Maxhuni: Gjuriqi u arrestua me vendim të Qeverisë, s’pati refuzim të urdhrave nga komandanti në veri

Prishtinë | 27 Mar 2018 | 12:30 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, tha se drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, është arrestuar pas vendimit të Qeverisë së vendit.

Sipas Maxhunit Gjuriqi ka qenë i ndaluar vetëm për shkak të mos posedim të lejes për të hyrë në Kosovë e jo për ndonjë akuzë tjetër, raporton Ekonomia Online.

Këto komente i ka bërë gjatë raportimit të tij në Komisionin për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Kemi pas një vendim të Qeverisë për të ndalë hyrjen e Marko Gjuriqit dhe disa zyrtarëve të Serbisë. Ai vendim është ekzekutuar nga njësitë kompetente në pjesën veriore. Ka pas vetëm ndalim-hyrje për Marko Gjuriqin, nuk ka pas ndonjë akuzë tjetër”.

Maxhuni, shtoi se Policia ka kapacitet të mbrojë integritetin territorial të Kosovës.

“Unë besoj që Policia e Kosovës është e gatshme dhe e ka dëshmuar se mund të mbroj integritetin e saj”.

Ai theksoi se nuk ka pasur refuzim të urdhrave nga komandanti i Policisë në veri. Pasi që deputeti i VV-së, Rexhep Selimi, pyeti nëse komandanti i Policisë në veri ka refuzuar arrestimi e Gjuriqit.

Sipas drejtorit të Policisë, ata kanë kapacitetet në luftimin e krimit dhe korrupsionit ngase kanë kuadro të specializuar e shkolluar.

“Sa i përket pyetjes se a kem kapacitete për të parandaluar krimin e organizuar dhe korrupsionin.. kem specializuar dhe kem shkolluar kuadrat tona në fushat e ndryshme qoftë jashtë qoftë me trajnime të shumta që janë ofruar edhe brenda vendit tonë”.

“Policia e Kosovës nuk është pjesë e Interpolit mirëpo kem bashkëpunim edhe me këtë mekanizëm por edhe me mekanizmat e tjerë. Viteve të fundit është intensifikuar bashkëpunimi mes policisë dhe interpolit, por edhe me shkëmbimin e informatave”.

Maxhuni gjatë prezantimit të raportit për vitin 2017, tha se numri i vrasjeve është në rritje për 3.84% rreth 25 vrasje kanë ndodhur në vitin 2017.

Ndërsa për 24.54 për qind është rritur numri i aksidenteve me fatalitet.

“Sa i përket punës së Policisë së Kosovës për vitin 2017 mund të konstatojmë se falë një bashkëpunimi të ngushtë që policia ka me qytetarë dhe akterët e tjerë kemi arritur që të kemi suksese dhe rezultate konkrete në dukuri negative”.

“Kemi një ngritje të lehtë të vrasjeve, viti 2017 është përmbyll me 25 vrasje fatkeqësisht dy nga personat  e dëmtuar kanë ndërruar jetë në vitin 2018 e rrit numrin e vrasjeve për 3.84”.

“Kemi një ngritje të shqiptimit të tiketave për 21.49 për qind. Aksidente në trafikun rrugor në përgjithësi ka pas rënie për 4.09 për qind. Aksidente me fatalitet kanë shënuar ngritje për 24.54 për qind e që ka qenë një nga brengat tona më të mëdha se çka dhe si duhet të bëjmë më mirë që ta ulim këtë trend”.

Të ngjashme