Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami dhe drejtoresha e OJQ-së “Toka”, Jehona Gjurgjeala, kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi për implementimin e projektit “Punëtoritë e Demokracisë/DEMOS-TI”, i cili është projekt i Kuvendit të Kosovës.
Qëllimi i këtij memorandumi është të krijojë një marrëdhënie zyrtare të bashkëpunimit në mes të MAShT-it dhe OJQ-së “TOKA” në lidhje me implementimin e projektit “Punëtoritë e Demokracisë/DEMOS-TI” me nxënësit në shkollat e Kosovës.
Ky projekt synon që me fëmijët e shkollave të Kosovës, përmes përmbajtjes interaktive, të stimulojë interesimin për proceset demokratike.
Ministri Bajrami e vlerësoi si të rëndësishëm implementimin e këtij projekti në shkollat e Kosovës, ku nxënësit do të përfitojnë njohuri për rregullat e demokracisë, funksionimin e Parlamentit dhe organeve tjera shtetërore, njohjen nga afër me ambientet zyrtare si dhe mundësi të shumta për komunikimi.
Ministri Bajrami, gjatë vizitës në ambiente të OJQ-së “TOKA”, ka zhvilluar një bisedë të shkurtër me nxënësit të cilët ishin në një punëtori ditore. Ata u interesuan për aktivitetet e Ministrisë së Arsimit, zhvillimin e arsimit, aftësimin profesional dhe perspektivën e tyre, njëherësh shprehën dëshirat se çfarë do të dëshironin të bëheshin një ditë.
Ministri Bajrami i ka përgëzuar OJQ-në “TOKA“për aktivitetet që zhvillon dhe ka ofruar mbështetjen e MAShT-it për implementimin e këtij projekti njëherësh i ftoi ata që të jenë partner në ngritjen e cilësisë në arsim.