Marrëveshja me MCC-në, krerët e shtetit e cilësojnë historike për Kosovën

Prishtinë | 28 Kor 2022 | 08:01 | Nga Ekonomia Online

Kosova dhe Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) kanë firmosur mbrëmë në Kongresin amerikan, Programin Kompakt të Kosovës, që pritet t’i sjellë vendit mbi 200 milionë dollarë investime në projekte në fushën e energjisë.

Krerët e shtetit e kanë quajtur këtë marrëveshje historike për Kosovën.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshje sinjalizon partneritetin për qëllime të përbashkëta.

“Është një ditë historike për Kosovën dhe ShBA-në, sinjalizon partneritetin për qëllime të përbashkëta”, tha Kurti gjatë fjalimit të tij në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes.

Ai theksoi se ky program është esencial, duke punuar intesivisht për të garantuar një furnizim me energji që është i përballuar për të gjithë.

“Strategjia jonë e energjisë shkruan rrugën tonë drejtë një të ardhme të dekarbonizuar. Ky program kompakti është esencial, jemi duke punuar intensivisht për të garantuar një furnizim me energji që është i përballuar për të gjithë”, u shpreh tutje Kurti.

Ndërkaq, presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se ky është investimi më i madh për dekada me radhë që ka ndodhur në Kosovë.

“Marrëveshja me MCC është investimi më i madh në dekada me radhë, që do të na ndihmojë që të përballemi me krizën. Marrëveshja në afron drejt një sistemi të energjisë drejt nevojave të së ardhmes”, u shpreh Osmani në ceremoninë e nënshkrimit.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka kërkuar nisjen e implementimit sa më të shpejtë të kësaj marrëveshje, derisa ka thënë se ajo vjen në një kohë kritike për sektorin e energjisë në Kosovë.

“Lajm i mrekullueshëm nga Capitol Hill: Sapo nënshkruam marrëveshjen 236.7 milionëshe në hapësirat e Kongresit Amerikan! Në kohë kritike për sektorin e energjisë të Kosovës, jam më se krenare që në emër të Republikës së Kosovës të nënshkruaj një marrëveshje kaq të rëndësishme për sektorin e energjisë dhe ekonominë e vendit”, shkroi Rizvanolli.

Rizvanolli tha se “ky program do të mundësojë stabilizimin e furnizimit me energji elektrike, integrimin e burimeve te ripërtëritshme të energjisë dhe përgatitjen e fuqisë punëtore për punësim në sektor të energjisë, me fokus të veçantë tek gratë”.

“Dua të falënderoj Drejtoreshën e MCC-së për Kosovë, Sarah Olmstead dhe Udhëheqësin e ekipit vendor të zhvillimit të projektit, Lum Mita, si dhe të gjithë anëtarët e ekipit dhe të Kabinetit tim që kanë kontribuar në zhvillimin e programit. U jam mirënjohëse ekipeve të Qeverisë së Kosovës dhe të MCC-së për punën e madhe të bërë për të ardhur deri këtu, dhe zotohem që do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim për të realizuar programin sa më shpejtë që është e mundur, në përputhje me nevojat dhe kërkesat e sektorit”, shkroi ministrja.

Programi Kompakt përbëhet prej dy projektesh dhe konsiderohet si investimi më i madh i Qeverisë amerikane në Kosovë.

Granti pesëvjeçar parasheh 202 milionë dollarë mjete direkte nga Qeveria amerikane, ndërsa pjesa tjetër e investimeve do të mbulohet nga Qeveria e Kosovës.

Të ngjashme