllat e procesit të reformimit dhe modernizmit të administratës publike me qëllim ngritjen profesionale të administratës publike, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies si dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarit”.

“Projektligji për Administratën Shtetërore përcakton rregullat për organizimin dhe funksionimin e institucioneve të administratës publike dhe agjencive të pavarura të themeluara nga Kuvendi. Qëllimi i projektligjit është krijimi i kuadrit koherent ligjor për krijimin, drejtimin, mbarëvajtjen, përgjegjshmërinë dhe performancën e tyre”.

“Ky ligj adreson problemin me mungesën e llogaridhënies brenda sistemit ministror, ku kemi pas situata që organet që janë nën ministri me ligjet e veçanta pa ndonjë kriter kanë vetë-përcaktuar statusin e tyre dhe të nëpunësve të tyre dhe në shumicën e rasteve kanë marrë  funksionet e vet ministrisë, që kanë të bëjnë me politikë-bërje. Po ashtu kemi një numër të madh të agjencive si në ekzekutiv ashtu edhe në Kuvend”.

“Ndërsa Projektligji për Zyrtarët Publik ka për qëllim krijimin e kornizës ligjore për punësim të zyrtarëve publik në institucione të bazuar në merita, integritet moral, paanësi dhe qëndrueshmëri. Ky ligj adreson problemin që kemi me fushëveprimin shumë të ngushtë të ligjit të shërbimit civil duke lejuar rregullim të veçantë te marrëdhënies së shërbimit civil me ligje të veçanta”.

“Projektligji për Pagat përcakton sistemin e pagave dhe shpërblimeve për zyrtarët dhe funksionarët publik, si dhe rregullat për përcaktimin e pagave të punonjësve të ndërmarrjeve publike në Kosovë. Ky projektligj pritet të adresoj problemin me pagat e nëpunësve civil i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2010 mirëpo vlen vetëm për 18,000 nëpunësit civil, ndërsa të gjithë nëpunësit tjerë publik, rreth 80,000, paguhen sipas kritereve të përcaktuara nga një numër i madh i akteve nënligjore dhe vendimeve të Qeverisë”.

“Për shkak të kësaj situate kemi një sistem aktual të pagave në sektorin publik të fragmentuar dhe joefektiv dhe ku pozitat e njëjta paguhen ndryshe prej një institucioni në tjetrin që ka shkaktuar pabarazi të mëdha rreth shpërndarjes së pagave dhe shpërblimeve në sektorin publik”.

“Modernizimi i administratës publike në Kosovë, transformimi dhe avancimi i saj,  është një investim në demokraci dhe ekonomi, në përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët tanë dhe në afrimin e shtetit tona më pranë Bashkimit Evropian, që është interesi më i lartë shtetëror i yni”.

Besnik Tahiri, koordinator i Administratës Publike tha se është moment historike ajo çfarë është duke u bërë.

Tahiri shtoi se kjo pako e ligjeve është duke ardhur në moment shumë të rëndësishëm për Kosovën, raporton Ekonomia Online.

“Për vlerësimin tim dhe të qeverisë ajo çka po ndodh sot pra sot po vendosim në konsultim publik për një pako të ligjeve që në fakt është korniza është themeli dhe shtyllat e një shteti funksional evropian. Kjo pako e ligjeve është duke ardhur me një moment tepër të rëndësishëm të Kosovës ajo çka ne po bëjmë me këto tri ligje është rregullimi në esencë raportin e institucioneve shtetërorë po e rregullojmë shërbimin civil dhe zyrtarin publik dhe në bazë meritore po i dhënë pagën”.

Pjesë e konsultimeve për hartimin e këtyre projektligjeve kanë qenë edhe organizata joqeveritare. Visar Rushiti nga Demokracia Plus, tha se procesi për hartimin e tyre ka qenë gjithëpërfshirës.

“Për aq sa kemi qenë të përfshirë një pjesë e shoqërisë civile mundem me thënë që procesi ka qenë gjithëpërfshirës. Nga ajo që unë kam pa dhe kam kontribuar në grupet punues janë bërë tri projektligje që jam shumë të mira defi në këtë fazë”.

E gjithë fushata e informimit dhe konsultimit të publikut për këtë pako legjislative do të zgjasë 15 ditë.

Të ngjashme