Mbi 1 500 raste të dhunës në familje për 6 muaj, deputetet e PDK e VV s’pajtohen me pyetjet e njëra-tjetrës

Prishtinë | 23 Nën 2023 | 12:32 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni hetimor parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje është  takuar me Jetish Maloku, kryesues i KPK-së dhe Albert Zogaj, kryesues i KGJK-së, ku për temë diskutimi ka pasur çështjet e dhunës në familje dhe dhunës seksuale, shikuar nga këndi i institucioneve që ata përfaqësojnë.

Albert Zogaj kryesues i KGjK-së, tha se rastet e dhunës në familje dhe rastet e dhunës seksuale trajtohen me prioritet të lartë.

“Të gjitha këto raste kanë prioritet të lartë sepse kemi lëndë të mëdha në Gjykata, në rastet e dhunës e them me përgjegjësi se trajtohen me prioritet të lartë. Dua të theksoj se janë tema që kërkojnë ndërveprim të institucioneve”.

“Ndërveprimi i institucioneve është i rëndësishëm, nëse një rast i dhunës vjen nga një person që ka përdorë drogë gjykatësi nuk mund të paragjykojë por duhet forenzika psikiatrike, nëse kemi vonesë nga ekspertizë rasti vonohet të trajtohet. Edhe përfaqësimi i viktimave, e them me përgjegjësi që niveli i mbrojtjes gjyqësore që e merr një palë varet nga trajtimi në gjykatë”.

Jetish Maloku, kryesues i KPK-së, tha se vetëm brenda këtyre gjashtë muajve kanë pranuar mbi 1 500 raste të dhunës në familje.

Gjatë viti 2022 ai tha se janë pranuar mbi 4 300 raste të dhunës në familje.

“Brenda këtyre gjashtë muajve prokuroria jonë në nivel vendi ka pranuar mbi 1 520 raste të reja të dhunës për gjashtë muaj. Me mbi 1 700 persona, numër shumë i madhe me krahasuar me vitin e kaluar. Për gjashtë muaj janë zgjedhur 1 709 raste. Për vitin 2022 ka pasur 4 349 raste të dhunës në familje, me 5 097 persona. Mbi 3 000 raste janë zgjedhur. Pa përfshirë këtu rastet seksuale”, tha ai.

Mimoza Shala, prokurore në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, tha se kjo Prokurori në trajtimin e rasteve të dhunës në familje ka treguar efikasitet në mbi 80 për qind.

“Nëse flasim për statistika tregojnë një efikasitet të lartë në trajtimin e rasteve të dhunës në familje, për vitin 2022 janë pranuar 916 raste për shkak se janë zgjidhur, 816 raste që në përqindje i bie 84 për qind efikasitet. Nëse flasim për vitin 2023 deri në muajin shtator janë pranuar mbi 600 raste, mbi 500 raste që i bie për efikasitet mbi 85 për qind. Neve na nevojitet edhe një mbështetje ekonomike sociale për viktimat e dhunës në familje”, tha ajo.

Gjatë kësaj mbledhje pati edhe diskutime të ashpra ndërmjet deputetëve të pozitës e opozitës. Kjo pas pyetjeve të deputetëve të mazhorancës në lidhje me raportin e Auditimit për këto institucione, e që deputet e opozitës kritikuan se është duke dal jashtë teme.

Deputetja e VV-së Mirlinda Tishukaj-Sadiku, ka pyetur të pranishmit në lidhje me të gjeturat e nga raporti i ZKA-së.

“Pse rastet nuk janë të përputhura, pse nuk ka raportim në data-bazë që e ke obligim”, tha ajo.

E për këto pyetje reagoj deputetja e PDK, Ariana Musli-Shoshi, e cila tha se pyetje të tilla janë ndërhyrje në drejtësi.

“Nuk po e kuptoj se cili është qëllimi final i këtyre pyetjeve. Kur të flas unë veç dëgjomë. Nuk e di çka po tentojmë me arritur me gjitha këto pyetje. Vlerësoj që më shumë është ndërhyrje në drejtësi se sa çka në jemi duke bërë në këtë komision”, tha ajo.

“Unë kam drejtë me u shpreh qysh dua, nuk ki nevoje t’i me më treguar”, iu drejtua Mirlinda Tishukaj Sadiku deputetes Musliu-Shoshi.

Të ngjashme