Mbahet takimi i 230-të i KGjK-së

????????????????????????????????????
Prishtinë | 21 Shk 2020 | 16:28 | Nga Ekonomia Online

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), ka mbajtur takimin e 230-të me radhë, nën udhëheqjen e Kryesuesit, Skender Çoçaj, me ç’rast janë diskutuar dhe miratuar pikat sipas rendit të ditës.

Takimi filloi me diskutimin rreth proceseve të mbarë vajtura të zgjedhjes së dy anëtarëve të Këshillit nga radhët e gjyqësorit, ku anëtarët e Këshillit miratuan certifikimin e rezultatit zgjedhor.

Me qëllim të qëndrueshmërisë së Projektit SMIL, u miratuan dy draft-marrëveshje për mirëmbajtjen e SMIL-it dhe Qendrës së të Dhënave, dhe për shkëmbimin e të dhënave në mënyrë elektronike nga SMIL-i, në mes të  KGjK-së dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Po ashtu, Këshilli miratoi edhe draft-Memorandumin e Mirëkuptimit në mes të Fondacionit Mijëvjeçar të Kosovës dhe KGjK-së për “Aktivitetet e Projektit të Qeverisjes për Qasjen Publike ndaj Informacioneve Gjyqësore”, i cili gjithashtu ndërlidhet me SMIL.

Këshilli, aprovoi draft-Planin Strategjik për Gjyqësorin 2020-2022, i cili synon të shërbejë si udhëzues për KGjK-në dhe gjykatat, për të arritur vizionin për një sistem gjyqësor të pavarur, i arritshëm për të gjithë, llogaridhënës dhe transparent.

Gjatë takimit, u miratua vazhdimi edhe i një mandati të anëtarëve të Komisioneve të rregullta të KGjK-së (Komisioni për Çështje Normative; Komisioni për Buxhet, Financa dhe Personel; Komisioni për Administrimin e Gjykatave; Komisioni për Emërimin e gjyqtarëve) si dhe u miratua vazhdimi i mandatit të anëtarëve të Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Gjyqtarëve, deri në marrjen e vendimit për zgjedhjen e komisionit të ri.

Anëtarët e KGjK-së, aprovuan njoftimin e Departamentit të Administratës së Përgjithshme – SKGjK, për pensionimin e gjashtë gjyqtarëve si dhe u caktuan komisionet vlerësuese për kandidatët për Kryetar të Gjykatës Themelore në Gjakovë dhe Kryetar të Gjykatës Themelore në Pejë, ku me këtë rast, Këshilli miratoi edhe kërkesën e Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) për monitorim të këtyre proceseve.

Ndër të tjera , u bë përzgjedhja e paneleve për shqyrtimin e aplikacioneve dhe intervistimin e kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Supreme, Gjykatën e Apelit, si dhe Gjykatën e Apelit-Divizioni në Mitrovicë.Me kërkesë së Kryetarit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, Bashkim Hyseni, Këshilli emëroi gjyqtarin Sahit Krasniqi si nënkryetar të kësaj Gjykate.
Lidhur me çështjen e ngritjes së aktakuzës ndaj Koordinatorit të Panelit për Lirim me Kusht, Këshilli mori vendim që të zbatohet ligji për shërbimin civil. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme