Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) raportoi një rekord në të gjithë botën me mbi 350.000 raste të reja ditore të COVID-19.
OBSH tha se vlera e lartë e konfirmuar ditore e 350.766 raste rasteve tejkalon me gati 12.000 një rekord të vendosur në fillim të kësaj jave. Kjo listë përfshin më shumë se 109.000 raste nga Evropa.
Situata në Europë
Qeveria spanjolle i ka dhënë fund përplasjes me qeverinë rajonale të Madridit, duke shpallur një gjendje të jashtëzakonshme 15-ditore për të ulur kuotën e infeksioneve me COVID, pas regjistrimit të shifrave negative.
“Kryetarja e qeverisë rajonale të Madridit ka vendosur të mos bëjë asgjë. Në javën e fundit 63 persona kanë vdekur në këtë rajon për shkak të COVID, 3.360 persona janë shtruar në spital dhe rreth 500 persona të tjerë ndodhen në terapi intensive duke luftuar mes jetës dhe vdekjes. Në këtë situatë, ose do të rrimë duarkryq, ose do të ndalim virusin”, tha Salvador Illa, ministri i Shëndetësisë, Spanjë.
Në Francë, pasi 4 qytete të reja u vendosën në gjendje gatishmërie, pas shembullit të Parisit ku u mbyllën baret, pronarët e lokaleve, qendrave sportive dhe tregjeve protestuan kundër mbylljeve të aktiviteteve të tyre.
“Njerëzit nuk vinë të regjistrohen, ata çregjistrohen, por neve na duhet solidariteti i tyre sepse nuk mund t’ia dalim, do të vdesim dhe po vdesim”, thotë Alain, pronar kompleksi sportiv në Lion.
“Kemi dëgjuar për valën e dytë, pra paska një virus. Por vala e dytë është gjithashtu ekonomike dhe psikologjike. Prek shumë njerëz, ka vdekje nga virusi dhe do të ketë. Njerëzit që janë të prekur nga gjithë këto kufizime na pengojnë të jetojmë”, shprehet Anna, pronare restoranti, Lion.
Ndërkohë, 10 ditë është afati i vendosur në Gjermani për përmirësimin e situatës, në të kundërt do të vendosen kufizime më të rrepta pasi infektimet kaluan kuotën e 4 mijë njësive për të dytën ditë rresht.
“Prioriteti im kryesor, nëse do të jetë i mundur, është të mos e kthejmë ekonominë dhe jetën shoqërore në nivelin ku ishim në pranverë”, tha Angela Merkel, kancelarja e Gjermanisë.
Ndërkohë, pasi Republika Çeke kaloi Spanjën dhe Francën si vendi më i infektuar i BE-së, autoritetet kanë mbyllur kinematë, teatrot, muzetë, galeritë e artit, palestrat dhe pishinat publike për të paktën dy javë.
Qeveria u bëri thirrje njerëzve që të punojnë nga shtëpia nëse është e mundur, duke paralajmëruar kufizime të reja nëse infeksionet vijojnë të rriten, përfshirë një bllokadë.