Mbi 1.5 milion euro për qendrat që strehojnë viktimat e dhunës në familje

Prishtinë | 28 Gus 2023 | 13:15 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Drejtësisë ka njofuar se rreth 1.5 milion euro janë ndarë gjatë këtij viti nga kjo ministri, për organizatat që strehojnë viktimat e dhunës në familje.

Sipas njoftimit, ministrja Haxhiu dhe zëvendësministri Qorrolli kanë vizituar të hënën Qendrën për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve “Raba Voca” në Mitrovicë.

Në njoftim thuhet se Qendra për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve gjatë këtij 8 mujori ka strehuar 80 të mbijetuara të dhunës në familje.

Ndërkaq lidhur me sigurinë në këtë Qendër ministrja Haxhiu dhe zëvendësministri Qorrolli u njoftuan nga drejtoresha, Fidane Hyseni, se kryesisht nuk ka probleme në këtë qendër dhe se bashkëpunimin me policinë e Kosovës e kanë jashtëzakonisht të mirë dhe efektiv.

Në këtë takim, Ministrja dhe zëvendësi u njoftuan që ende komuna e Mitrovicës, Skenderajt dhe Vushtrrisë, nuk kanë nënshkruar marrëveshjen me strehimoren për mbështetje financiare.

“Ministrja i njoftoi për veprimet që ka ndërmarrë në raport me këtë çështje dhe u zotua që do të jetë në komunikim me personat përgjegjës për zgjidhjen e kësaj çështje”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, ministrja Haxhiu dhe zëvendësi, vizituan edhe vendin ku kanë filluar punimet për ndërtimin e strehimores së re me mbështetjen e UNOPS, ku panë nga afër punën që po bëhet.

Të ngjashme