Mbappe kujton takimin e parë me Zidane, zbulon momentin qesharak

Prishtinë | 26 Shk 2020 | 16:09 | Nga Ekonomia Online

Kylian Mbappe e ka publikuar një letër në “The Players’ Tribune”, ku i ka rikujtuar stërvitjet me Real Madridin si i ri dhe gëzimin e tij kur e kishte takuar idhullin e vet, Zinedine Zidane.

Në një letër prekëse, të titullar “letër për Kylian-ët e vegjël”, sulmuesi francez i ka kujtuar ditët e hershme të karrierës së tij si futbollist, kur babai i tij ishte telefonuar nga Real Madridi, që dëshironte ta ftonte 14-vjeçarin Kylian në stërvitje për një javë në Spanjë, gjatë pushimeve shkollore, transmeton Gazeta Express.

“Ishte tronditëse sepse ata i thanë babait tim: “Zidane dëshiron ta takojë djalin tënd”. Në atë kohë, Zizou ishte drejtori sportiv i klubit. Natyrisht, unë isha në qiellin e shtatë. Doja shumë ta shkoja”, ka shkruar 21-vjeçari që tani është edhe fitues i Kupës së Botës me Francën.

Pasi që kishte vendosur të mos i tregonte askujt për udhëtimin e tij, përfshirë këtu as shokut të vet të ngushtë, adoleshenti kishte udhëtuar në Madrid. Ai kishte udhëtuar shkuar menjëherë nga aeroporti në qendrën stërvitore të Real Madridit. Aty e pati mundësinë ta takojë Zidanen – moment të cilin thotë se nuk do ta harrojë kurrë.

“Zidane na takoi në parking, afër veturës së tij, që natyrisht ishte shumë i mirë. Ne e përshëndetëm dhe ai më ofroi të më vozisë deri në vendin e stërvitjeve. Ai ma bëri me gisht te ulësja e pasagjerit dhe më tha të ulem”, kujton Mbappe.

“Por, unë vetëm u ngriva në vend dhe i thashë: “A duhet t’i zbathi këpucët?” Hahaha! Nuk e di pse e thashë atë gjë. Por, ishte vetura e Zidane! Atij iu duk shumë qesharake. Më tha: “Natyrisht që jo, futu brenda””.

“Ai më dërgoi deri në fushën e stërvitjes dhe unë po mendoja me vete: “Jam në veturën e Zidane. Kjo nuk është reale, me siguri jam ende në gjumë në aeroplan”. Nganjëherë, edhe kur je duke përjetuar diçka me të vërtetë, të duket ëndërr. Ishte ndjenja e njëjtë si në Kupën e Botës në Rusi”.


Të ngjashme