Mbi 1 mijë mjekë e infermierë janë prekur nga COVID-19, 11 prej tyre kanë vdekur

Prishtinë | 19 Gus 2020 | 16:43 | Nga Ekonomia Online

Gjashtë mjekë kanë vdekur e 225 të tjerë janë infektuar me COVID-19 në Kosovë gjatë gjashtë muajve.

Ndërsa prej mbi 900 infermierëve që janë prekur me COVID-19 në Kosovë, 5 prej tyre kanë vdekur, të cilët bashkë me mjekët e çojnë në 11 numrin e profesionistëve shëndetësorë që kanë vdekur si pasojë e COVID-19.

Doktor Ali Tolaj, Dr. Kujtim Zarari, Dr. Fadil Zuka, Dr. Sylejman Rexhepi, Dr. Lulzim Kolgjeraj, Dr. Feti Hetemi, janë emrat e mjekëve kosovarë që kanë humbur jetën si pasojë e ballafaqimit me virusin COVID-19. Të gjithë këta ishin duke i trajtuar pacientët e infektuar por edhe të dyshuarit të prekur me koronavirus.

Krahas këtyre edhe 225 mjekë janë infektuar me Covid-19 e qindra të tjerë janë tashmë në vetizolim.

Kështu kanë bërë me dije gjatë ditës së sotme për Gazetën Express, zyrtarë të Odës së Mjekëve në Kosovë. Në këtë institucion, çdo ditë raportohen numrat rreth infektimeve e vdekjeve të mjekëve kosovarë në krye të detyrës.

“Ju njoftojmë se bazuar ne raportimet e institucioneve shëndetësore ne Kosove deri me sot dt. 19 gusht 2020, janë gjithsej 225 mjekë te infektuar me COVID-19 si dhe 6 mjekë të cilët kanë humbur betejën me COVID-19”, thuhet në përgjigjen e Odës së Mjekëve .

Ndërkohë, gjendje hiç më e mirë me infektime nuk qëndron as me infermierët kosovarë. Nga kjo kategori shëndetësore kanë vdekur 5 prej tyre, përfshirë infermierë, laborantë e teknikë të stomatologjisë.

Ndërkohë mbi 900 infermierë të tjerë janë infektuar nga COVID-19 gjatë këtyre muajve.

Këto të dhëna ia dha Expressit, kryetari i Sindikatës së Infermierëve të Kosovës, Fitim Havolli.

“Janë afro 900 infermierë, mami e laborantë në nivel vendi që janë prekur si pasojë e Covid-19. 5 nga ta për fat të keq kanë ndërruar jetë si pasojë e infektimit me Covid 19. Të gjithë këta për muaj me radhë ishin në vijën e parë të frontit”, thotë Havolli për Express.

Ndërkohë, veç në QKUK brenda korrikut janë 200 profesionistë shëndetësorë të prekur me COVID dhe 200 të tjerë janë në vetizolim.

“Pra janë diku 400 personel shëndetësor, infermierë, mami e laborantë vetëm në QKUK që janë infektuar e raste kontakti të COVID-19”, thotë tutje Havolli.

E Sindikata e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë shëndetësorë, kërkoi sot që ndërrimi i natës t’u paguhet nga 36 euro.

Aktualisht, infermierët, për kujdestarinë e tyre paguhen 18 euro.

“Kërkesa jonë, e drejtë dhe direkte është që nga 18 euro (për ndërrimin e natës) të bëhet 36 euro. Nuk kemi kërkuar rritje të pagave sepse duke iu falënderuar këtij organizimi sindikal dhe profesional që e kemi, ata e kalkulojnë jashtëzakonisht mirë edhe gjendjen ekonomike, edhe aspektin buxhetor të Kosovës dhe nuk do të merremi tani me rritje të pagave sepse Gjykata Kushtetuese tanimë e ka dhënë një verdikt”, tha kryetari i Sindikatës së Infermierëve të Kosovës, Fitim Havolli.

Në sektorin publik, paga mujore e mjekut është rreth 600 euro në muaj, derisa infermierët për punën e tyre paguhen me rreth 400 euro.

Rritja e pagave për punëtorët shëndetësorë ishte paraparë të bëhej përmes Ligjit për Paga. Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, më 30 qershor, tha se ky ligj kishte elemente jokushtetuese. Ky vendim i Kushtetueses u tha se do të demotivojë profesionistët shëndetësorë të Kosovës.

Megjithëkëtë, rastet e para me koronavirus, Kosova i ka shënuar më 13 mars. Deri më 19 gusht numri total i rasteve pozitive është 11.848 raste nga 45.397 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 425 raste të vdekjes.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme